Fri, Apr 18, 2025

Vota e Diasporës!

  • PublishedFebruary 18, 2025

Vota e Diasporës!

 E drejta e votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit është një çështje komplekse dhe e diskutuar gjerësisht në shkencat politike dhe juridike.

Ndërsa shumë vende e kanë përqafuar këtë praktikë, të tjera ende debatojnë mbi përfitimet dhe sfidat që ajo sjell

Do të përpiqemi këtu të shqyrtojmë praktikat evropiane dhe më gjerë lidhur me votën e diasporës, do të krahasojmë përqindjet e pjesëmarrjes në votime nga diaspora në vende të ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë, si dhe do të analizojmë debatet kryesore teorike dhe praktike mbi këtë çështje.

 E në fund, do të fokusohemi në rastin e Shqipërisë, e cila për herë të parë po lejon diasporën të votojë në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Praktikat evropiane dhe ndërkombëtare të Votës së Diasporës.

 Në Evropë, shumica e vendeve u lejojnë qytetarëve të tyre që jetojnë jashtë të votojnë në zgjedhje kombëtare.

 Sipas një studimi të Këshillit të Evropës (2011), 41 nga 47 vendet anëtare ofrojnë mundësinë e votimit për diasporën.

 Metodat e votimit variojnë, duke përfshirë votimin me postë, votimin elektronik dhe votimin në përfaqësitë diplomatike.

 Në Francë, qytetarët jashtë vendit mund të votojnë në ambasada dhe konsullata, ndërsa në Itali, votimi me postë është metoda e preferuar.

Në Gjermani, megjithëse votimi nga jashtë është i lejuar, kërkesat për regjistrim janë mjaft strikte, gjë që mund të kufizojë pjesëmarrjen.

Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje varion ndjeshëm midis vendeve, shpesh për shkak të ndryshimeve në legjislacion, lehtësisë së procesit të votimit dhe angazhimit të komuniteteve jashtë vendit.

 Në Kosovë, për shembull, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, nga 104,924 votues të regjistruar në diasporë, 80.1% morën pjesë në votim.

 Kjo përfshinte 15,352 vota në përfaqësitë diplomatike dhe 68,712 vota me postë .

 Në Maqedoninë e Veriut, megjithëse ekziston mundësia për votimin e diasporës, pjesëmarrja ka qenë historikisht e ulët.

 Një nga arsyet kryesore është mungesa e informimit dhe afatet e shkurtra për regjistrim, që kanë bërë që shumë qytetarë të mos jenë në dijeni të mundësisë për të votuar .

 Në Shqipëri, përqindja e lartë e emigracionit (rreth 48% e popullsisë) e bën çështjen e votës së diasporës veçanërisht të rëndësishme.

 Në nivel praktik, përqindjet e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje variojnë ndjeshëm nga vendi në vend.

Faktorët kryesorë që ndikojnë përfshijnë:

1. Lehtësinë e procesit të votimit – Në disa vende, vota e diasporës është e thjeshtë dhe e qasshme, ndërsa në të tjera ka procedura komplekse që dekurajojnë pjesëmarrjen.

2. Niveli i angazhimit politik të diasporës – Në disa shtete, diaspora është shumë aktive politikisht, ndërsa në vende të tjera ajo është indiferente ose e fragmentuar.

3. Besimi në procesin zgjedhor – Në vende me histori të manipulimit të zgjedhjeve, shumë votues të diasporës nuk i besojnë sistemit dhe zgjedhin të mos votojnë.

 Debatet teorike dhe praktike mbi Votën e Diasporës.

Debati mbi votën e diasporës përfshin argumente pro dhe kundër, të cilat reflektojnë shqetësime teorike dhe praktike.

1. E Drejta Demokratike Universale: Çdo shtetas duhet të ketë të drejtën të ndikojë në qeverisjen e vendit të tij, pavarësisht vendbanimit aktual.

2. Angazhimi dhe Lidhja me Atdheun: Votimi mund të forcojë lidhjet e diasporës me vendin e origjinës dhe të inkurajojë pjesëmarrjen në çështjet kombëtare.

3. Kontributi Ekonomik dhe Social: Diaspora shpesh kontribuon ndjeshëm në ekonominë e vendit përmes remitancave dhe investimeve; prandaj, ata duhet të kenë një zë në politikën e vendit.

1. Mungesa e Njohurive mbi Realitetin Aktual: Qytetarët që jetojnë për një kohë të gjatë jashtë mund të mos jenë të informuar mjaftueshëm mbi situatën aktuale politike dhe sociale në vend.

2. Rreziku i Manipulimit të Votës: Procesi i votimit nga jashtë mund të jetë i ndjeshëm ndaj manipulimeve dhe parregullsive, veçanërisht nëse nuk ka mekanizma të fortë mbikëqyrjeje.

3. Barazia e Votës: Disa argumentojnë se ata që nuk preken drejtpërdrejt nga politikat e vendit nuk duhet të kenë të njëjtën peshë vote si rezidentët.

Debati mbi votën e diasporës ka rrënjë të thella në teorinë e demokracisë dhe të drejtave politike. Në literaturën akademike, kjo çështje trajtohet në disa dimensione kryesore:

• Sovraniteti Popullor vs. Përfaqësimi Transnacional

• John Stuart Mill ([1861] 1991) argumentonte se demokracia bazohet në parimin e qeverisjes nga ata që preken drejtpërdrejt nga vendimet e saj.

Në këtë kuptim, një pjesë e akademikëve argumentojnë se vota e diasporës krijon një tension mes të drejtës për përfaqësim dhe faktit që shumë votues të diasporës nuk janë më pjesë e drejtpërdrejtë e shoqërisë politike të vendit të tyre të origjinës.

• Nga ana tjetër, teoricienë si Robert Dahl (1989) mbështesin idenë se të gjithë qytetarët kanë të drejtën e votës, pavarësisht vendbanimit, pasi shtetësia mbart një lidhje të përhershme me kombin dhe politikën e tij.

