Sat, Feb 22, 2025

A.Villa frenon kryesuesit, Liverpool “ngec” në barazim 2-2, Slot: Jam i keqardhur, shpërdoruam shumë raste

  • PublishedFebruary 20, 2025

A.Villa frenon kryesuesit, Liverpool “ngec” në barazim 2-2, Slot: Jam i keqardhur, shpërdoruam shumë raste

Liverpool ndalet, në javën e 29 të Premier League, aty ku në Birmingham ndaj Aston Villës kryesuesit e udhëhequr nga Arne Slot nuk shkuan më shumë se sa një barazim 2-2. “The Reds” kaluan të parët në avantazh me Salah, që u asistua nga Diogo Jota i cili përfitoi nga një gabim në pasim i mbrojtjes vendase. Megjithatë reagimi i të besuarëve të spanjollit Unay Emery ishte i menjëhershëm, teksa brenda 10 minutash në fundin e pjesës së parë përmbysin rezultatin me Tielemans dhe sulmuesin kryesor të tyre Ollie Watkins.

Në minutën e 61 ndërkohë do të rivendosej barazpesha nga Liverpool, pas golit të mbrojtësit Arnold, që me goditjen e tij pas devijimit shmang hedhjen e portierit Martinez për golin e barazimit 2-2. Liverpool do të kishte shansin më të pastër për ta fituar ndeshjen teksa Szobozlai në një kundërsulm të shpejt jep një pasim për Darwin Nunez, që thuajse me portën e zbrazët gaboi duke e nxjerr topin mbi traversë.

Në fund jo i kënaqur u shfaq Arne Slot tekniku i “Redsave” për lënien e 2 pikëve në këtë sfidë:

“Nuk jam i kënaqur me këtë barazim. Lejuam skuadrën kundërshtare të luante për një pjesë të mirë në pjesën e parë, aty edhe kur u ndëshkuam me 2 gola. Më pas çdo gjë bëhet e vështirë. Rasti në fund i Nunez? Ndjehem i keqardhur. Ishte një rast shumë i pastër shënimi, që erdhi nga një aksion i ndërtuar mjaft mirë prej skuadrës tonë.”

Liverpool me këtë barazim ngjitet në kuotën e 61 pikëve, duke e çuar diferencën me ndjekësen më të afërt Arsenal në +8 pikë.


AlbaniaWeb.net