Analiza e Eduard Halimit: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Sky ECC, pse është një hap i guximshëm në përputhje me jurisprudencën evropiane
Nga Eduard Halimi
Vendimi i fundit unanim i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i zbardhur dhe publikuar këtë javë, lidhur me ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e provave të siguruara përmes komunikimeve të koduara në platformën Sky ECC është një hap i guximshëm dhe në përputhje të plotë me praktikat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (ECJ).
Java ka patur vendime të tjera të guximshme të drejtësisë, por edhe ky vendim është po ashtu i rëndësishem sepse synon të ndihmojë organet ligjzbatuese të zbardhin kontratën e politikës me krimin e organizuar tani para zgjedhjeve të 11 majit.
E kam ndjekur rastin i shtyrë vetëm nga interesi akademik dhe qëndrimi i hershëm se operacioni francez “Vanilla” lidhur me platformat e enkriptuara është një histori fantastike e drejtësisë në botë. Për Shqipërinë ajo ndërthuret rreth kontratës së krimit me politikën: ti më ndihmo të fitoj zgjedhjet, unë në pushtet, të jap tendera, pasuri, të fal taksa, apo support kur ke probleme.
E kam pritur me interes vendimin e zbardhur ndaj po ndaj disa vlerësime rreth tij. Kam argumentuar edhe në shkrime të mëparshme se Shqipëria duhet të ndjekë standardet evropiane në hetimin dhe gjykimin e krimeve të rënda, duke garantuar jo vetëm një sistem të fortë drejtësie, por edhe respektimin e të drejtave themelore.
Edhe pse skepticizmi ishte i madh për shkak të implikimit edhe me politikën, vendimi i plotë konfirmon qasjen që duhet të ndjekë sistemi ynë i drejtësisë për të luftuar krimin e organizuar në mënyrë efektive.
* Konstatimet kryesore të Gjykatës Kushtetuese
- Ligjshmëria e provave nga Sky ECC
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se provat e siguruara përmes Sky ECC janë marrë në përputhje me ndihmën juridike ndërkombëtare dhe Konventën Evropiane për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale. Gjykata theksoi se këto prova ishin transferuar nga autoritetet franceze tek ato shqiptare në mënyrë legjitime dhe të dokumentuar.(faqe 49-50)
- Ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm
Në përputhje me standardet ndërkombëtare, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm për përfshirje në veprimtari kriminale. Ky element është thelbësor për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, e cila është justifikuar me nevojën për hetim të plotë dhe garantimin e një procesi penal të rregullt.
- Respektimi i të drejtave të mbrojtjes
Gjykata theksoi se të palëve duhet t’u jepet mundësia për të kundërshtuar ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e provave gjatë gjykimit penal. Kërkuesi ka mundësinë të kundërshtojë mënyrën e marrjes së provave, çështje që lidhen me përgjimin masiv, të drejtën për mbrojtje dhe përdoshmërinë e transkripteve gjatë gjykimit. . Ky është një element i rëndësishëm që garanton një proces të drejtë dhe respekton parimin e barazisë së armëve mes akuzës dhe mbrojtjes.
- Përdorimi i provave të huaja si standard i pranuar në drejtësinë ndërkombëtare
Vendimi konfirmon se provat e mbledhura nga autoritetet e huaja, ndoshta edhe në aplikacionet e tjera, kur janë siguruar në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare, mund të përdoren nga gjykatat shqiptare. Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndjekjen penale të krimit të organizuar. Kjo në asnjë rast nuk do të nënkuptojë (pa) fajësinë pasi duhet të lidhet me elemente te tjerë.
* Paralelizmi me vendimet e ECJ dhe ECHR
- E drejta për mbrojtjen e privatësisë dhe proporcionaliteti
Në rastet e shqyrtuara nga ECHR, siç është “Big Brother Watch v. UK”, është theksuar se ndërhyrja në privatësi është e lejueshme nëse është proporcionale, e parashikueshme dhe ka si qëllim të ligjshëm sigurinë publike dhe luftën kundër krimit të organizuar. Gjykata Kushtetuese shqiptare ka ndjekur të njëjtin standard duke lejuar përdorimin e provave të Sky ECC si një mjet i ligjshëm për zbardhjen e veprimtarisë kriminale.
- Përdorimi i provave të mbledhura nga shtete të tjera
ECJ, në vendimin “Minister for Justice and Equality v. LM”, ka theksuar se provat e siguruara nga një shtet tjetër mund të përdoren në një proces penal nëse janë marrë në përputhje me ligjin dhe të drejtat themelore. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare është në të njëjtën linjë, duke konfirmuar se provat nga Sky ECC janë të vlefshme dhe të përdorshme në proceset gjyqësore në Shqipëri.
- Nevoja për hetim efektiv të krimeve të rënda
ECHR, në rastin “M.K. v. France”, ka vendosur se shtetet kanë një detyrim pozitiv për të garantuar një hetim efektiv të krimeve të rënda. Gjykata Kushtetuese shqiptare ka ndjekur të njëjtin parim duke lejuar përdorimin e provave që ndihmojnë në hetimin e krimeve të rënda dhe në sigurimin e drejtësisë.
* Përfundime
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap i guximshëm dhe i rëndësishëm për drejtësinë shqiptare në luftën me krimin e organizuar dhe kontratën e politikës me krimin. Ai konfirmon qasjen efektive që duhet të ndjekim në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda. Në një epokë ku grupet kriminale përdorin teknologji të avancuar për të shmangur përgjegjësinë ligjore, organet e drejtësisë nuk mund të mbeten pas.
Ky vendim forcon shtetin e së drejtës, garanton një drejtësi më efektive dhe vendos një precedent të rëndësishëm për përdorimin e provave të siguruara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe synon të zbardhë lidhjet e politikës me krimin e organizuar.