• Barazia Politike dhe Dilema e Përfaqësimit

• Në një perspektivë më pragmatike, David Held (2006) shtron pyetjen nëse vota e diasporës rrezikon të krijojë një disbalancë të barazisë politike.

Në shumë raste, komunitetet e diasporës kanë mundësi më të mëdha për të ndikuar në politikë sesa qytetarët brenda vendit, për shkak të burimeve të tyre financiare dhe rrjeteve ndërkombëtare.

• Për më tepër, në disa raste, diaspora mund të jetë e ndikuar nga narrativat dhe politikat e vendeve ku jeton, duke sjellë një tension midis interesave të vendit të tyre të origjinës dhe realiteteve të reja ku janë integruar (Collyer, 2014).

Shembuj ndërkombëtarë të debatit mbi Votën e Diasporës.

Në Shtetet e Bashkuara, votimi nga jashtë është i lejuar për shtetasit amerikanë, por pjesëmarrja është relativisht e ulët, shpesh për shkak të procedurave komplekse dhe mungesës së informimit.

Vota e Diasporës në Mbretërinë e Bashkuar dhe Debati mbi Kufizimet e Kohëzgjatjes së Mërgimit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, qytetarët britanikë që kanë jetuar jashtë për më shumë se 15 vjet më parë ishin të përjashtuar nga e drejta për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

Ky kufizim është një shembull klasik i tensionit midis parimeve të përfaqësimit demokratik dhe barazisë së votës, çështje që janë të pranishme në shumë vende me diaspora të mëdha dhe të shpërndara.

 A justifikohet kufizimi i votës për Diasporën me kohëzgjatjen e largimit?

Ky kufizim është mbështetur në disa argumente kyçe:

1. Lidhja me Politikën e Brendshme:

• Një argument qendror është se qytetarët që kanë jetuar jashtë për një kohë të gjatë nuk preken më drejtpërdrejt nga politikat e vendit dhe, për këtë arsye, vota e tyre mund të mos pasqyrojë realitetin dhe nevojat e qytetarëve që jetojnë në vend.

• Ky argument mbështetet në teorinë e përfaqësimit të bazuar në vendbanim (Bauböck, 2009), e cila sugjeron se vota duhet të jetë e lidhur me qytetarët që ndajnë të njëjtin sistem politik, taksa dhe shërbime publike.

2. Parimi i “Një njeri, një votë” dhe Barazia Politike:

• Nëse një qytetar që ka jetuar jashtë për dekada ka të njëjtën të drejtë vote me një qytetar që paguan taksa, përdor shërbime publike dhe është pjesë e shoqërisë politike aktive, atëherë krijohet një dilemë e barazisë së votës.

• Ky debat është veçanërisht i rëndësishëm në vendet me diasporë të madhe, ku një numër i madh votash nga jashtë mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, pa ndikuar drejtpërdrejt në jetën e votuesve në vend.

3. Rreziku i Manipulimit të Votës:

• Në disa raste, vota e diasporës është përdorur si një mekanizëm manipulimi nga partitë politike që kanë ndërtuar rrjete klienteliste jashtë vendit.

• Në disa vende, është raportuar që qeveritë kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e votimit për diasporën përmes influencës diplomatike ose mekanizmave burokratikë (Østergaard-Nielsen, 2003).

Reforma në Mbretërinë e Bashkuar: Heqja e kufizimit 15-Vjeçar.

Në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar miratoi ligjin e ri zgjedhor, i cili hoqi kufizimin e 15 viteve për votuesit jashtë vendit.

Kjo reformë u argumentua mbi bazën e të drejtave të barabarta për shtetasit britanikë, pavarësisht vendbanimit.

• Argumenti kryesor për reformën ishte se shtetësia nuk duhet të jetë një e drejtë me afat skadimi.

• Diaspora britanike kontribuon ekonomikisht dhe kulturorisht në vend, dhe për këtë arsye, duhet të ruajë të drejtën e saj për përfaqësim politik.

 Megjithatë, disa kritikë paralajmëruan se ky ndryshim mund të rrisë ndikimin e një popullsie votuese që nuk është e lidhur drejtpërdrejt me politikën e përditshme në Mbretërinë e Bashkuar.

 Rasti shqiptar: Zhgënjimi nga Diaspora.

Shqipëria po lejon për herë të parë votën e diasporës në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Kjo pritej të ishte një mundësi historike për diasporën shqiptare, e cila për dekada ka qenë një aktor kyç ekonomik përmes remitancave, por e përjashtuar nga proceset politike të vendit.

Por realiteti i parë është zhgënjyes.

Në vend që diaspora të ishte një zë i pavarur dhe reformues, ajo është shfaqur si një “diasporë mitingashe” – e ndarë mes partive të vjetra dhe partive të reja surrogato të sponsorizuara nga regjimi.

“Gjeta një jetë të re, por mora me vete mendësinë e vjetër”

• Shumë shqiptarë kanë emigruar për një jetë më të mirë, por nuk janë shkëputur nga mentaliteti politik i Tiranës.

 Ata e jetojnë politikën shqiptare si tifozeri, pa një analizë të thellë të sfidave dhe alternativave reale.

 • Në terma sociologjikë, kjo përkon me konceptin e “nostalgjisë së deformuar” – një lloj lidhjeje emocionale me politikën e vjetër që nuk lejon ndërtimin e një vizioni të ri politik (Boym, 2001).

Lobi i fuqishëm i partive të vjetra dhe partive të reja surrogato.

• Diaspora është targetuar intensivisht nga strukturat e regjimit, duke u shndërruar në një terren të ri për betejën e partive tradicionale dhe grupimeve të reja të sponsorizuara nga krimi i organizuar.

• Ky është një shembull i “kapjes së diasporës” – një fenomen i njohur në literaturën politike, ku grupet e interesit përdorin mjetet ekonomike dhe kulturore për të ruajtur ndikimin e tyre në komunitetet emigrante (Østergaard-Nielsen, 2003).

