A mund të mbrohet çdo votë në Shqipëri?!
XHEVAT MUSTAFA
Duke pasur parasysh dhe llogaritur plotpushtetizimin politik e financiar të Rama-parti-qeverisë, ortakërinë e saj me shumicën e oligarkëve e të “investitorëve strategjikë”, me banda mafioze shumëngjyrëshe në Shqipëri e në disa vende të afërta e të largëta; me presionet dhe joshjet ndaj ushtrisë rreth 250 mijë vetëshe të administratës e patronazhistëve etj., jepen arsye të forta të mendohet se në vendin tonë nuk mund të bëhen zgjedhje me të vërtetë të lira, të pastra, demokratike, sa të jetë Edi Rama kryeministër dhe Ilirian Celibashi në krye të KQZ- së! Por, edhe sepse, edhe më 11 maj 2025, qendrat e votimit, ashtu si herët e tjera, do të mbushen nga ana e pozitës me komisionerë dhe vëzhgues, jo pak edhe nga parti të opozitës dhe ndërkombëtarë, të blerë me zarfe të rënda e premtime joshëse e vështirë përballuese…
Zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk do të jenë me të vërtetë demokratike dhe të ndershme edhe pa e ndryshuar ndjeshëm Kodin Zgjedhor, falur nga PD-Berisha me marrëveshjen e prillit 2008, “dhuratë” që Edi Rama, duke u shprehur në mënyrë figurative, me ndryshimet e kryera, mund të thuhet se ka pranuar t’i ndërrohet vetëm letra e paketimit! Shprehur ndryshe: me këtë qeveri, KQZ, Kod Zgjedhor; me këtë drejtësi, me këtë popull e rini, shumica me Enverin në tru e në gji, nuk fiton as Trump dhe Partia Republikane, sikur të ishin në Shqipëri…! Doza e lartë e skepticizmit tim mund të dobësohet shumë e të dalë e kotë vetëm nëse copat e PD-së dhe partiçkat, edhe ato ushqyer “me qumësht” nga sisat e Edi Ramës, Erion Veliajt, Blendi Gonçes, Taulant Ballës, Linda Ballukut, Elisa Spiropalit…, bashkohen në një front opozitar si dhe bashkojnë votat, edhe pa u dashur kryetarët dhe shumica në shtabe me zemër e sinqeritet me njeri-tjetrin! Fronti opozitar i unifikuar është shpresa e vetme, në qoftë se del përpara shumicës së shqiptarëve me strategji, programe, vepra konkrete, konstruktive, transformuese… Edhe me ekipe kandidatësh për deputetë dhe për qeverisjen qendrore pa njolla dhe gjurmë të identifikueshme ramizizmi, sorosianizmi, edramizmi, korrupsioni, nepotizmi, klanizmi…!
PD dhe partitë aleate të saj mund të jenë shpresa e vetme edhe nëse shpëtojnë nga “kartat e mykura apo të djegura” prej vitesh; nga lufta brenda llojit për poste në kryesitë qendrore dhe të degëve; për mandate deputeti apo kryebashkiaku, për këshilltarë e zyrtarë në vende pune, ku përfitimet nuk pikojnë, por rrjedhin vrullshëm…! Edhe nga “mishra të huaj”, që pranojnë të lidhen me PD-në dhe partitë e tjera të opozitës, pa pasur fare për turp, kur nuk u përmbushen qëllimet dhe llogaritë, t’i braktisin e të vrapojnë që të “flenë me mullixhinë”! Edhe nga “demokratët shumë të vonuar”, të cilët u kanë qëndruar larg, edhe duke i përçmuar apo nënqeshur, për 20-30 vjet, për të mos u etiketuar e lënë pa punë të mira si të djathtë, demokratë, berishianë…! Për të keqen e vet, të vendit dhe të shumicës së shqiptarëve, PD dhe opozita e mes shkurtit 2025 ngjan edhe me disa ushtri, që nuk janë as aleate dhe as kundërshtare apo armike, me shtabe pa lidhje, pa komunikim, pa njëmendësi… dhe pa bashkëveprim…!
Që nuk dinë apo nuk duan të vlerësojnë objektivisht se kanë përballë një ushtri kundërshtare, vërtetë të tejngopur, ndotur, lodhur… në “kënetën e korrupsionit” e nëpër “male plehrash dhe pisllëqesh të tjera, por edhe që ndaj së cilës nuk kanë të njëjtat potenciale njerëzore dhe financiare, kundërvënie, urrejtje, agresivitet…! Prej kohësh ka ardhur ora që në mes të kryesive të copave të PD-ve të bëhen me seriozitet, sinqeritet dhe përgjegjshmëri disa pyetje! Cila i pengon më shumë për riafrim e ribashkim…?! “Non grata” e Berishës, një sajesë e paramenduar dhe investuar në Tiranë dhe Uashington nga Yuri Kim e Charles McGonigal, legalizuar nga Blinken e Biden, me “lutje” apo “urdhër” nga Xhorxh Soros, me synimin për ta bërë me vite PD-në “lesh e li”, si në gjendje kome, të padëmshme për Ramaqeverinë, rekuizitë gjasme pluralizmi, gjasme demokracie, gjasme opozitarizmi…! Apo, interesat e pas-kulisave të disa individëve me funksione partiake dhe mandate deputeti, për të përfituar nga Rama-qeveria dhe ortakët e saj vende të majme pune në zyra të larta qeveritare e shtetërore si dhe tenderë, koncesione, leje ndërtimi…, për gra e burra, për vëllezër e motra, për kunata e kunetër…?! Por, po prej tyre kërkohen përgjigje të sinqerta dhe veprime reflektuese, me vepra korrigjuese e përmirësuese, duke menduar me dhembshuri e përgjegjshmëri për çdo votë.
