Mon, Mar 17, 2025

Të rinjtë, midis skepticizmit dhe idolatrisë politike

  • PublishedFebruary 13, 2025

Të rinjtë, midis skepticizmit dhe idolatrisë politike

GËZIM TUSHI

Padyshim në këto tri dekada e gjysmë në Shqipëri me gjithë defektet e njohura e të pranuara, janë zhvilluar zgjedhje të lira demokratike politike e parlamentare dhe sociologjikisht janë evidentuar shumë prirje e tendenca të diversifikuara sociale, moshore e demografike. Përtej politizimit dhe bravurave militanteske, për trajtimin “en block” të elektorateve respektivisht të qëndrueshëm dhe politikisht konstant, koha ka treguar disa dukuri që duhen vlerësuar, që kanë të bëjnë me konsistencën politike dhe “sjelljen elektorale” moshore të brezave të ndryshëm. Ka kohë që është evidentuar një tendencë e diversifikuar, lidhur me sociologjinë elektorale, e cila shfaqet në qëndrimet moshore ndaj politikës, që shfaqet në ndryshimet që po pëson kurba moshore e angazhimit politik, si tendencë që reflektohet dhe pasqyrohet statistikisht në kaskadën sasiore të pjesëmarrjes në zgjedhjet elektorale.

Padyshim, ata që reflektojnë më shumë dhe shfaqin më hapur qëndrimet e tyre ndaj politikës dhe pjesëmarrjes në zgjedhje janë të rinjtë. Pyetja që shtrohet tani në prag të zgjedhjeve të 11 majit është, si do jetë kjo “kaskadë moshore” dhe statistikat e diferencuara të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të këtij viti? Kjo mbetet për t’u parë. Por dihet, është e njohur, e provuar dhe e vërtetuar se pjesën themelore të “kaskadës elektorale”, përqindjen më të lartë në votime e zënë moshat e dyta dhe të treta. Rezultatet e pjesëmarrjeve në zgjedhjet e kaluara, statistikisht kanë treguar dhe provuar aritmetikisht dhe politikisht se të rinjtë zënë peshën kryesore në strukturën e “elektoratit apatik”. Kjo do të thotë se gjithnjë ka qenë dhe mbetet problem, refuzimi, mungesa e pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhje.

Një “abstinencë elektorale”, e cila si patologji moshore evidente, që shumë herë shfaqet si kontestim ekzibicional. Por, besoj se përtej qëndrimeve të natyrshme kontestatore pasive të moshës, kjo abstinecë elektorale ka disa arsye, që nuk janë të lidhura me modën rinore të refuzimit të “ekzistueses politike”, por edhe me ca arsye të tjera ontologjike, thelbësore, jashtë moshore. Në analizën sintezë të kësaj dukurie mund të themi se indiferenca e të rinjve ndaj politikës është shprehje elokuente përtej moshore dhe në vlerësimin sociologjik, sintetikisht është shfaqje e situatës së “ftohjes sociale” të shoqërisë me politikën. Kohët e fundit politika është munduar të vërë në lëvizje disa mekanizma elektoralë shtesë, për t’i bërë zgjedhjet më atraktive, për pasojë edhe më të interesuara për të rinjtë. Natyrisht, më duket se kjo është më shumë tërheqje individuale se sa si grup social.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, nuk është e lehtë që t’i bindësh të rinjtë të afrohen masivisht në kutitë e votimit, apo të kenë perceptimin e duhur qytetar për përgjegjësinë qytetare të votës. Nuk ka pse e fshehim, është mënyra se si është zhvilluar jeta politike në Shqipëri, ajo që ka determinuar këtë qëndrim refuzues, që shfaqet dukshëm në rënien e respektit nga të rinjtë për politikën dhe politikanët. Cilat mund të jenë shkaqet e kësaj tendence? Pse të rinjtë gjithnjë e më shumë po bëhen indiferentë ndaj politikës? Sociologjikisht dhe politikisht kush e ka fajin, kush është përgjegjës për këtë dukuri elektorale regresive? Të rinjtë që nuk kuptojnë vlerën qytetare të votës, apo të “tjerët”, që nuk kuptojnë shkaqet e këtij abstenimi elektoral të të rinjve në Shqipëri? Personalisht mendoj se tashmë në sjelljen elektorale te të rinjtë shfaqen dy tendenca të kundërta. Indiferenca dhe skepticizmi politik moshor, nga njëra anë dhe idolatrizimi i politikës nga ana tjetër. Një dikotomi moshore që po evidentohet kohët e fundit.

Pjesa më e madhe e të rinjve janë me prirje indiferente, si formë proteste, skepticizmi dhe kontestimi. Por kohët e fundit është ravijëzuar një lëvizje e dukshme brenda të rinjve, të cilët kanë filluar ta lakmojnë politikën. Për idealizëm apo për utilitarizëm, kjo mbetet për t’u parë. Unë besoj se diagnostikimi sociologjik i këtyre dukurive të integruara socio-politike duhet bërë me kujdes, në mënyrë objektive, pa anatemime moshore, por edhe pa ndjenja të nihilizmit ndaj të rinjve. Janë disa arsye që lidhen me moshën dhe intransigjencat moshore të të rinjve, por edhe ca me shkaqet që janë përtej tyre, që shfaqen si përgjegjësi tipologjike të mënyrave të performancës moshore të politikës shqiptare. Padyshim, është koha në të cilën jetojnë të rinjtë, faktor objektiv që ndikon në këtë sjellje elektorale përgjithësisht indiferente, sepse të rinjtë kanë më shumë dëshirë të jenë të lirë, politikisht të “paindoktrinuar, të dhënë pas konsumit, qejfit, sjelljeve merkantiliste dhe hedonistike, kënaqësive utilitare të drejtpërdrejta. Por kjo “anë e brendshme” e sjelljes elektorale është e lidhur pa më të voglin dyshim edhe me patologjitë e brendshme të politikës, mungesën e sistemit të sigurt konkurrencial.

