Bintsuka shqetëson Partizanin, sulmuesi i “demave” nuk pranon….
Arshonzh Bintsuka për momentin është lojtari kryesor i Partizanit dhe pika e vetme ku loja ofensive po mbështetet. Pjesa tjetër e repartit është në “ajër” dhe nuk po arrin të japë atë që pritet, çka edhe ka ndikuar te rezultatet e skuadrës që nga largimet e Mba, Carës dhe Rrapajt.
Por fakti është se Partizani mund të privohet nga shërbimet e Bintsukës në verën e ardhshme. Lojtarit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal se dëshiron të rinovojë. Vetë klubi vazhdimisht po punon për të bindur lojtarin që të firmosë rinovimin, pasi nuk dëshiron që kurrsesi që kongolezi të largohet falas.
Në fakt lojtari e ka bërë me dije që në verën e shkuar se nuk ka ndërmend të rinovojë dhe deri më tani i ka qëndruar besnik vendimit të tij. Për Bintsukën kishte shumë interes nga Polonia dhe Ukraina në verë, por Partizani nuk kishte zëvendësues dhe zgjodhi ta mbajë. Tashmë rrezikon ta humbë pa asnjë cent në verë.