Kultura, baza e unitetit dhe përparimit kombëtar
NGA ILIR CENOLLARI
1. Rilindja Kombëtare Shqiptare erdhi në radhë të parë si Rilindje Kulturore. Revolucioni kulturor nuk mund të vinte pa personalitete të shquara nga të gjitha fushat e jetës, të tillë si Pashko Vasa, Hasan Tahsimi, Naim, Abdyl e Sami Frashëri, Jani Vreto etj., pa një koncept të rri për kulturën, jetën dhe shoqërinë, pa një lëvizje të fuqishme intelektuale, pa një ideal të lartë moral, kulturor, politik dhe ideologjik. Rilindja Kombëtare Shqiptare prodhoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila pati meritën historike të hartimit të programit kulturor kombëtar.
Çfarë parashikonte ky program ose kjo platformë kulturore? Së pari, një qendër të vetme kombëtare për organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kulturore kombëtare. Së dyti, shpirti ose fuqia lëvizëse e kulturës kombëtare do të jetë ideja e shqiptarizmës, e cila do të mbizotërojë mbi çdo ndjenjë ose ide tjetër, madje kultura do të jetë feja dhe ideologjia udhëheqëse e botës shqiptare. Rilindësit nuk ishin kundër fesë, pasi besimi te Zoti është besim tek e vërteta, drejtësia dhe përjetësia, është burim force, shprese dhe motivimi. Rilindësit nuk pajtoheshin me idenë e identifikimit të kombësisë me përkatësinë fetare, pasi feja është vetëm një nga treguesit e identitetit kombëtar. Së treti, kultura si një tërësi vlerash, dijesh dhe veprimesh, do të përbëjë bazën e unitetin kombëtar. Ajo është fytyra e kombit, shprehësja e identitetit kombëtar dhe garanci për liri, pavarësi dhe përparim. Kultura kapërcen dasitë krahinore, ideologjike, fetare, paragjykimet shekullore, fanatizmin, bestytnitë, idolatrinë dhe shumë të këqija të tjera. Dashuria për atdheun, cila qëndron më lart se çdo vlerë tjetër, përfshirë edhe ato fetare.
Bashkimi kombëtar duhet të ngrihet mbi një themel të palëkundur dhe mbi bindje të përbashkëta. Bashkim i ideve dhe parimeve është më i fortë se bashkimi shteteve. Së katërti, kultura është fuqia që mundëson njohjen e vetvetes, njohjen e thellë të historisë, qytetërimit, kodit moral dhe fetar, karakterit të popullit, temperamentit, zakoneve dhe tipareve kryesore të tij. Karakteri i popullit nuk ndryshon menjëherë, ai kërkon një kohë të gjatë dhe personalitete të fuqishme. Pa një revolucion kulturor, nuk ia arrin dot këtij qëllimi. Si e tillë, kultura shqiptare duhet të jetë e hapur ndaj civilizimit nëpërmjet zhvillimit të arsimit kombëtar, progresit teknik dhe shkencor, emancipimit të shoqërisë, përvetësimit të arritjeve bashkëkohore etj..
Një qytetërim mund të ekzistojë apo të ketë jetëgjatësi vetëm përmes vlerave vetjake të individit, përmes farkëtimit të një identiteti kolektiv të ngritur mbi struktura mendore të qëndrueshme, që kanë si bazë të vetme etikën, vlera që duhen të trashëgohen brez pas brezi. Së pesti, sipas ideologëve të Lidhjes së Prizrenit, kultura nuk është vetëm hapësirë dije e njohurish, por dhe ndërgjegje, armë për liri dhe pavarësi, dinjitet dhe progres kombëtar. Së gjashti, ideologët e Lidhjes së Prizrenit afirmuan madhështinë e racës shqiptare, madhështinë, pasurinë dhe hijeshinë e gjuhës shqipe, qoftë si gjuha amtare, qoftë si gjuhë kulture. Programi kulturor i kësaj lëvizje parashikonte njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, krijimin e arsimit kombëtar në të gjitha nivelet, mbrojtjen e njësisë së kulturës kombëtare nëpërmjet tejkalimit të dasive fetare e krahinore. Së shtati, programi kulturor i Lidhjes së Prizrenit parashikonte rrugët dhe mjetet e përhapjes së kulturës kombëtare. Mjeti i parë dhe më kryesor do të ishte shkolla, e cila do të kishte karakter kombëtar, laik dhe demokratik.