Nëse duam që diaspora shqiptare të jetë një forcë për ndryshim dhe jo një mekanizëm riprodhimi i skuthokracisë politike, duhen ndërmarrë disa hapa:

1. Edukimi politik i diasporës – Të krijohen platforma të pavarura për informimin dhe debatin politik që të ndihmojnë diasporën të zhvillojë një vizion të pavarur politik.

2. Mekanizma të fortë për mbikëqyrjen e votës – Të sigurohet që vota e diasporës nuk manipulohet nga struktura politike dhe kriminale.

3. Nxitja e angazhimit të diasporës përtej mitingjeve – Diaspora duhet të jetë pjesë e debatit politik jo vetëm përmes votës, por edhe përmes kontributit të drejtpërdrejtë në reforma.

Për herë të parë, shqiptarët jashtë vendit kanë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin politik të Shqipërisë.

Por a do ta shfrytëzojnë ata këtë mundësi për të sjellë ndryshim, apo do të bien në të njëjtat kurthe të militantizmit dhe manipulimit politik?

Nëse diaspora shqiptare mbetet thjesht një “tifozeri” e partive të vjetra dhe partive të reja surrogato, atëherë vota e saj do të jetë thjesht një tjetër mekanizëm për mbajtjen gjallë të një regjimi skuthokratik.

Por nëse ajo zgjedh të distancohet nga kjo logjikë dhe të veprojë si një forcë e pavarur dhe reformuese, atëherë më në fund mund të bëhet faktori që sjell ndryshimin e vërtetë.

Në dallim nga modeli britanik, në Shqipëri nuk ka një kufizim kohor për të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë.

Megjithatë, problemi që ka dalë në pah nuk është mungesa e të drejtës për të votuar, por mënyra se si diaspora shqiptare po e përdor këtë të drejtë.

Duket se, në vend që të jetë një forcë reformuese, një pjesë e madhe e diasporës shqiptare është shndërruar në një diasporë mitingashe, e ndikuar nga të njëjtat forca politike që dominuan Shqipërinë dhe që detyruan emigracionin masiv në dekadat e fundit.

Në vend që të angazhohet për një ndryshim të vërtetë politik, një pjesë e madhe e diasporës shqiptare po vepron si një “klientelë e re” e partive të vjetra dhe partive të reja surrogato të sponsorizuara nga regjimi.

• Mitingjet në diasporë për politikanët e Shqipërisë janë më entuziaste se ato në Shqipëri.

• Përse diaspora mirëpret me entuziazëm të njëjtët politikanë që e shtynë në emigrim?

• A është diaspora shqiptare një faktor i vërtetë për ndryshim, apo një zgjerim i realitetit të korruptuar të politikës shqiptare në nivel ndërkombëtar?

Në teori, vota e diasporës duhet të ishte e pavarur dhe e bazuar në analizë objektive.

Megjithatë, ajo është e ekspozuar ndaj disa formave të manipulimit:

• Presioni dhe ndikimi politik i ambasadave dhe konsullatave – Ka pasur raste kur përfaqësues të qeverisë kanë organizuar mobilizimin e diasporës në favor të partive të caktuara.

• Përdorimi i strukturave fetare, kulturore dhe shoqatave si vegla politike – Diaspora shqiptare shpesh është e organizuar përmes rrjeteve të ngushta komunitare, të cilat janë targetuar nga partitë politike për të influencuar votën.

Ndryshe nga diaspora e vendeve si Kosova apo Kroacia, diaspora shqiptare nuk po shfaq një axhendë të qartë për reformën e vendit.

Në vend të kësaj, ajo është bërë pjesë e “tifozerisë” politike.

• Pse nuk kërkon diaspora një reformë të vërtetë të sistemit politik shqiptar?

• Pse diaspora nuk ka një strategji për të ndikuar në politikat që lidhen me emigrantët dhe të drejtat e tyre?

• A është kjo për shkak të një lidhjeje emocionale me politikën e vjetër, apo për shkak të mungesës së vetëdijes për fuqinë e saj reale?

Në teori, vota e diasporës është një mjet i fuqishëm për demokratizimin e një vendi.

 Pasi ajo mund të ndihmojë në:

-Rritjen e konkurrencës politike

-Nxitjen e reformave dhe përmirësimin e transparencës

-Forcimin e lidhjeve mes shtetit dhe qytetarëve jashtë vendit

Por nëse diaspora nuk arrin të distancohet nga politika klienteliste dhe nuk shfrytëzon votën e saj si një mjet për ndryshim real, atëherë ajo nuk është një faktor reformues, por thjesht një mekanizëm i ri për ruajtjen e status quo-së.

A do të jetë diaspora shqiptare një forcë për ndryshim apo një pjesë e sistemit të vjetër të kapjes së shtetit?

Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Megjithatë, në rastin shqiptar, ekziston një rrezik serioz që kjo votë të mos funksionojë si një instrument për reformë, por si një mjet për manipulim elektoral dhe riprodhim të modelit të kapur politik të Tiranës edhe në diasporë.

Në shumë vende jashtë Shqipërie, ku shqiptarët janë të shumtë në numër, janë krijuar geto politike sipas partive e parive të Tiranës, ku partitë e mëdha dhe partitë e reja surrogato dominojnë diskursin publik dhe organizojnë struktura të mbështetjes jashtë vendit.

 Kjo ka bërë që Diaspora të shndërrohet si zgjatim i militantizmit të partive të vjetra dhe partive të reja surrogato të regjimit.

• Në vend që të analizojë realitetin politik shqiptar me një sy kritik, diaspora shpesh riprodhon të njëjtat narracione të ndara partiake që dominojnë në Shqipëri.

• Shumë grupe shqiptare në diasporë funksionojnë si degë të partive të vjetra, duke organizuar mitingje dhe tubime në mbështetje të liderëve politikë shqiptarë

• Kjo ndodh për shkak të mekanizmave të kontrollit të klientelizmit dhe mungesës së një kulture të re politike në diasporë.

