Gjykata vendos arrest me burg për Veliajn pavarësisht presioneve

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) miratoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj ndërkohë që ndryshoi masën e sigurisë për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe konfirmoi masat e sigurisë për gjashtë të akuzuar të tjerë, kryesisht biznesmenë të akuzuar se kanë korruptuar Veliajn.
Gjatë seancës Veliaj u deklarua i pafajshëm dhe akuzoi prokurorin Ols Dado për konflikt interesi. Jashtë gjykatës, mbështetës të Veliajt u panë duke protestuar kundër prokurorisë dhe gjykatës me pankarta që paraqesnin foto të objekteve të ndryshme të ndërtuara në Tiranë gjatë viteve të fundit, si trofe suksesi të Veliajt.
Gjatë njëzet e katër orëve të fundit, prokurorët dhe gjyqtarët e gjykatës speciale u përballën me presione, akuza dhe fyerje, kësaj here nga shumica socialiste, pasi janë përballur më parë me akuza dhe fyerje të ngjashme nga ana e opozitës. Vetë kryeministri Edi Rama foli në mënyrë të përsëritur, sulmoi një gjyqtar duke e cilësuar atë si “kamikatze të Berishës” ndërsa sugjeroi pa ofruar prova se Veliaj po mbahej në burg “pa gjyq”.
Prokurorët kërkuan masë sigurie arrest me burg për Veliajn pasi vunë në dukje sjellje jobashkëpunuese prej tij dhe kërcënuese ndaj dëshmitarëve dhe hetuesve të BKH-së ndërsa ngritën akuzë ndaj deputetes së Kuvendit Klotilda Bushka për ndërhyrje në proces dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Bushka mohoi akuzat në një deklararë publike.
Veliaj pritet të përballet me një proces gjyqësor në të cilin akuzohet se ka përfituar para në së paku nëntë raste nga pesë biznesmenë të ndryshëm në shkëmbim të kontratave për punë publike apo të firmave për leje ndërtimi për këto biznese.
Disa nga biznesmenët më të njohur të Tiranës, si Shkëlqim Fusha, i cili ka qenë për shumë vite kontraktori më i madh publik në vend, u vendos nën akuzë se ka korruptuar Veliajn. Po kështu edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili paralelisht me këtë është nën akuzë për korrupsion aktiv të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas prokurorisë, Veliaj dhe Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.