Për më tepër, nga opozitarët në kryesitë qendrore dhe ato vendore, brenda e jashtë qendrave të votimit, kërkohet urgjentisht që të bëjnë gjithçka të mundshme e të lejueshme ligjërisht, që të mbrojnë deri në mbyllje të procesit të votimeve e të numërimit të votave, çdo votë për opozitën, nga çdo shqiptar në Shqipëri e në diasporë! Përndryshe, “bandat e Ali Babës” e të Edi Ramës, do t’ua vjedhin fitoren nën hundë e nëpër duar, me plot Çyrbe të rinj, si më 2021! Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi më 29 janar 2025 një plan masash në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në këtë kuadër do të ngrihet një Task Forcë, e përbërë nga një strukturë qendrore dhe grupe hetimore në terren, që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore. Natyrisht, kjo nismë është për t’u përshëndetur dhe mbështetur! Por, mund të vlerësohet dhe cilësohet edhe si një gëzim gjysmak. Duke njohur mirë potencialet, “përvojën e pasur të shndërruar në art” të PS-rilindjes për blerjen dhe vjedhjen e votave, “modernizuar” këto muaj, kam opinionin se “brigada” e njerëzve të SPAK-ut nuk do të mund të kapë në flagrancë shumicën e mjeshtrave të shumtë të partisë në pushtet me duart në kutitë, listat, kompjuterët e qendrave të votimit e të numërimit, në komisionet lokale apo zonale e në KQZ, duke bërë avazin e moçëm…!
Nga vendi dhe diaspora vijnë vazhdimisht njoftime, indicie, fakte për kryqëzatën socialisto-rilindase për të blerë me forma “moderne” apo të moçme sa më shumë vota apo krejt mandatin e katërt. Disa prej tyre, materiale, të përdorura nëpër fshatra…, janë shpërndarja e thasëve me ushqime e veshje e nga një deleje apo dhie në familjet “denbaden enveristo-edramiste… Ndërsa në diasporë, “tregtarët e votave” u kanë ofruar disa familjeve emigrantësh nga 500-700-1000 euro për çdo votë!? Në “piramidën e administratës” aksioni i “mjeljes” së votave ka filluar 2-3 muaj përpara. Edhe duke shkuar nëpër zyra, me lista në duar, duke “i pyetur” administrativistët, thjesht për “parashikim të përafërt” se sa vota do të japë secili e familjarisht për partinë që i mban në punë e me rroga të mira e që mund t’ua heqë nga goja nëse nuk e votojnë përsëri?! Edhe duke i shtuar “skllevërit e zyrave” me një kontingjent të ri, sa tani në fillim shkurt 2025, ndoshta jemi kampionë bote, me raportin 1 punonjës administrate për 10 banorë, kur vendet e tjerë e kanë mesatarisht 1 me 1.000-10.000 banorë! Po sipas gjykimit tim subjektiv, masakrat në kutitë dhe listat e votimit, shitblerja e votave, ndryshimi i adresimit të votave nga për opozitën në “favor” të pozitës, mund të minimizohen, sa të mos bëhet përcaktuese e rezultatit përfundimtar, në qoftë se nga Shtëpia e Bardhë ose DASH, me porosi apo urdhër nga Trump e Rubio, i shkon Edi Ramës dhe Ilirian Celibashit mesazhi i përafërt: “Nëse na vijnë ankesa e fakte të shumtë e bindës se zgjedhjet e 11 majit nuk kanë qenë të lira, të ndershme, demokratike, nuk do ta njohim rezultatin përfundimtar dhe fitoren tuaj”! Kambanat për një qëndrim të tillë ranë në Mynih, nga goja e Zv.Presidentit të SHBA-ve, J.D. Vance, në Konferencën për sigurinë ndërkombëtare, më 14 shkurt 2025. Fjalimi dhe mesazhi që përcolli ai janë “përkthyer” nga anglishtja në shumë gjuhë të botës, edhe në shqip, si një plasje bombe veçmas për ato qeveri, regjime antidemokratike, majtiste, të korruptuara…
Kuptohet se Shqipëria e këtyre 11 viteve, nën qeverisjen e Edi Ramës mund të jetë në vendet e para të listës së këtyre vendeve. Teksti: “…Nuk mund të fitohet një mandat qeverisës duke censuruar kundërshtarët politikë, apo më keq akoma edhe duke i arrestuar ata. As duke paditur gazetarë që raportojnë lajmet…!”, lejon të mendohet se mesazhi publik e zyrtar i Vance i është drejtuar edhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, veçse pa e shqiptuar emrin e tij. Edhe një opinion tjetër krejt personal! Shporrja urgjente dhe e domosdoshme e Rama-qeverisë nuk do të zëvendësohet nga një qeverisje ideale, që të na përmbysë me të mira e mrekullira, edhe brenda mandatit të parë! Gjithsesi, do të jetë shumë më e mirë se kjo e tanishmja! Sepse, në këto rreth 34 vite nuk ka pasur qeveri më të keqe, më të papërgjegjshme, më të korruptuar, më të pandjeshme për njeriun e thjeshtë, popullin, vendin, kombin, të ardhmen se kjo! Por, nëse vërtetohen skepticizmi e pesimizmi im mund të shpreh publikisht pyetjen: ç’vlerë do të kishte dorëheqja e vullnetshme ose e detyruar, pas humbjes së re, qoftë edhe të pamerituar e të grabitur, kur Edi Rama do të mbretëronte edhe 4 vjet të tjerë, duke i mashtruar, vjedhur, nëpërkëmbur, varfëruar, çmendur, vrarë e vetëvrarë, dëbuar nga atdheu… shumicën e shqiptarëve në vend, edhe më rilindësisht e më edramisht…!
/Gazeta Panorama