• Ndryshe nga diaspora e Kosovës, e cila ka kërkuar dhe ka ndikuar fuqishëm në çështjet kombëtare dhe institucionale të vendit, diaspora shqiptare nuk ka një axhendë të qartë për reformën politike, ekonomike apo institucionale të Shqipërisë.

• Ajo nuk po përdor fuqinë e saj për të imponuar një model të ri politik, por thjesht po ndjek dhe po riprodhon lojën politike që dominon Shqipërinë.

• Ku janë kërkesat e diasporës për ndryshime ligjore? Për ekonomi të hapur? Për reforma në administratë, institucione, ligje të drejta, etj?

Nuk ka.

Në teori, Vota e Diasporës, mund të jetë një mjet i rëndësishëm për të siguruar përfshirjen e diasporës në proceset zgjedhore për ti dhënë asaj fuqi në fatet e Shqipërisë.

Por në praktikë, Vota e Diasporës e sidomos votimi me postë është një ndër format më të manipulueshme të votës.

Mekanizmat e votimit me postë mund të çojnë në manipulime të rënda, të cilat mund të ndodhin në mënyrat e mëposhtme:

1. Votimi Kolektiv dhe Klientelist.

• Votimi nuk do të ndodhë në mënyrë të fshehtë dhe të pavarur. Ai do të ndodhë në restorante, në grupe, në familje, në rrethe biznesi, nën presionin e punëdhënësve ose figurave të tjera të autoritetit.

• Kamarierët, punëtorët e ndërtimit dhe emigrantët në punë sezonale do të votohen nga pronarët e restoranteve, firmave dhe bizneseve ku punojnë.

2. Votimi i Koordinuar dhe Kontrolluar nga Struktura Politike.

• Disa biznese të mëdha të shqiptarëve në Greqi, Itali, Britani dhe Gjermani, SHBA, Kanada, etj do të ndjekin një linjë të organizuar politike për të mbledhur vota.

• Do të krijohen grupe WhatsApp-i, ku do të koordinohet votimi i anëtarëve të komunitetit.

3. Votimi i Mbushur nga Kryefamiljarët dhe Strukturat Klanore.

 • Një numër i madh votash nuk do të hidhen nga individët, por nga një përfaqësues i familjes, biznesit apo grupit shoqëror.

• Nëse në një familje psh, janë 5 votues, do të jetë kryefamiljari ai që do të votojë për të gjithë dhe do t’i dërgojë fletët e votimit me postë.

• Në disa raste, partitë politike do të mund të blejnë fletë votimi nga emigrantët që nuk kanë interes të votojnë.

 4. Rreziku i Transparencës dhe Manipulimit të Rezultateve.

• A e dini se dy muaj para zgjedhjeve, më 11 mars, do të dihet rezultati i votës së diasporës?

• Nëse PS do të ketë informacion mbi votuesit e regjistruar, atëherë do të ketë edhe hapësira të mëdha për ndërhyrje dhe manipulim.

• Vota e postës është një ndër mjetet më të lehta për të ndryshuar rezultatin zgjedhor, sepse ajo nuk ka monitorim të drejtpërdrejtë dhe mund të manipulohet lehtësisht nga strukturat që e kontrollojnë procesin.

Shumë nga ata që kërkuan votimin e diasporës e panë këtë si një shans për të thyer kontrollin e regjimit në Shqipëri dhe për të futur një energji të re elektorale.

Por çfarë ndodhi në realitet?

 • Diaspora shqiptare nuk është një masë homogjene e pavarur politikisht.

• Ajo është ndarë saktësisht sipas linjave të vjetra politike të Shqipërisë, duke e bërë të pavlefshëm çdo efekt reformues që mund të kishte vota e saj.

• Në vend që diaspora të ishte një balancë kundër regjimit, ajo po shndërrohet në një amplifikues të tij, një mjet për të mbajtur gjallë modelin e vjetër politik të militantizmit dhe klientelizmit.

Nëse nuk duam që vota e diasporës të shndërrohet në një mjet për manipulim dhe mbështetje të status quo-së, atëherë duhet të vendosen disa kritere të rrepta për votimin:

-Votimi duhet të ndodhë në ambiente të monitoruara dhe nën kontroll të pavarur – Ambasadat dhe konsullatat janë opsioni më i sigurt për të parandaluar votimin kolektiv dhe klientelist.

-Diaspora duhet të distancohet nga militantizmi politik dhe të kërkojë platforma konkrete për reformën – Nëse vazhdon të jetë një geto e partive të vjetra dhe partive të reja surrogato, atëherë ajo nuk do të ketë asnjë vlerë demokratike.

-Duhet të vendosen mekanizma të qartë për verifikimin e votës dhe parandalimin e manipulimeve – Nëse nuk ka transparencë, vota e diasporës nuk do të sjellë asgjë tjetër veçse një deformim të mëtejshëm të demokracisë shqiptare.

Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Nëse diaspora vazhdon të mbetet një klientelë e partive të vjetra dhe partive të reja surrogato të regjimit, atëherë vota e saj nuk do të jetë një shpresë për ndryshim, por një tjetër mekanizëm për mbajtjen gjallë të sistemit të vjetër të skuthokracisë politike.

Kapja e votës së Diasporës nga krimi i organizuar: Rreziku i ri për Shqipërinë.

Nëse deri tani kemi analizuar rreziqet e manipulimit politik të votës së diasporës nga partitë e vjetra dhe partitë e reja surrogato të regjimit, tani duhet të thellohemi në një kërcënim edhe më të madh: kapja e votës së diasporës nga grupet kriminale dhe strukturat mafioze që operojnë në ekonominë dhe jetën e shqiptarëve jashtë vendit.

