Ankimi i Ajola Xoxës për sekuestrimin e sendeve të saj/ Zëvendësohet gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, ja arsyeja
Gjyqtarja e Apelit të GJKKO-së, Iliriana Olldashi, e cila do të shqyrtonte ankimimin e Ajola Xoxës për sekuestrimin e sendeve të saj, është zëvendësuar me gjyqtarin Engert Pëllumbi.
Sipas njoftimit të gjykatës, Iliriana Olldashi ka paraqitur aktin ‘Raport për paaftësinë e përkohshme në punë’.
Ajola Xoxa ka ankimuar vendimin e datës 20 dhjetor 2024 të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin sendeve të saj.
Njoftimi i Gjykatës:
Duke qenë se, gjyqtare Iliriana Olldashi ka paraqitur aktin ‘Raport për paaftësinë e përkohshme në punë’, çështja nr. 53, datë 12.02.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.X., Shoqëria Tregtare “*” sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 736, datë 20.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me kundërshtimin e vendimit për sekuestrimin e sendeve”, sipas disponimit nr. 01 Prot., datë 06.01.2025 të Zëvendëskryetarit të gjykatës “Lista vjetore e miratuar që përcakton gjyqtarët për gjykimet e rasteve urgjente”, i kaloi per gjykim trupit gjykues monokratik pasardhës, gjyqtarit Engert Pëllumbi.