Tri fjalë për kryebashkiakun Veliaj
GENC POLLO
1.ARRESTIMI
Për të gjithë ata që u gëzuan tek panë kryebashkiakun Veliaj të arrestohej dhe të kyçej në qeli (por edhe për ata që u hidhëruan): Arrestimi nuk është dënim, nuk është fajësi e provuar e aq më pak fajësi e pranuar. Vetëm këto të fundit përmes verdiktit gjyqësor do të ishin drejtësi e bërë. Prezumimi i pafajësisë i të pandehurit mbetet në fuqi edhe kur është kafshatë që s’kapërdihet (opinioni publik ka rregulla të tjera). Arrestimi i Veliajt është paraburgim i cili, sipas ligjit, synon të pengojë arratisjen, prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve dhe kryerjen e krimeve të tjera. Me informacionin e bërë publik, asnjë nga këto raste nuk duket bindës për të justifikuar paraburgimin në rastin Veliaj. Mbase SPAK e GjKKO kanë informacion që ne nuk e kemi. Por precedentët nuk flasin në favor të tyre. Paraburgimi ishte abuziv (i tepruar ose i pajustifikuar) në rastet Berisha, Beleri, Meta, Dako, e mbase Beqja, Koka, Bllako, Frroku etj..
2.AKUZA
Bazuar në njoftimin e SPAK-ut, akuza ndaj kryebashkiakut Veliaj është zhgënjyese, sepse nuk u referohet çështjeve kriminale pa precedent si incineratori i Tiranës (150 milionë euro kundrejt asgjëje) apo ‘5D’ (norma e korrupsionit as 10% e as 20%, por 100%). Akuza i referohet një skeme banale e tipike për Bashkinë Tiranë të shekullit 21. Veliaj u ka dhënë favore bashkiake (kontrata, leje, etj.) biznesmenëve x, y, z, kundrejt ryshfetit që këta të fundit e kanë depozituar tek e shoqja e tij. Kjo skemë duket e mirëhetuar dhe për ketë magjistratët e agjentët e SPAK/BKH lipset të përgëzohen përzemërsisht. Kur them banale e tipike nuk synoj të normalizoj kriminalitetin e ofiqarëve, por fatkeqësisht të përshkruaj realitetin. Por edhe të theksoj se skema kriminale sa më lart nuk është skandali i vërtetë. Ky i fundit është reagimi i Erion Veliajt. Shtatë orë mbas arrestimit, Veliaj reagoi në “Facebook”, duke ofenduar prokurorët e kritikët në media e opozitë, duke theksuar vuajtjet familjare e duke u shqetësuar për mungesën e tij në fushatën zgjedhore të majit krahas PS e kryetarit të saj. Por ai nuk jep as edhe një shpjegim konkret për akuzat e detajuara në njoftimin e prokurorisë. Këto akuza kanë qenë të njohura që nga mesi i dhjetorit, por gjatë këtyre dy muajve Veliaj nuk ka tentuar të shpjegojë e të argumentojë në publik pafajësinë e tij. Në rast se ai do të ishte person privat, mbrojtja ligjore vetëm në gjyq do të ishte e zakonshme. Por Veliaj as nuk është dhe as nuk do të kthehet në person privat. Por personi zyrtar para se të arrijë para gjyqit të ligjit, si rregull kalon nga gjyqi i opinionit publik. Shihni rastin Berisha ku ai vetë, dhëndri, e bija dhe avokati që në fillim e në vijim kanë prezantuar në detaj mbrojtjen e tyre në çështjen “Partizani”.
3.OFIQI
Nëse dy paragrafët më lart shtjellojnë sjelljen në një proces penal, nuk duhet harruar se rasti Veliaj është absolutisht politik, duke qenë se ai mban ofiqin e dytë më të pushtetshëm në republikë për nga buxheti, administrata e territori. Prandaj kur akuzohet kryebashkiaku, rregullat janë të tjera nga ato kur akuzohet xhepisti. Në nëntor 2023 policia portugeze kontrolloi rezidencën e kryeministrit Costa, çka çoi në dorëheqjen e tij, por edhe në shpjegim të detajuar të pafajësisë së tij. Hetimi i mëtejshëm provoi se prokurorët kishin gabuar, duke ngatërruar një Costa që u dilte në përgjime me kryeministrin. Por ndërkohë në Portugali zgjedhjet e çuan partinë e Costas në opozitë. Rasti Costa mund të jetë ekstrem, por sjellje të ngjashme në Europë ka plot dhe vlen të merren si model. Ashtu siç lipset të kujtojmë reagimin e Erion Veliajt mbasi prokurorët plasën skandalin ‘5D’: “Unë uroj që (drejtorët) të provojnë pafajësinë e tyre, dëshiroj me gjithë zemër të besoj deri në fund në pafajësinë e të gjithë bashkëpunëtorëve të mi”; pastaj ai lëshon edhe fjalinë e pataksur: “Ky është një vend që nuk t’a fal kollaj suksesin!”. Që atëherë nuk ka nga Veliaj asnjë fjalë për marrjen e përgjegjësisë personale; për moskontrollin e “punëve” bashkiake, për injorimin e denoncimeve konkrete e të detajuara muaj më parë për gjithçka provoi hetimi penal. As ndjesë-kërkesë për ndjekjen gjyqësore të denoncuesve, që Veliaj e njoftoi sapo ata hapën gojën. Në Këshillin Bashkiak, Veliaj bllokoi mbledhjen për muaj të tërë e kur më në fund këshilli u mblodh, ishin marrë masat: opozitës nuk iu dha fjala fare, mikrofonat e këshilltarëve opozitarë rezultuan me defekt (për çdo rast) dhe një këshilltar socialist provokoi një sherr me grushte me një koleg opozitar. Ndërkohë nuk ka asnjë qëndrim kritik ndaj Veliajt nga PS (praktika europiane në raste të ngjashme kap një diapazon nga thirrja për të dhënë shpjegime tek përjashtimi nga partia apo nxitja për dorëheqje). Rama i vuri vulën në dhjetor duke e marrë në mbrojtje: ai sulmoi prokurorin e qortoi gazetarët për “masakrën mediatike” ndaj familjes Veliaj. Edhe sot në monologun e mëngjesit, Rama përsëri e mbrojti Veliajn (dhe kritikoi prokurorin), madje e shtoi pak dozën. Dihet se cili është zanati më i vjetër në botë, por për të dytin në radhë, hajdutëria është kandidati më serioz. Prandaj lipset më pak vëmendje për ryshfetet e Ajolës dhe shumë indinjatë e reagim për mizerjen politike të dëshmuar nga Veliaj dhe përkrahësit e tij. Si dhe falënderim e respekt për qindëshen e protestueseve të palodhur që u mblodhën çdo javë para bashkisë prej prillit 2024. Ata janë sot për sot shpresa se politika do të përmbajë edhe llogaridhënien. Si dhe një trysni politike që prokurorët të mos vrapojnë vetëm mbas harabelit të korrupsionit e të lenë mënjanë elefantët e tij.
*Ish-ministër e deputet
/Gazeta Panorama