Krimi i organizuar shqiptar është një nga faktorët më të rrezikshëm që mund të shfrytëzojë votën e diasporës për të rritur ndikimin e tij mbi politikën dhe institucionet e Shqipërisë.

Ky fenomen, i vërejtur në shumë vende të tjera me diaspora të mëdha, përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe integritetin e demokracisë shqiptare.

Fuqia e grupeve kriminale në Diasporë: Një realitet i pamohueshëm.

Shqiptarët në diasporë nuk janë vetëm ata punëtorët dhe sipërmarrësit e ndershëm që kërkojnë një jetë më të mirë. Edhe pse këta janë me siguri shumica.

Në shumë vende, grupet kriminale shqiptare kanë arritur të depërtojnë në sektorë kyç të ekonomisë dhe të krijojnë një rrjet të fuqishëm ndikimi mbi komunitetet e emigrantëve.

Dominimi i krimit të organizuar mbi ekonominë e Diasporës.

Krimi i Organizuar shqiptar është bërë një ndër grupet më të fuqishme kriminale në Evropë.

Operacionet e grupeve shqiptare përfshijnë trafikun e drogës, pastrimin e parave, kontrollin e bizneseve dhe fuqinë e grupeve të organizuara të dhunës.

• Sipas një raporti të Europol-it (2023), grupet kriminale shqiptare janë ndër aktorët kryesorë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës dhe kanë krijuar rrjete të fuqishme në Spanjë, Holandë, Britani dhe Itali.

• Në Itali, mafia shqiptare ka arritur të krijojë aleanca me ’Ndrangheta-n dhe Cosa Nostra-n, duke u bërë një faktor kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe në investimet e pastrimit të parave.

• Në Britani, sipas një raporti të NCA (National Crime Agency, 2022), grupet kriminale shqiptare kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut të kokainës në Londër dhe qytete të tjera të mëdha.

Këto grupe nuk janë thjesht kriminelë, por aktorë të fuqishëm ekonomikë që kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve shqiptare në emigracion.

Si e kontrollojnë grupet kriminale ekonominë dhe Diasporën?

1. Dominimi i Bizneseve

• Një pjesë e madhe e restoranteve, hoteleve, firmave të ndërtimit, pikave të lojërave të fatit dhe tregtisë, kompanive té transportit në vende si Italia, Greqia, Britania dhe Spanja por edhe SHBA e Kanada janë të lidhura me struktura kriminale.

• Bizneset e pastrimit të parave përdoren për të kontrolluar komunitetin shqiptar në diasporë, duke u shndërruar në qendra pushteti jozyrtare.

2. Përdorimi i dhunës dhe frikës për të kontrolluar Diasporën.

• Shumë emigrantë shqiptarë, veçanërisht ata që punojnë në sektorë informalë, janë të detyruar të pranojnë kushtet e vendosura nga klanet kriminale shqiptare, të cilat ofrojnë “mbrojtje” e punë në këmbim të besnikërisë dhe votave.

• Në disa raste, ata që kundërshtojnë këtë ndikim janë përballur me kërcënime fizike dhe ekonomike.

3. Pastrimi i Parave për të ndikuar politikën shqiptare.

• Fitimet e grupeve kriminale që operojnë në Evropë përdoren për të financuar aktivitete politike në Shqipëri.

• Biznesmenët e lidhur me krimin kanë financuar fushata elektorale dhe kanë siguruar ndikim mbi politikanët shqiptarë në këmbim të mbrojtjes dhe favoreve.

Rreziku i kapjes së votës së diasporës nga krimi i organizuar.

Pse është vota e diasporës një mundësi e artë për krimin e organizuar?

• Votimi në diasporë ndodh jashtë kontrollit të institucioneve shqiptare, duke e bërë atë të lehtë për manipulim nga grupet kriminale.

• Strukturat kriminale që kontrollojnë bizneset shqiptare në diasporë mund të diktojnë drejtpërdrejt votën e emigrantëve, duke u siguruar që ata të votojnë sipas interesave të tyre.

• Në mungesë të mekanizmave të fortë mbikëqyrjeje, vota e diasporës mund të shndërrohet në një mekanizëm për të konsoliduar fuqinë e mafias shqiptare në institucionet e vendit.

 Mekanizmat e manipulimit të votës nga krimi i organizuar:

1. Përdorimi i bizneseve si qendra të votimit kolektiv.

• Restorantet, baret dhe bizneset e drejtuara nga klanet kriminale do të shndërrohen në qendra të votimit kolektiv.

• Punëtorët do të detyrohen të votojnë sipas urdhrave të pronarëve të tyre.

2. Përdorimi i klanëve familjare për të kontrolluar votën.

• Në shumë raste, një kryefamiljar ose një figurë autoritare e komunitetit do të marrë përsipër të mbledhë votat e të gjithë familjes dhe rrethit të tij shoqëror.

• Vota nuk do të jetë një akt individual dhe i lirë, por një akt kolektiv i kontrolluar nga rrjete informale dhe mafioze.

3. Financimi i fushatave të kandidatëve të lidhur me krimin.

• Grupet kriminale kanë interes të madh për të pasur njerëz të tyre në parlament dhe institucione shqiptare për të mbrojtur bizneset dhe pastrimin e parave të tyre.

• Votimi i diasporës do të shfrytëzohet si një mekanizëm për të zgjeruar këtë ndikim.

Pasojat për Shqipërinë: A po ndërtojmë një shtet të kapur nga Mafia?

Nëse ky skenar realizohet, Shqipëria nuk do të përballet më vetëm me një problem korrupsioni politik, por me kapjen e plotë të institucioneve nga mafia dhe rrjetet kriminale transnacionale.

• Krimi i organizuar do të diktojë politikat shtetërore, duke vendosur njerëzit e tij në poste kyçe qeveritare.

• Shqipëria do të bëhet një vend ku shteti dhe mafia janë e njëjta gjë.

• Diaspora, në vend që të ndihmojë në reformimin e vendit, do të bëhet një burim i ri për fuqizimin e rrjeteve kriminale që kanë kapur Shqipërinë.

