FOTO/ Gafa, penallti e shumë kartonë, Inter “thyen” Fioren, i afrohet Napolit me 1 pikë, Inzaghi: Fiore e madhe (VIDEO)
Inter “hakmerret” shpejt për atë humbje 3-0 pak ditë më parë në “Franchi”, thyen 2-1 Fiorentinën duke i ushtruar presion nga pranë Napolit kryesues, e ndjek “këmba këmbës” me vetëm një pikë diferencë. Në “San Siro” u zhvilluan një 90-minutësh me raste dhe i luftuar për çdo top, me gjyqtarin e takimit që akordoi jo pak por 9-të kartonë të verdhë.
Ekipi i Inzaghit ishte i karikuar në maksimum, ku pas vetëm një minutë lojë Lautaro flirtoi me golin. Inter zhvilloi një presion asfiksues në zonën e Fiores, por fati nuk ishte me Barella-n i cili i shkoi shumë pranë një goli spektakolar. Kapiteni Martinez fillimisht u ndal nga traversa, pas një goditje me kokë, por më pas, në minutën e 28-të, gjeti dhe një devijim të lehtë duke zhbllokuar më në fund sfidën. Fiore u rikthye në lojë në fundin e pjesës së parë teksa gjyqtari i takimit, me ndihmën e sistemit VAR, akordoi një penallti në favor të ekipit mik pas një prekje të topit me dorë në zonë. Nga 11-metra distancë, Mandragora u tregua perfekt duke barazuar shifrat në 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë, Arnautovic u shërbye në zonë nga Carlos Augusto dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë duke bërë që “San Siro” të shpërthente në festë. Inter jo vetëm ruajti me fanatizëm rezultatin, por flirtuan edhe me golin e tretë në disa momente. Inzaghi dhe i gjithë populli zikaltër festuan me të drejtë për këtë fitore shumë të rëndësishme. Nuk u preferua për asnjë minutë në këtë takim, Kristjan Asllani.
Në përfundim të ndeshjes, Simone Inzaghi shfryu jo pak, me teknikun zikaltër që theksoi rëndësinë e këtij suksesi: “Djemtë bënë një paraqitje të madhe, vrapuan, ishin agresivë, të vendosur, kundër një skuadre që mbrohet mirë. Ishte një fitore shumë e rëndësishme e arritur fjalë punës së djemve, të gjithë skuadrës dhe publikut të mrekullueshëm. Penalltia e Fiorentinës? I ripashë imazhet, ajo penallti nuk jepet kurrë”, u shpreh Inzaghi.
“Interi i vërtetë”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. Ndërkohë Corriere dello Sport bën moviolë: “Jashtë logjike. Gabim i rëndë, Inter fiton dhe shkon -1 nga Napoli”, shkruan ndër të tjera e përditshmja italiane, duke iu referuar te goli i parë i Inter.
()