Strategu i Trump në krye të fushatës së PD, sa është paguar LaCivita dhe kush e solli në Shqipëri? Përgjigjet Alfred Lela
Drejtori i Komunikimit me Median në Partinë Demokratike, Alfred Lela, është shprehur se Chris LaCivita, ish-kreu i fushatës elektorale të Trump, por tashmë i forcës politike ku ai merr pjesë, është një zhvillim i rëndësishëm për opozitën shqiptare.
I ftuar në emisionin “Open” në News 24, Lela tha se Chris LaCivita ndodhet në vendin tonë “për të shkulur dhe të zhbërë një të majtë ekstreme”.
Lela shtoi se LaCivita është pyetur nëse e pengon non-grata e Berishës në SHBA, e se ai ka thënë jo.
Pyetje: Kush e solli LaCivitën në Tiranë?
Lela: Dëshira e vetë, fakti që ka sipërmarrje të së djathtës amerikane për të shkulur dhe të zhbërë një të majtë ekstreme të përfaqësuar George Soros. Është e djathta kundër një të majte që ka dalë me të gjitha mjetet të ligjshme dhe të paligjshme për të zhbërë kundërshtarin politik.
LaCivita është pyetur nëse e pengon non grata e Berishës. Ai ka thë jo, duke theksuar se kjo gjë e inkurajon atë që të vij në Shqipëri edhe për këtë sepse kjo është sfida sepse ai e bëri një betejë me një non grata të establishmentit amerikan që është Donald Trump. Dua ta bëj dhe me një të ngjashmin e tij në një vend të vogël, mik i SHBA-së, ka thënë LaCivita.
I pyetur se sa është paguar konsulenti amerikan për të qenë në krye të fushatës elektorale të Partisë Demokratike, Lela nuk dha përgjigje për shumën, por shtoi se kjo e dhënë nuk do të mbetet sekret dhe se do të publikohet së shpejti.
Pyetje: Sa është paguar?
Lela: Nuk them dot shumën, se nuk e di as nuk jam interesuar se me thënë të drejtën as më intereson dhe se di pse, por mund të them se parimisht, nuk do të mbetet sekret, sepse LaCivita është i detyruar ta deklarojë në departamentin e thesarit shumën e ksakte dhe kontratën. Të njëjtën gjë do bëjë dhe PD në KQZ.