 Për të ndaluar këtë proces të rrezikshëm, duhen disa masa urgjente:

-Votimi i diasporës duhet të ndodhë në ambiente të monitoruara dhe nën kontroll të pavarur.

-Duhet të vendosen mekanizma të fortë për verifikimin e votës dhe parandalimin e manipulimeve nga grupet kriminale.

-Bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet e vendeve ku jetojnë emigrantët shqiptarë duhet të forcohet për të parandaluar ndikimin kriminal në zgjedhje.

 Nëse nuk ndërmerren masa, vota e diasporës mund të jetë autogoli më i madh i Shqipërisë, duke i dhënë krimit të organizuar kontroll të drejtpërdrejtë mbi politikën dhe shtetin.

Kapja e Partive të Reja Surrogato nga krimi i organizuar: Strategjia e re e pushtetit të mafias përmes votës së diasporës.

Në analizën e kapjes së shtetit nga mafia dhe rrjetet kriminale, një nga fenomenet më të rrezikshme që po ndodh në Shqipëri është kontrolli i partive të reja surrogato nga grupet kriminale dhe mafioze.

Në vend që të përqendrohen vetëm në partitë e vjetra të sistemit politik, struktura kriminale dhe mafioze janë më të interesuara për të përdorur dhe kapur partitë e reja të sponsorizuara prej tyre.

Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: partitë e reja janë instrumente më fleksibël, më të manipulueshme dhe më të lehta për t’u shitur si “ndryshimi” në opinionin publik dhe në diasporë.

Pse grupet kriminale dhe mafia janë të interesuar të kontrollojnë Partitë e Reja Surrogato?

Partitë e Reja Surrogato janë mjete më të thjeshta për të kontrolluar Politikën.

• Partitë tradicionale janë të konsoliduara, kanë struktura dhe interesa të vjetra, dhe krimi organizuar nuk mund të ketë kontroll absolut mbi to.

Ato kanë fraksione të brendshme, figura publike të njohura dhe mekanizma vendimmarrjeje që ndonjëherë dalin jashtë kontrollit të mafias

• Ndërkohë, partitë e reja surrogato krijohen nga e para dhe sponsorizohen drejtpërdrejt nga grupet kriminale

• Këto parti nuk kanë ideologji, nuk kanë strukturë të pavarur, dhe liderët e tyre janë të kontrolluar 100% nga sponsorët kriminalë që i financojnë.

Partitë e Vjetra janë të komprometuara publikisht, ndërsa Partitë e Reja Surrogato duken si “E Ardhmja”.

• Mafia nuk ka më mundësi t’i shesë politikanët e vjetër si figura shprese.

Ata janë konsumuar, janë diskredituar, janë të njohur si pjesë e regjimit.

• Ndërsa partitë e reja kanë imazhin e një “alternative”, duke u shfaqur si të freskëta dhe të pastra.

Ky është një iluzion, sepse pas tyre qëndrojnë të njëjtat struktura kriminale që i kanë krijuar për të pastruar imazhin dhe për të ruajtur pushtetin.

Partitë e Reja Surrogato janë të destinuara për të dështuar dhe për të shërbyer si mjete përçarjeje.

• Asnjë nga këto parti nuk ka ndonjë program real për të ndryshuar Shqipërinë.

• Ato ekzistojnë për të përçarë votën e opozitës së vërtetë, për të mbajtur status quo-në të paprekur dhe për të bllokuar çdo përpjekje të një opozite të pastër dhe të pakapur.

Diaspora si teatri kryesor për popullarizimin e Partive të Reja Surrogato nga Mafia.

Një nga strategjitë kryesore të mafias dhe grupeve kriminale është përdorimi i diasporës si mjet për të shfaqur mbështetje artificiale për partitë e reja surrogato.

Mitet e “Suksesit” të Partive të Reja në Diasporë.

• Mafia përdor mitingjet e diasporës për të krijuar iluzionin e një mbështetjeje të madhe për partitë e reja surrogato.

• Në çdo takim politik të këtyre partive jashtë vendit, shohim qindra apo ndoshta edhe mijëra shqiptarë që mbushin sallat dhe entuziazmohen për liderët e rinj të këtyre partive

• Këto takime dhe mitingje financohen dhe organizohen drejtpërdrejt nga grupet kriminale që zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë së diasporës.

Diaspora nuk është një votë e lirë, por një votë e kontrolluar nga strukturat mafioze.

• Si mund të shpjegohet që partitë e reja surrogato, të cilat nuk kanë struktura në Shqipëri, papritur shfaqen me mbështetje të madhe në diasporë?

• Kjo ndodh sepse krimi i organizuar ka krijuar rrjete të forta ndikimi në komunitetet e diasporës.

• Shumë nga ata që marrin pjesë në mitingje nuk janë votues të lirë, por njerëz të lidhur me strukturat ekonomike dhe kriminale që kontrollojnë komunitetin shqiptar jashtë vendit.

Por si funksionon skema e kapjes së Partive të Reja nga Mafia?

Faza 1: Financimi fillestar nga Krimi i Organizuar.

• Grupet kriminale investojnë miliona euro për të krijuar parti të reja politike.

• Financimi bëhet përmes biznesmenëve të diasporës që janë të lidhur me rrjetet mafioze dhe pastrimin e parave.

Faza 2: Ndërtimi i iluzionit të mbështetjes popullore në Diasporë.

• Partitë e reja organizojnë takime masive jashtë vendit me pjesëmarrje të lartë, të sponsorizuara nga bizneset e kontrolluara nga krimi.

• Përhapet ideja se këto parti kanë mbështetje të madhe popullore dhe janë “ndryshimi i madh”.

Faza 3: Kthimi në Shqipëri për të shitur popullaritetin e rremë.

• Pas krijimit të iluzionit të mbështetjes në diasporë, këto parti përdorin këto imazhe për të bindur shqiptarët në vend se ato janë një forcë politike reale.