Mjete të tjera do të ishin shtypshkronjat, botimet shkollore, gazetat, revistat, klubet dhe shoqëritë kulturore. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të neutralizoheshin ndikimet e kulturave të huaja, të cilat kishin mbështetje të madhe politike, shtetërore, institucionale, financiare dhe shpirtërore. Në kushtet e atëhershme të botës shqiptare, programi kulturor i Lidhjes së Prizrenit (në mungesë të kulturës akademike dhe filozofike për arsye që dihen), vlerësoi lart kulturën popullore, si shprehje e njësisë shpirtërore kombëtare në shekuj, origjinalitetin, pasuritë dhe autencitetin e saj në raport me kulturat e tjera. Së fundi, ideologët e Lidhjes së Prizrenit patën meritën se krijuan dhe konceptin “kulturë politike”. Sipas tyre, pa kulturë kombëtare nuk mund të ketë dinjitet kombëtar dhe kulturë politike, se nevojitet formulimi i një politike të pavarur kombëtare, e cila në radhë të parë duhet të mbrojë interesat e popullit shqiptar etj.. Lidhja Shqiptare e Prizrenit formoi një plejadë të tërë politikanësh shqiptarë, të cilët luajtën një rol të madh në çështjen shqiptare.
2. Programin kulturor të Rilindjes dhe Lidhjes së Prizrenit e pasuruan më tej intelektualët shqiptarë të viteve ‘30. Në këtë shkrim po mjaftohemi me pikëpamjet e Branko Merxhanit, si një nga majat e këtij brezi të shkëlqyer mendimtarësh shqiptarë. Kultura është krijuesja e qytetërimit, e vlerave të vërteta, emancipuesja e njeriut, shoqërisë dhe kombit. Ç’është kultura? Të gjithë njerëzit kanë një ide të vetën për kulturën, një ide konkrete, të thjeshtë, që më së shumti ngatërrohet me edukatën, me politesën. Për ta gjithçka është kulturë, domethënë edukatë, mënyrë sjelljeje, të jetuari, të vepruari, të punuari, të foluri etj.. Kultura është ndërgjegjja, kultura na jep përse-në, na jep qëllimin, idealin, kultura e një kombi është jeta shpirtërore e tij. Çdo shoqëri shfaq dy vullnete sociale: vullnetin kulturor dhe vullnetin politik. Kultura përmbledh të gjitha përpjekjet teorike, shpirtërore ose materialiste të një shoqërie. Puna e kulturës është në parim punë mendimi, që ecën kryesisht drejt zbulimit të së vërtetës. Roli i njeriut të kulturës kufizohet në gjurmimin dhe përhapjen e së vërtetës.
Filozofia krijon tendencat intelektuale, letërsia rrymat sentimentale të popullit, të dyja bashkohen në zemrat e njerëzve. Qytetërimi është mendja, shkenca, ajo që na tregon “si-në”, që na jep një mënyrë logjike jete, na dëfton mjetet, rrugët. Për të formuar një kulturë ose ideologji nuk mjafton vetëm logjika, nuk mjafton vetëm vullneti politik. Politika në parim është udha që të shpie në pushtet, në fuqi, në sundim, në imponim; kjo s’do të thotë se politika s’ka moral, se politika s’ka qëllim, se politika s’ka dobi. Politika është e lidhur me interesa, ushqehet nga interesa, mbahet gjallë me interesa, të një grupimi të caktuar, të një shtrese të caktuar, të një vendi të caktuar. Kultura e vërtetë ka detyrë të shenjtë ta bëjë njeriun modest, tolerant, të shoqërueshëm, simpatizonjës të sinqertë të njeriut që ka qëllime të mbara e të shëndetshme.
Çfarë kërkohet? Kërkohet bashkimi i natyrave të ndershme e me ndjenja, që rrojnë për një ideal, për krijimin e një klase vepronjëse për lartësimin moral e kulturor të shoqërisë; kjo klasë të veprojë në mënyrë të tillë që populli t’i nderojë qeveritarët e të zbatojë porositë e tyre jo nga frika, por nga bindja, kjo klasë të zgjidhë një tok problemesh të shoqërisë sonë. Të kuptuarit dhe të ndjerit janë dy gjëra krejt të veçanta. Një njeri që arsyeton mirë nuk do të thotë se edhe ndjen. Njerëzit me ndjenja janë fare pak e kjo është fatkeqësi. Pa entuziazëm e energji s’arrihet gjëkundi.
/Gazeta Panorama