Të rinjtë nuk e kanë qejf politikën e mbyllur apo dobësimin e vlerës së saj, si mjet që duhet t’i shërbejë jo thjesht dhe “privatisht” klasës politike, por pa dimensionin e sigurt e të konfirmuar si “shërbëtore” besnike ndaj të mirës publike. Sa më shumë që politika shqiptare të marrë natyrën e “lojës së mbyllur”, aq më larg do i qëndrojnë të rinjtë. Politikanët këtë dukuri nuk kanë pse e kërkojnë si përgjegjësi “jashtë tyre” apo të lidhur thjesht me natyrën e të rinjve. Në fakt, është mënyra si zhvillohen proceset politike, shkaku që i mban të rinjtë larg nga politika. Të rinjtë janë bij të kohës postmoderne, krejt ndryshe nga prirjet dhe paradigmat politike frymëzuese të militantëve arkaikë, interesaxhinj apo si shërbëtorë të “besnikërive të vjetra” politike. Ata janë fleksibël, mendjehapur, nuk i tërheq dikotomia partiake, partishmëria e ngurtë apo politikat dogmatike. Jo vetëm kaq.

Ngurtësia e qarkullimit të elitave në politikë, kalcifikimi i lidershipit i bën të rinjtë indiferentë dhe skeptikë. Mungesa, ngadalësia në qarkullimin e elitave politike, një sëmundje endemike e politikës në Shqipëri, ka bërë që të rinjtë të mos i afrohen asaj ngaqë janë të mërzitur nga disa prototipa politikanësh, të deformuar nga koha, të kthyer në njerëz rutinierë. Studimet tregojnë se të rinjtë nuk i tërheq politika rutiniere, e vjetër, dogmatike e katandisur në recitimin e disa sloganeve politike empirike të “dala boje”. Të rinjtë kërkojnë një politikë, tjetër: të bazuar në dije, të zhvilluar nga njerëz me kulturë politike adekuate, koherente dhe jo të realizuar me teatralitete mediokre. Këto janë të papranueshme për ta. Aq më shumë të rinjtë nuk e kanë qejf, madje i urrejnë fushatat elektorale kur ato dalin nga normaliteti dhe kthehen në “histeri elektorale”. Kur bisedon me të rinjtë, ata kanë mospajtim me debatet e kota politike, dialogët “pa bukë”, apo monologët “fol të flasim”, pa vlera cilësore kulturore e politike. Sepse politika është mision dhe jo biznes. Jo vetëm kaq, por të rinjtë tashmë të kultivuar, të kulturuar shpeshherë në nivele më të larta se disa politikanë, i qëndrojnë larg politikës edhe për shkak të vrazhdësisë, gjuhës banale jopolitike që përdoret nga politikanët në aulat më të rëndësishme të politikës. Këto dhe plot arsye të tjera janë ato shkaqe, diagnostikimi sociologjik i të cilave na çon në konkluzione pse një pjesë jo e vogël e rinjve qëndrojnë jashtë partive politike dhe të distancuar ndaj fushatave elektorale.

Në këto kushte, ajo që duhet të kuptojnë politikanët shqiptarë është e vërteta që politika është apo mund të bëhet moderne, kur ka fuqi të rregullojë “ekuacionin”, që lidh politikën me kërkesat moshore, prirjet kulturore e intelektuale të të rinjve. Kohët e fundit ka një përpjekje nga partitë politike për të angazhuar të rinj si pjesë e listave të mbyllura apo të hapura për deputetë. Një gjë pozitive kjo, edhe pse jemi përballë një dikotomie sociale midis idolatrisë dhe skepticizmit të të rinjve me politikën. Aspirata për t’u marrë me politikë apo për të qenë politikan profesionist, është legjitime dhe shumë e natyrshme për të rinjtë tanë. Doemos gjithnjë është rreziku i ngatërresës midis aspiratës dhe karrierizmit, apo inkorporimit për qëllime jashtë politike. Uroj që të rinjtë që aspirojnë politikën, të mos jenë të infektuar që në fillimet e tyre, duke menduar se politika është “porta” që të bën të pasur. Ky është një “infeksion social” shumë i përhapur në politikën shqiptare, nga i cili nuk mund të jenë plotësisht të imunizuar edhe të rinjtë aspirant të politikës. Varet nga ata se cili është synimi i personalizuar.

Për fat të mirë, zhvillimet e kohëve të fundit tregojnë se jemi në momente kur nga politika po vijnë disa mësime të mëdha, që duhen vlerësuar nga të rinjtë. Korrupsioni, dyfaqësia, interesat e personalizuara të shfaqura te disa politikanë e kanë bërë “pis” politikën. Të rinjtë që aspirojnë të bëhen politikanë e kanë obligative t’i drejtohen vetes, ndërgjegjes së tyre, nëse duan të bëhen njerëz politikisht të besuar dhe rrjedhimisht të pranuar në jetën publike. Nëse synojnë të bëhen militantë, të hipin në “bordin e politikës” duke menduar se kështu krijohet mundësia të realizojnë qëllime pragmatike, apo duke e përdorur politikën si “urë” për famë personale, dukje, protagonizëm apo narcisizëm individual, e kanë gabim. Koha për këtë tipologji politikani është duke përfunduar. Koha kërkon politikanë të rinj. Jo thjesht nga mosha…/Gazeta Panorama