• Kjo ndihmon mafian të sigurojë një kanal të ri për të kontrolluar pushtetin politik.

Faza 4: Kontrolli mbi vendimmarrjen politike dhe institucionale.

• Kur apo nëse partitë e reja surrogato ia dalin të hyjnë në parlament ose në qeveri, ato nuk kanë më kontroll mbi vendimmarrjen e tyre.

• Politikat dhe vendimet e tyre do të jenë drejtpërdrejt të diktuara nga grupet kriminale që i kanë sponsorizuar dhe financuar.

Pasojat e kapjes së Partive të Reja nga Mafia për Shqipërinë.

Nëse ky model vazhdon, Shqipëria do të përballet me një realitet të tmerrshëm:

1. Politika do të jetë plotësisht nën kontrollin e mafias dhe krimit të organizuar.

2. Nuk do të ketë kurrë një opozitë të vërtetë apo një alternativë të re të vërtetë, pasi ajo do të përçahet gjithmonë nga partitë e reja të sponsorizuara nga krimi.

3. Çdo reformë e vërtetë do të dështojë, pasi çdo aktor i ri politik do të jetë i kontrolluar nga grupet kriminale.

4. Diaspora shqiptare do të përdoret gjithnjë si një mjet për të legjitimuar forca politike të kontrolluara nga mafia.

Nëse shqiptarët nuk ndërgjegjësohen dhe nuk ndalojnë këtë skemë, Shqipëria nuk do të ketë më një shtet demokratik, por një shtet të kontrolluar plotësisht nga mafia, e cila përdor votën e diasporës dhe partitë e reja surrogato për të forcuar pushtetin e saj.

A do të zgjohet Shqipëria përpara se të jetë tepër vonë? Kjo do të varet nga vetë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Në shumë vende të botës, grupet kriminale dhe organizatat mafioze kanë përdorur strategji të sofistikuara për të ndikuar dhe kontrolluar politikën, shpesh duke krijuar ose financuar parti të reja politike.

Këto parti, të njohura si “parti surrogato”, shërbejnë si mjete për të avancuar interesat e krimit të organizuar, duke minuar demokracinë dhe sundimin e ligjit.

 1. Italia: Infiltrimi i Mafias në politikë përmes Partive të Reja

Italia ofron një shembull të qartë se si mafia ka ndikuar në politikë përmes partive të reja:

• Partitë Lokale në Jug të Italisë: Në rajone si Kalabria dhe Kampania, organizatat kriminale si ’Ndrangheta dhe Camorra kanë krijuar ose mbështetur parti lokale për të kontrolluar administratat vendore dhe për të siguruar influencë në shpërndarjen e fondeve publike.

2. Meksika: Kartelët e Drogës dhe Partitë Politike

Në Meksikë, kartelët e drogës kanë përdorur financimin e partive të reja dhe kandidatëve të pavarur për të zgjeruar ndikimin e tyre politik:

• Partia e Re e Aleancës (Partido Nueva Alianza): Disa hetime kanë sugjeruar se kartelët kanë financuar kandidatë të kësaj partie në nivel lokal për të siguruar mbrojtje dhe për të ndikuar në politikat e sigurisë.

• Kandidatët e Pavarur: Kartelët shpesh mbështesin financiarisht kandidatë të pavarur ose krijojnë parti të vogla për të ndarë votat dhe për të destabilizuar kundërshtarët politikë që kërcënojnë interesat e tyre.

3. Rusia: Oligarkët dhe Partitë Surrogato

Në Rusi, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, oligarkët me lidhje kriminale kanë krijuar ose financuar parti politike për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike:

• Partia Liberal Demokratike e Rusisë (LDPR): E udhëhequr nga Vladimir Zhirinovsky, kjo parti ka marrë mbështetje financiare nga biznese me lidhje të dyshimta për të promovuar agjenda që favorizojnë interesat e tyre.

• Parti të Vogla Rajonale: Oligarkët lokalë shpesh krijojnë parti rajonale për të ndikuar në politikat lokale dhe për të siguruar kontrata publike.

Edhe në Shqipëri, ka pasur raste ku grupet kriminale kanë ndikuar në politikë përmes partive të reja:

• Financimi i Partive Politike: Raporte të ndryshme kanë evidentuar raste ku drejtues të rrjeteve kriminale kanë financuar parti politike, duke ndikuar në vendimmarrjen politike dhe në emërimet në poste kyçe.

• Përdorimi i Bizneseve si Fasadë: Organizatat kriminale shpesh përdorin biznese legjitime si mbulim për aktivitetet e tyre të paligjshme dhe për të financuar partitë politike, duke krijuar një rrjet kompleks të ndikimit politik dhe ekonomik. 

Studimet dhe rastet ndërkombëtare tregojnë se grupet kriminale shpesh krijojnë ose mbështesin parti të reja politike si një strategji për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe për të mbrojtur interesat e tyre. Kjo praktikë minon proceset demokratike dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar vëmendje të veçantë nga institucionet dhe shoqëria civile për të parandaluar kapjen e politikës nga krimi i organizuar.

Në regjimet autokratike dhe skuthokratike, ku politika është e kontrolluar nga një rrjet kompleks oligarkësh, burokratësh dhe grupeve kriminale, liderët e rinj surrogato dhe partitë e reja surrogato janë mjeti më i efektshëm për të ruajtur pushtetin, për të manipuluar opinionin publik dhe për të penguar ndryshimin e vërtetë politik.

Këto regjime kanë dy synime kryesore:

1. Ruajtja e kontrollit politik pa u dukur si diktaturë – Duke krijuar iluzionin e pluralizmit dhe të zgjedhjeve të lira.

2. Kapja e energjisë së ndryshimit – Duke e drejtuar revoltën popullore në rrugë të kontrolluara, për të shmangur një opozitë të vërtetë.

