Rama niset drejt Mynihut për Konferencën e Sigurisë, kryeministri: Rikthehem së shpejti, sepse na presin shumë punë dhe mbi të gjitha një betejë ekzemplare
Kryeministri Edi Rama niset sot drejt Mynihut për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Sigurisë.
Gjatë një deklarate në rrjetet sociale, Rama informoi se në kuadër të kësaj konference do të zhvillojë një sërë takimesh dhe se do të marrë pjesë edhe në disa evente.
“Nisem për Konferencën e Sigurisë në Mynih, për disa takime dhe evente që nuk i shmangia dot dhe për t’u kthyer shumë shpejt këtu, sepse na presin shumë punë dhe mbi të gjitha na pret një betejë ekzemplare dhe një fitore spektakolare”, tha kryeministri Rama.
Rreth 60 krerë shtetesh dhe qeverish janë mbledhur në Mynih të Gjermanisë në një konferencë vjetore të sigurisë për të diskutuar konfliktet ndërkombëtare, sfidat gjeopolitike dhe marrëdhëniet transatlantike.
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih vjen në një kohë të rëndësishme pasi administrata e re e SHBA-së mori detyrën muajin e kaluar, e shoqëruar me një përbërje të parlamentit evropian dhe zgjedhjeve parlamentare gjermane që do të mbahen vetëm një javë pas konferencës.
Plani i paqes i presidentit amerikan, Donald Trump, për Ukrainën dhe situata në Lindjen e Mesme janë ndër çështjet kryesore që diskutohen në konferencë.