Chelsea në “rënie të lirë”, Brighton i kthehet në makth (VIDEO)
Brighton i kthehet në “makth” Chelsea-t, pasi i eliminoi nga Kupa e Ligës pak ditë më parë, i shkaktoi një tjetër humbje të rëndë, këtë herë në Premier League, duke bërë që blutë të vijojnë rënien e lirë. Në javën e 25-të, Brighton triumfoi me rezultatin e pastër 3-0, me vendasit që kaluan në avantazh në minutën e 27-të, ku Mitoma mori një assist nga portieri, lëvizi bukur në zonë dhe me një goditje perfekte dërgoi topin në rrjetë. Chelsea krijoi iluzionin se do të rikthej shpejt në lojë teksa Enzo Fernandez me kokë dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për faull në sulm.
Brighton përfitoi edhe një herë nga përgjumja e mbrojtjes së Chelsea-t ku në minutën e 36-të, Minteh përfitoi nga një top i mbetur në zonë duke dyfishuar shifrat. Brighton nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 65-të sulmuesi nga Gambia kompletoi mbrëmjen e tij perfekte duke realizuar golin e dytë personal duke sigluar shifrat në 3-0, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund.
Kjo humbje e pësuar ndërlikon jo pak sezonin e Chelsea, me blutë që shohin t’i rrezikohet edhe prezenca në zonën Champions pasi ndodhen në vendin e 4 në kuotën e 43 pikë, 2 më shumë se Man.City, por “qytetarët” kanë një ndeshje më shumë në dispozicion.
()