”Pse më bullizojnë mua?”- 17-vjeçarja i dha fund jetës në banesën e saj, detaje nga hetimet
Janë me dhjetëra persona që do të merren në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur 5 ditë më parë në Gjirokastër, ku një vajzë i dha fund jetës.
Gjetja e disa shënimeve të saj, në një letër dhe në një ditar të mbajtur në telefonin e saj personal, ka shtyrë prokurorinë e Gjirokastrës jo vetëm të regjistrojë procedim penal, por edhe të listojë një numër shumë të madh personash që do të merren në pyetje në lidhje me rrethanat që çuan 17- vjeçaren drejt aktit ekstrem të vetëflijimit. Sipas të dhënave që vijnë nga grupi hetimor, bëhet me dije se përveç një morie nxënësish, mësuesish, e punonjësve të ndryshëm që kanë lidhje me arsimin në Gjirokastër, persona që do të merren në pyetje janë edhe njerëz të afërt të vajzës, kryesisht shoqet dhe familjarët e saj.
Prokuroria saktëson se deri më tani, një numër i lartë dëshmish janë mbledhur nga Oficerët e Policisë Gjyqësore (OPGJ), duke përfshirë stafin pedagogjik, drejtuesit e gjimnazit “Siri Shapllo”, përfaqësues të Zyrës Arsimore dhe nxënës të shkollës. Prokuroria ka ngritur një akuzë për humbje jete, por ende nuk ka përcaktuar arsyet dhe përgjegjësitë e mundshme. Fakti i konfirmuar deri më tani është se adoleshentja ka ndërruar jetë në banesën e saj dhe jo brenda ambienteve të shkollës. Deri në këtë moment, pranë Komisariatit të Policisë nuk është dorëzuar asnjë denoncim nga prindërit e vajzës.
Pavarësisht kësaj, autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse ka pasur faktorë të jashtëm që kanë ndikuar në vendimin fatal të adoleshentes. Ngjarja e rëndë tronditi Gjirokastrën pasditen e 10 shkurtit, ku 17-vjeçarja u gjet e vetëvarur në banesën e saj. Familjarët e zbuluan aktin tragjik disa orë më vonë, ndërsa ishte i ati ai që e konstatoi dhe njoftoi urgjencën. Adoleshentja ka lënë pas një letër me disa shënime që kanë thelluar edhe më shumë tronditjen e familjes si dhe kanë ngjallur dyshime të arsyeshm tk organet kompetente të hetimit.
LETRA QË LA DYSHIME PËR BULLIZMIN
Në sendet personale të vajzës, familjarët gjetën një letër të shkruar në anglisht, pa datë, në të cilën ajo rrëfente dhimbjen dhe izolimin që ndiente për shkak të bullizmit.
”Pse më bullizojnë mua?”, shkruante viktima, duke dhënë një sinjal të qartë se ndjehej e përjashtuar dhe e sulmuar nga bashkëmoshatarët. Kjo ka ngritur edhe më shumë dyshime mbi faktorët që e çuan drejt aktit fatal. Në letrën e gjetur mes sendeve personale të vajzës flitej mbi ndjesitë e saj. Ajo përshkruante trishtimin që ndiente për mënyrën se si vishej ndryshe nga bashkëmoshatarët, dëshirën për të pasur veshje më të bukura, shoqëri dhe afrimitet me ta.
Vajza ishte tip i mbyllur dhe ndihej e papranuar në shoqëri. Ndërsa familja e saj ishte në kushte të vështira ekonomike. Si pasojë e një aksidenti në punë, i ati i vajzës nuk punonte prej vitesh dhe kjo ngjarje e kishte rënduar situatën familjare ekonomikisht dhe psikologjikisht. Sipas burimeve nga hetimet, para se të kryente veprimin tragjik, 17- vjeçarja ishte larguar nga shkolla tre herë gjatë ditës, duke u kthyer në banesë, por çdo herë aty ndodhej i ati. Vetëm pasi gjeti një moment kur ishte e vetme në shtëpi, ajo vendosi t’i japë fund jetës. Ndërkohë, ngjarja ka rihapur debatin mbi bullizmin në shkolla dhe mungesën e mekanizmave të mbështetjes psikologjike për nxënësit.
/Gazeta Panorama