Sun, Feb 23, 2025

Partizani në krizë, viti 2025 nis me numra mbijetese. Afrimet nuk u ngjajnë largimeve

  • PublishedFebruary 18, 2025

Partizani në krizë, viti 2025 nis me numra mbijetese. Afrimet nuk u ngjajnë largimeve

Ky Partizan nuk ka lidhje me atë të vitit 2024, kur fitoi Superkupën, shkoi në finale për titullin kampion dhe kaloi tur në Europë.

Ky i 2025-ës është shndërruar në një ekip që mund ta mposhtë kushdo. E pamë kundër Egnatias, kur skuadra u duk qartë se është inferiore ndaj kryesuesve, që, pa u imponuar shumë, arritën të menaxhojnë golin e “dhuruar” nga Domgjoni. Të kuqtë po vuajnë në disa aspekte.

KRIZË REZULTATESH – Në vitin 2025 Partizani ka luajtur gjashtë ndeshje në Superiore dhe ka grumbulluar vetëm 7 pikë, çka ka bërë që nga vendi i parë, të rrëshqasin në të katërtin. Nëse do të ndërtonim një renditje të Superiores për këtë vit, skuadra e kuqe do të ishte në vendin e gjashtë, duke u parakaluar nga Laçi dhe Tirana. Duket se pikët e grumbulluara në pjesën e parë të sezonit po i mbajnë “demat” në lojë, pasi ky vit i ri nuk ka nisur aspak mirë për ta. Ndryshe ndodh me rivalët e Egnatias, që kanë ecuri perfekte, por edhe me Vllazninë, që ka grumbulluar 13 pikë. Në të njëjtin ngërç si të kuqtë duket se është edhe Dinamo, që ka grumbulluar po 7 pikë.

KRIZË LOJE – Ka skuadra që në një moment të sezonit pësojnë një ngërç në rezultate, i cili në shumicën e rasteve kalon, por te Partizani përveç pikëve, nuk premton as loja. Skuadra e kuqe është shndërruar në një ekip që luan “shëmtuar”. Skuadra rreshtohet me 4 qendërmbrojtës, çka nuk ndihmon në fazën ofensive, teksa mesfusha nuk është aspak krijuese. Gjithashtu, sulmi nuk po arrin ta bëjë mirë punën e vet. Lojtarët e këtij reparti janë shumë të shkëputur me pjesën tjetër të skuadrës dhe vuajnë për të gjetur rrugëdalje. I vetmi që po përpiqet duket se është Bintsuka, por nuk mjafton.

LARGIMET DHE AFRIMET – Nga sa kemi parë deri më tani, duket qartë se afrimet nuk përputhen me cilësinë e lojtarëve të larguar. Nuk kemi parë asgjë të veçantë nga lojtarët e aktivizuar, përveçse paraqitje të vakëta dhe pa impakt në lojë. Sigurisht, është herët për t’i vënë vulën nëse janë bërë apo jo afrimet e duhura, por shprehja “dita e mirë duket që në mëngjes” zë vend edhe në futboll.

DEKLARATAT E TRAJNERIT – Për ta rënduar akoma më shumë situatën, mendon trajneri Veselinoviç, që duket sikur kërkon të na mbushë mendjen se Partizani është një klub që kënaqet me një “qerre” me barazime dhe me faktin që ka pësuar vetëm 2 humbje në 5 muaj e gjysmë. Këto argumente shumë të dobëta të trajnerit tregojnë qartë se te Partizani nuk ka sinjale serioze se ky sezon mund të mbyllet me suksese të mëdha. Në fakt as vetë trajneri nuk e thotë dot me gojën e tij se ka një ekip të denjë për titullin.

RAPORTI ME RIVALËT – Në situatën aktuale edhe katërshja duket se është ndarë në dy grupe. Kemi Egnatian dhe Vllazninë, që nuk po falin askënd dhe po përparojnë me hapa të shpejtë dhe Partizanin e Dinamon, që vijojnë rrugëtimin e tyre me ngecje, pa arritur të kenë hapin e dy të parave. Për momentin, duket se Egnatia është ekipi për t’u mundur, por titulli vendoset pas dy muajsh dhe deri atëherë mund të ndodhë gjithçka.GO


AlbaniaWeb.net