Wed, Feb 19, 2025

Macron uron Pavarësinë e Kosovës: Do vijojmë të mbështesim stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të vendit

  • PublishedFebruary 16, 2025

Macron uron Pavarësinë e Kosovës: Do vijojmë të mbështesim stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të vendit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar Presidenten Vjosa Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Macron, ka rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës, ndërsa ka siguruar se ata do jetë jenë një nga aleatët më të përkushtuar.

“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar në urimin e tij, Presidenti Macron. “Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e Macron.

Ai ka siguruar vijimin e bashkëpunimit të dy vendeve, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.

“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet në urim.

Urimi i plotë

Zonja Presidente, e dashur Vjosa

Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia dhe t’ju ritheksoj gjithë përkushtimin që Franca ka për pavarësinë e Kosovës.

Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë.

Në këtë drejtim, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një Përfaqësuesi të ri special të Bashkimit evropian duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shpresoj gjithashtu që dy vendet tona, të lidhura me vlerat e Olimpizmit, të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë. Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë.

Së fundi, dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë e rihapjes së Notre-Dame de Paris, për të cilën ju jam mirënjohës.

Ju lutem pranoni, zonja Presidente, konsideratën time më të lartë.

Përzemërsisht,

Emmanuel MACRON

480172713_662186326470026_4984070924439027972_n (1)