Tue, Feb 18, 2025

Nuk do të jetë më pjesë e garës në primare, anëtari i kryesisë së PD: S’është tërheqje, por angazhim i ri! Rrotacioni politik, domosdoshmëri për Shqipërinë

  • PublishedFebruary 18, 2025

Nuk do të jetë më pjesë e garës në primare, anëtari i kryesisë së PD: S’është tërheqje, por angazhim i ri! Rrotacioni politik, domosdoshmëri për Shqipërinë

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Indrit Hoxha ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e garës në primaret për kandidat për deputet.

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ai thotë se kjo nuk është një tërheqje, por angazhim i ri për të forcuar dhe mbështetur Partinë Demokratike.

Hoxha thekson se sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë.

“Të nderuar anëtarë, mbështetës dhe demokratë të palëkundur,

Pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet. Ky nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores.

Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Pas viteve të një keqqeverisjeje të lodhshme dhe të korruptuar, është koha për një rotacion politik që do t’u rikthejë shqiptarëve shpresën dhe besimin tek institucionet. Ky ndryshim nuk do të vijë vetë – ai kërkon sakrificë, përkushtim dhe angazhim nga çdo demokrat dhe çdo qytetar që e do këtë vend”, shkrua ai.

Po ashtu Hoxha bën thirrje që të mos qëndrojnë me pasiv, pasi është detyra e cdo demokrati që të bëjë cdo gjë për të sjëllë ndryushimin.

Rotacioni politik nuk është thjesht një mundësi -thotë ai- por është një domosdoshmëri për Shqipërinë.

“Nuk ka më vend për qëndrime pasive. Është detyra jonë që me vullnet dhe vendosmëri të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë ndryshimin. Çdo përpjekje, çdo angazhim, çdo sakrificë është një hap drejt një Shqipërie të lirë nga korrupsioni dhe padrejtësitë.

Unë mbetem i përkushtuar, krah jush, në këtë rrugëtim. Ftoj çdo demokrat të ngrihet, të angazhohet dhe të japë kontributin e tij për triumfin e Partisë Demokratike dhe për një të ardhme më të ndritur për vendin tonë.

Koha për ndryshim është tani. Rotacioni politik nuk është thjesht një mundësi – është një domosdoshmëri për Shqipërinë.

Përpara për fitoren e Partisë Demokratike! Përpara për të ardhmen e Shqipërisë”, mbyll postimin Indrit Hoxha.