Konflikti i interesit, Vetting zbulon skemat: Ermal Nufi, drejtori i Ballukut, u emërua në krye të ARRSH, i dha tendera firmës së vëllait të tij! Si e vazhdoi ‘lojën’ Ervis Berberi
EMISIONI VETTING
A kemi konflikt interesi në këtë rast?
Në 29 qershor 2022, Këshilli i Ministrave do të emëronte si kryetar të Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ermal Nufin dhe 3 ditë më pas, në 1 korrik 2022, Hamz Islamaj do të fitonte tenderin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 870 milionë lekë ose 879 mijë euro, duke qenë ortak njëkohësisht në një kompani tjetër me Edmir Nufin, vëllain e kreut të ri të Bordit të ARRSH-së.
Konkretisht bashkimi i kompanive “BE-IS” dhe “ERGI” shpk do të shpalleshin fitues nga ish Drejtori Evis Berberi për Lotin 8 “Mirembajtje me performance e segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjake + K/Rr. Nacionale – Grabian + Strume – Qafe Marinez”, edhe pse kishte kompani të tjera me oferta më ekonomike.
Avokati Arben Llangozi thekson me tej: “Kompania e cila është në ortakëri me vëllain e kryetarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mund të kenë transaksione të dyja kompanitë dhe duhet një hetim i mirëfilltë sepse përveç veprës penale të korrupsionit që është e dukshme, kemi edhe vepër penale të pastrimit të produkteve të veprës penale sepse në qoftë se të ardhurat monetare të përfituara nga kjo kompani, kanë lëvizur dhe përfitues kryesor është vëllai i drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, atëherë kemi të bëjmë edhe me veprën e pastrimit të veprës së produktit penale.”.
Sipas nenit 11 të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar, Bordi i ARRSH-së përcakton politikat e biznesit të Autoritetit, vendimet që rregullojnë veprimtarinë, si dhe miraton programet e brendshme vjetore dhe të buxhetit korrespondues të Autoritetit.
Ndërkohë sipas nenit 12 vijues të po këtij ligji, Drejtori i Përgjithshëm është menaxheri i përgjithshëm i Autoritetit dhe vepron sipas autoritetit të deleguar nga Bordi, duke i raportuar drejtpërdrejt atij. Madje një nga kushtet për tu bërë anëtar i Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar sipas nenit 9, pika d të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar është që anëtari të mos jetë në konflikt interesi me detyrën.
“Këto janë vepra të rënda, duhet të ndiqen nga Prokuroria e Posaçme sepse kemi të bëjmë me vjedhje të buxhetit të shtetit.”- shprehet avokati Llangozi.
Por ky nuk është i vetmi tender, që lidhet me kohën e Ermal Nufit si person me rëndësi që mund të ketë ndikuar për tenderat pasi në 13 shtator 2022, përsëri “BE-IS” shpk së bashku me “ERGI” shpk do të fitonin tenderin me vlerë 372 milionë lekë ose 3.7 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për kontratën “Ndërhyrje ne zona sportive dhe lodra për fëmije “Dua te luaj” (rajoni 1 dhe 2)”.
Sipas ligjit për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, zv.kryeministri është kryetari i Këshillit Drejtues, në këtë rast Belinda Balluku dhe sipas nenit 11, pika 1/c Këshilli miraton marrëveshjet e zbatimit dhe/ose të financimit të projekteve.
Në këtë rast Ermal Nufi është Drejtor i kabinetit të zv.kryeministres prej gushtit 2022 dhe ka dyshime të forta, që mund të ketë ndikuar për këtë tender që është fituar nga ish ortaku i vëllait të vet.
Megjithatë “BE-IS” shpk nuk ka lidhje vetëm me vëllain e Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku, por rezulton e lidhur edhe me Drejtorin në Ministrinë e Infrastrukturës për Programet e Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë, Mehmet Hasalami nëpërmjet djalit të vet Devis Hasalami.
“Thelbi i korrupsionit është devijimi i destinacionit të parasë publike nga ndërtimi i veprës publike që mund të jetë një shkollë, mund të jetë një rrugë, në disa skema që i çojnë paratë në xhepin e personit përgjegjës të administratës publike që është vendosur aty që të jetë si përgjegjës për të ruajtur dhe për të vëzhguar dhe për të siguruar që paraja do shkojë në destinacionin publik.”- shprehet Pano Soko.