Arian Galdini: Heshtja e 11 Majit dhe thirrja e 12 Majit: Kur e vërteta largohet nga Teatri i Mashtrimit!
Nga Arian Galdini
“Më mirë të rrish i vetëm në dritë, sesa të bëhesh pjesë e turmës në errësirë.”
— Aleksandër Moisiu
Ka momente në histori kur betejat nuk fitohen me sulm, por me tërheqje të vetëdijshme.
Ka kohëra kur prania nuk është forcë, por mungesa është një mesazh më i fortë se çdo fjalim.
Ka beteja që nuk duhen luftuar, sepse fusha e betejës është një kurth i ngritur nga armiku.
Ne nuk do të hyjmë në zgjedhjet e 11 majit.
As si parti.
As me kandidat të pavarur.
Ne e pranojmë këtë humbje.
Ne e pranojmë këtë tërheqje.
Por ne nuk jemi mposhtur.
Ne po largohemi, sepse kjo nuk është një betejë për të vërtetën.
Kjo është një lojë e manipuluar.
Një skenar i shkruar nga pushteti.
Një mashtrim i madh ku shqiptarët janë ftuar të luajnë rolin e spektatorëve dhe viktimave.
Ne e kemi thënë të vërtetën tonë.
Ne i kemi paralajmëruar shqiptarët për Mashtrimin e Madh të 11 majit.
Dhe tani le të ndodhë historia.
Le të ndodhë ky mashtrim.
Le të bëhet ky gabim fatal.
Ne nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër.
Ne nuk do të marrim pjesë në një farsë.
Pse nuk mund të hyjmë në zgjedhjet e 11 majit?
- Sepse Rregjimi na rrethoi dhe na pamundësoi hyrjen në garë.
Që prej 2021-it e sidomos në vitin 2022, ne kemi qenë objektivi kryesor i një lufte të fortë e të sofistikuar balte e gjaku por edhe të një lufte hibride dhe speciale.
Ne nuk u përballëm vetëm me sulme politike apo elektorale.
Ne u përballëm me një strategji të plotë shkatërrimi dhe zëvendësimi.
- Na rrethuan me Omerta të plotë mediatike.
- Na zhdukën nga hapësira publike.
- Na klonuan me Parti të Reja Surrogato.
- Na bllokuan çdo mundësi për të ndërtuar një strukturë zgjedhore.
- Sepse nuk mund të mbledhim firmat mbështetëse.
Sistemi zgjedhor shqiptar nuk është një garë e hapur, por një makineri burokratike e ndërtuar për të ndaluar të vërtetët dhe për të promovuar të rremët.
Ne nuk kemi miliona për të blerë firma.
Ne nuk kemi bizneset e Rregjimit që të na mbushin listat.
Ne nuk kemi makina propagandistike që të manipulojnë njerëzit dhe t’i mbushin me shpresë false.
Në një vend ku frika është më e madhe se guximi, 3500 firma të vërteta janë të pamundura.
- Sepse Teatri i Madh i 11 Majit është një kurth për shqiptarët.
“Një komb që nuk arrin të dallojë të vërtetën nga mashtrimi, është një komb i dënuar të ripërsërisë fatkeqësitë e tij.”
— Sami Frashëri
Rregjimi ia doli t’i terheqë shqiptarët në një iluzion të madh.
Nga njëra anë, partitë e vjetra të mëdha që për dekada kanë shkatërruar Shqipërinë.
Nga ana tjetër, partitë e reja surrogato, të krijuara si imitime të rreme të opozitës së vërtetë.
Ne këtë lojë, ne nuk kemi vend.
Ne nuk jemi pjesë e botës së Partive të Vjetra të Medha.
Ne nuk jemi pjesë e Mikrobotës së Partive të Reja Surrogato.
Ne nuk jemi në treg për t’u shitur, dhe për këtë arsye, ata nuk na lanë asnjë rrugë për të hyrë.
Rregjimi fitoi ndaj nesh këtë herë.
Por nuk fitoi mbi të vërtetën.
Ne largohemi nga zgjedhjet, por jo nga historia.
Ne hapim krahun me qetësi dhe paqe.
Nuk do të bëhemi pjesë e farsës së 11 majit.
Por do të jemi këtu pas 12 majit.
Ne do të jemi dëshmitarët e së vërtetës.
Ne do të jemi zëri që paralajmëron, analizon dhe shpjegon.
12 maji do të na provojë.
Kur të gjitha maskat të bien, kur të gjitha gënjeshtrat të zbulojnë fytyrën e tyre të vërtetë, shqiptarët do të shohin se ne nuk ishim të çmendur, ne nuk ishim të gabuar, ne nuk ishim hileqarë apo me agjendë përfituese meskine.
Ne thjesht treguam të vërtetën që ata nuk ishin gati ta dëgjonin.
Ne nuk jemi partia e zgjedhjeve të ardhshme, ne jemi partia e brezave të ardhshëm.
Opozita le të rrijë e qetë.
Ne nuk do t’u marrim asnjë votë.
Ne nuk do të jemi pengesë për askënd.
Le të kenë fushën e lirë.
Le të fitojnë apo të humbasin pa asnjë shqetësim prej nesh.
Ne nuk jemi në këtë betejë për të marrë diçka.
Ne jemi këtu për të ndërtuar një të ardhme.
Takohemi pas 12 majit
“E vërteta është si një zjarr i shenjtë: mund të fshihet për një kohë, por nuk mund të shuhet përgjithmonë.”
— Winston Churchill
Ne nuk kemi më asgjë për të thënë për 11 majin.
E kemi thënë gjithçka që duhej thënë.
Tani le të ndodhë historia.
Le të ndodhë gabimi.
Le të ndodhë mashtrimi.
Ne do të jemi këtu kur e gjithë kjo të shembet.
Ne do të jemi këtu kur e vërteta të dalë në shesh.
Ne do të jemi këtu kur shqiptarët të kërkojnë një rrugë të re.
Ne nuk largohemi nga kjo betejë.
Ne vetëm hapim krahun për momentin.
Sepse koha flet gjithmonë të vërtetën.
Dhe koha e Zotit gjithmonë vjen.