Në këtë kontekst, partitë e reja surrogato dhe liderët e rinj surrogato promovohen si “shpëtimtarët” e sistemit, ndërkohë që në prapaskenë ata janë vegla të të njëjtave struktura që kanë kapur shtetin dhe ekonominë.

Strategjia e “Rrugës së Tretë” dhe iluzioni i ndryshimit.

• Regjimet autokratike e dinë se populli kërkon ndryshim dhe është i lodhur nga partitë e vjetra të korruptuara.

• Në vend që të lejojnë një opozitë të vërtetë të forcohet, ata financojnë dhe krijojnë një alternativë të kontrolluar – partitë e reja surrogato dhe liderët e rinj surrogato

• Këto parti dhe liderë i shesin si anti-sistem, ndonëse në realitet janë një zgjatim i tij.

Shembuj botërorë:

 • Rusia – Partitë Opozitare të Kontrolluara

 • Vladimir Putin ka lejuar ekzistencën e disa partive “opozitare”, si LDPR (Partia Liberal Demokratike e Rusisë) dhe A Just Russia, të cilat krijojnë një iluzion pluralizmi, por në realitet janë të kontrolluara nga Kremlini dhe mbështesin vendimet kryesore të qeverisë.

 • Venezuela – Opozita e Simuluar

 • Në regjimin e Nicolas Maduro-s, ka pasur raste ku qeveria ka financuar “opozitë të rreme” për të fragmentuar dhe përçarë opozitën e vërtetë.

Eliminimi i Opozitës apo Alternarivës së re të vërtetë përmes Surrogatëve.

• Nëse një opozitë apo alternativë e re e fortë dhe reale lind dhe po rritet, regjimi përdor liderët e rinj surrogato për ta neutralizuar atë.

• Ata kanalizojnë revoltën popullore dhe energjinë e protestave në rrugë të kontrolluara.

• Në fund, ose këto parti “zbuten” dhe integrohen në sistem, ose shërbejnë për të përçarë opozitën dhe për ta bërë të pamundur formimin e një blloku të fuqishëm kundër regjimit.

Shembuj botërorë:

• Turqia – Partitë e Reja të Kontrolluara nga Erdogan

• Erdogan ka ndihmuar në krijimin e disa partive të reja që në dukje janë opozitare, por që në realitet ndihmojnë për të fragmentuar opozitën e vërtetë dhe për të përçarë elektoratin kundër tij.

• Hungaria – Partitë Fake të Orbanit

• Viktor Orban ka përdorur parti të reja të financuara nga aleatët e tij për të ndihmuar Fidesz-in në zgjedhje duke shpërndarë votat e opozitës.

Pse këto Partitë e Reja Surrogato dhe Liderët e Rinj Surrogato promovohen kaq shumë në media dhe Diasporë?

Ndikimi i Grupeve Kriminale në bizneset mediatike dhe Rrjetet Sociale

• Regjimi dhe grupet kriminale kanë financuar media, portale dhe rrjete sociale për të krijuar fenomene të rreme të popullaritetit.

• Në Shqipëri, partitë e reja surrogato shiten si “fenomene masive” me takime të mbushura, por në fakt këto organizime financohen nga struktura kriminale.

Mekanizmi:

1. Mediat krijojnë narrativën e një lideri të ri popullor që po “pushton diasporën”.

2. Përmes rrjeteve sociale, blihen klikime dhe ndjekës për të krijuar një iluzion të popullaritetit të madh.

3. Diaspora bëhet terreni i parë për të krijuar këtë iluzion, sepse nuk ka verifikim real mbi sa është mbështetja e vërtetë.

• Brazili – Jair Bolsonar

• Përdori rrjetet sociale dhe media të kontrolluara nga bizneset për të krijuar idenë e një revolucioni popullor anti-establishment.

• Italia – Movimento 5 Stelle

• Fillimisht u promovua si një lëvizje popullore, por në realitet u financua nga struktura të dyshimta për të përçarë politikën italiane.

Pse Diaspora është terreni kryesor për këtë strategji?

Diaspora ka disa veçori që e bëjnë objektivin ideal për këtë manipulim:

1. Diaspora nuk është aktive në realitetin politik të përditshëm të Shqipërisë dhe e ka të lehtë të mashtrohet nga spektakli i organizuar.

2. Takimet e mbushura në diasporë nuk janë domosdoshmërisht tregues i mbështetjes popullore, por organizime të financuara nga mafia dhe bizneset e kontrolluara.

3. Diaspora shpesh e ndjek politikën shqiptare nëpërmjet mediave të kontrolluara nga regjimi dhe rrjetet sociale, ku propaganda është më e fortë.

• Rusia – Përdorimi i Diasporës Ruse për të mbështetur narrativat e Kremlinit

• Serbia – Aleksandar Vuçiç dhe kontrolli mbi Diasporën përmes medias dhe bizneseve.

Pse këto strategji janë të rrezikshme për Shqipërinë?

Nëse këto parti të reja surrogaro dhe liderë surrogato vazhdojnë të promovohen nga mafia dhe regjimi, Shqipëria do të përballet me:

-Një opozitë të rreme, e cila do të shërbejë vetëm për të ruajtur status quo-në.

-Një përçarje të përhershme të forcave anti-regjim, duke e bërë të pamundur krijimin e një alternative të vërtetë.

-Kapjen përfundimtare të politikës nga mafia dhe krimi i organizuar.

A do të jetë Shqipëria viktima e radhës e këtij manipulimi të madh?

• Nëse shqiptarët nuk e kuptojnë këtë strategji, ata do të vazhdojnë të bien pre e spektaklit të liderëve dhe partive të reja surrogato.

• Zgjidhja e vetme është ndarja e qartë midis opozitës reale dhe opozitës së kontrolluar nga regjimi dhe mafia.

A do ta kuptojë Diaspora shqiptare këtë lojë para se të jetë tepër vonë?

Kjo do të varet nga vetë shqiptarët – brenda dhe jashtë vendit.