Fri, Feb 21, 2025

“Tërmet 7 ballë” në Paris, PSG “likujdon” Brest, Dortmund mjaftohet me barazim për të siguruar kualifikimin

  • PublishedFebruary 20, 2025

“Tërmet 7 ballë” në Paris, PSG “likujdon” Brest, Dortmund mjaftohet me barazim për të siguruar kualifikimin

Borussia e Dortmundit mjaftohet me një barazim pa gola në Signal Iduna Park për të siguruar kalimin për në raundin e 1/8. Ekipi verdhezi përfitoi nga suksesi 0-3 i arritur në Jose Alvalade 1 javë më parë, për të siguruar një biletë mes 16 më të mirave.

Të besuarit e Kovaç ditën të administronin mjaft mirë rezultatin e ndeshjes së parë, madje pranë publikut të tyre patën edhe raste të mira për të fituar edhe sfidën me sulmuesin kryesor Guirassy që ishte i pafat. Dortmund do të gjejë në fazën tjetër njërën prej Aston Villës ose francezëve të Lillë. Ndërkohë Sporting tashmë duhet të përqendrohet në luftën për të ruajtur kurorën e kampionit, me portugezët që kanë ndryshuar shumë pas largimit të teknikut të tyre Ruben Amorim drejt United.

PSG shkakton tërmet 7 ballësh në “Parc de Princess” për shpartalluar ekipin tjetër francez të Brest. Një mbrëmje e paharrueshme për publikun parizien, të cilët ishin dëshmitarë të një festivali golash nga skuadra e tyre. Interesant është fakti se të 7 golat erdhën nga 7 autorë të ndryshëm, një tjetër tregues që konfirmon kështu forcën e skuadrës së Enriques.

Barcola dhe Kvaratchkelia në pjesën e parë lanë të kuptohet që për miqtë kjo do të ishte një mbrëmje “ferri” e vërtetë. Në pjesën e dytë shkuan tek goli dhe Vitinha, Doue, Mendes, Gonçalo Ramos dhe Mayulu, duke regjistruar fitoren më të thellë këtë sezon në Champions League.

Psg do të gjejë në fazën tjetër njërën prej Liverpool apo Barcelonës. Pavarësisht kundërshtarit që do të rezervojnë goglat e shortit që do të hidhet të premten në Nyon, një tjetër përballje e madhe do të vihet në skenë, aty ku kampionët francezë do të kenë ndoshta testin më të rëndësishëm për të matur forcat.


AlbaniaWeb.net