Sat, Apr 19, 2025

Zgjedhjet e vërteta për Kosovën, ato përballë Serbisë, janë ende për t’u kryer

  • PublishedFebruary 11, 2025

Zgjedhjet e vërteta për Kosovën, ato përballë Serbisë, janë ende për t’u kryer

GENC BURIMI

Zgjedhjet legjislative që sapo përfunduan në Kosovë kishin si objekt vazhdimësinë, apo jo me Kurtin dhe koalicionin e tij përreth Vetëvendosjes. Por, në kushtet e luftës së ftohtë në të cilën ndodhet Kosova me Serbinë dhe që në çdo moment mund të kthehet në luftë reale, siç u pa më 2023 në Banjskë, alternativa që shtrohet para popullit të Kosovës e tejkalon lojën e brendshme politike kosovare. Këto zgjedhje në Kosovë me rastësinë e kalendarit edhe të zgjedhjeve presidenciale në SHBA që e risollën Trump në pushtet vetëm para një muaji, të japin shijen e një testi demokratik paksa të parakohshëm. Faktikisht, ende nuk dihet cili do të jetë plani i kësaj administrate të re amerikane për zgjidhjen e ngërçit Prishtinë–Beograd, i cili rrotullohet vetëm rreth çështjes qendrore të njohjes së Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur. Trump ka dhënë vizionin e tij për marrëdhëniet ndërkombëtare për gjithë globin, që nga Ukraina tek Irani duke kaluar nga Rripi i Gazës, e deri te Kanadaja pa harruar as Groenlandën.

Vetëm në një dosje Trump s’ka lënë të ravijëzohet as më i vogli plan apo vizion, në dosjen e Kosovës që mbetet megjithatë, vatra e dytë më e nxehtë në kontinentin europian pas konfliktit në Ukrainë. Nuk ka më të voglin dyshim që administrata “Trump” nuk do të vonojë të shpallë planin e saj edhe për Kosovën. Kur ai plan do të bëhet publik, kosovarët do të duhet të bëjnë realisht një zgjedhje: pro, ose kundra planit që Trump mban gati për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë–Serbi. Përse ky plan amerikan për Kosovën nuk është shpallur deri tani? Pikërisht mbasi kjo administratë e re priste paraprakisht përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë. Dhe meqenëse në këto zgjedhje kjo administrate amerikane tregoi haptazi një preferencë anti-Kurt në bazë nga ajo çka u dëgjua nga goja e Richard Grenel, gjasat janë se plani amerikan për Kosovën do të lypë një tolerance të madhe nga klasa politike kosovare ndaj Serbisë, gjë që nuk është aspak karakteristikë e Albin Kurtit. Nëse Grenell rinxjerr nga valixhja diplomatike të njëjtin plan si ai i para disa viteve i miratuar nga Hashim Thaçi për ndarje të Kosovës mbi bazë shkëmbim territoresh me Serbinë që kjo të njohë Kosovën, ka zero gjasa që Albin Kurti ta pranojë këtë plan dhe shumë gjasa që një pjesë e opozitës kosovare ta miratojë.

Prandaj kjo administratë e re amerikane “bëri fushatë” për opozitën kosovare. Prandaj, kjo administratë e re gjatë gjithë kësaj kohe nuk shpalli asnjë plan për Kosovën në mënyrë që ai plan që mund të lypë lëshime nga pala kosovare të mos bëhej objekt i fushatës elektorale kosovare dhe të ndikonte në vota “patriotike” pro Vetëvendosjes. Në këto kushte, përfundimi i zgjedhjeve në Kosovë do të vazhdojë paradoksalisht të lypë zgjedhje të reja karshi planit të mos shpallur amerikan për Kosovën. Rifitorja e Albin Kurtit prapëseprapë nuk e zgjidh ngërçin midis kosovarëve që do të duan të ndjekin symbyllurazi çlirimtarët amerikanë dha ata që s’do të duan të pranojnë asnjë fije pe lëshim ndaj Serbisë.

ZGJEDHJE TË REJA TË PARAKOHSHME PËR PRESIDENCËN E ARDHSHME TË KOSOVËS

Sot, në ditën e fitores së Kurtit mund të thuhet pa frikë se zgjedhjet u kryen në Kosovë, por se ato ende nuk kanë përfunduar. Në varësi të planit amerikan, a do të preferojnë Kosovarët një paqe të përhershme me Serbinë, por që do të ketë një çmim territorial? Apo kosovarët do të preferojnë të kenë më pak spitale, rrugë e shkolla dhe më shumë uzina dhe fabrika armësh për t’i bërë ballë të vetëm Serbisë nëse Daj Sami përtej Atlantikut tërheq forcat nga Kosova. Është një “referendum” pro ose kundra planit në vijim amerikan për Kosovën, që e pret shumë shpejt elektoratin kosovar, ndoshta që këtë vit, falë, ironikisht dhe rezultatit hibrid të zgjedhjeve legjislative që sapo përfunduan. Me këtë rezultat, Kurti me dy aleatë të vegjël, vërtetë mund të krijojë një qeveri, por s’mund t’i japë Kosovës një president(e), siç e parashikon kalendari këtë vit. Në pamundësi mazhorance që Kuvendi i Kosovës të zgjedhë një presidencë të re këtë vit, zgjedhje të reja të parakohshme legjislative nuk janë një opsion irealist. Për më tepër, më shumë se për një mazhorancë të re që t’i japë vendit një presidencë të re, kosovarët do të kenë kështu rastin të prononcohen për planin Trump për Kosovën.

Është për t’u ardhur keq pse SHBA-të nuk preferuan që kosovarët të prononcoheshin në kuadrin e zgjedhjeve që sapopërfunduan edhe për planin amerikan Kosovë–Serbi. Por, një gjë u vërejt me siguri në këto zgjedhje: një shumicë kosovarësh lypnin nga qeveria e ardhshme më shumë buxhet për armatime dhe prandaj votuan për Kurtin. Ky është një tregues domethënës se kosovarët ashtu si ukrainasit, paçka dëshirave të “Fuqive të mëdha”, (do) preferojnë luftën me nder sesa një paqe të turpshme. Kjo administratë e re amerikane mund të tregohet e nxituar dhe naive, por është vetëm viktima që e di dhe e ndjen në mish të saj, se xhelati qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Kurrë, kjo Serbi dhe kjo Rusi me klasat e tyre politike aktuale, nuk do të pranojnë një Kosovë dhe Ukrainë të pavarur edhe sikur kjo administratë amerikane t’u shtrojë për negociata tapete të lara me flori. Populli shqiptar i Kosovës të ndihmojë veten përpara se të presë ta ndihmojë Zoti… nga Uashingtoni./Gazeta Panorama