FOTO/ Barça “rrëmben” kreun, ndaj Rayo-s mjafton Lewandowski, Flick: Ndeshje e vështirë (VIDEO)
Nga “parajsa në ferr”, nga “ferri në parajsë”, pa frikë i tillë mund të konsiderohet ky sezon i Barçës, një sezon me ulje ngritje të forta, por tani ekipi i Hansi Flick rikthehet sërish të festojë. U “arratisën” shpejt në krye, por më pas blaugranët pësuan një “fikje” totale, duke bërë që dy ekipet e Madridit, Reali dhe Atletico ta parakalonin në renditje, por situata ka ndryshuar sërish. Pas suksesit minimal 1-0 përballë Rayo Vallecano-s, Barça rikthehet sërish në krye, në kuotën e 51 pikëve, por aq sa Real Madrid.
Kjo ishte një tjetër sfidë, ku protagonist ishte gjyqtari i takimit, ku fillimisht me ndihmën e sistemit VAR akordoi një penallti në favor të Barcelonës. Nga 11 metra distancë, Robert Lewandowski u tregua i saktë duke kaluar Barçën në avantazh në minutën e 28-të. Tredhëmbëshi ofensivë i Barçës, Raphinha-Lewandowski-Yamal provuan në çdo formë të gjenin edhe golin e dytë, golin e qetësisë, por në asnjë rast nuk ishin të saktë në pasin final duke shpërdoruar shumë në zonë.
As Rayo nuk qëndroi pasiv në këtë transfertë, por provuan në disa raste të ngacmonin portën e Szczesny, madje në frymën e fundit, shpërdoruan një rast të pastër për t’i rrëmbyer një pikë Barcelonës. Në fund, Flick dhe lojtarët festuan me të drejtë për këtë rikthim në krye të La Liga-s.
Shijon këtë fitore trajneri i Barçës, pasi në sytë e tij ky ishte një trepikësh i vuajtur: “Rayo luajti shumë mirë, ishte një ndeshje e vështirë. Patëm shumë raste, por nuk arritëm t’i konkretizonim. Në një ditë si kjo ne jemi të lumtur për tre pikët pasi nuk ishte e lehtë”, theksoi Flick.
“Lider”, apo “Përsëri Lider”, ishin disa nga titujt kryesorë të mediave spanjolle.
()