Sat, Feb 22, 2025

Programi i PD, Berisha: Të gjithë do marrin 200 euro minimum jetik! Do rriten pensionet minimale nga 60-70%

  • PublishedFebruary 21, 2025

Programi i PD, Berisha: Të gjithë do marrin 200 euro minimum jetik! Do rriten pensionet minimale nga 60-70%

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa foli për programin e kësaj force politike, u ndal e tek çështja e minimumit jetik dhe pensionet.

Berisha tha se PD do të vendosë minimumin jetik 200 euro, teksa premtoi se do të rrisë pensionet minimale nga 60 deri në 70%.

“Të gjithë do marrin 200 euro”’, tha Berisha.

Berisha: Sot, pensionistët shqiptarë, të cilët 12 vite më parë merrnin pensionet më të larta se të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshi Rumaninë e Bullgarinë, janë katandisur me pensionet jo më të ulëta, por 2-3 herë më të ulëta se sa të vendeve të rajonit. Qëndrimi ndaj pensionistëve shqiptare ishte një qëndrim në kufijtë e çnjerëzisë dhe poshtërimit.
Pensionistëve, të cilëve me ligj u takonte indeksimi, nuk iu është indeksuar as gjysma e inflacionit të këtyre viteve.

Por ata kanë marrë edhe një tjetër goditje të fortë. Goditja tjetër e rëndë është se një pjesë e mirë e barnave janë hequr nga lista e rimbursimit, të domosdoshme për mjekimin e tyre të përditshëm. Së fundmi, qindra mijëra pensionistë kanë pasur një mbështetje nga fëmijët e tyre, familjarët e tyre jashtë vendit. Remitancat kanë pësuar një zhvlerësim në masën 35-40 përqind.
Edi Rama ka ndjekur një politikë cinike dhe mashtrimi ndaj pensionistëve.

Pasi iu mbajti kompensimin e 6 muajve të vitit të kaluar për t’ua paraqitur si bonus në dhjetor, ai ndau për buxhetin e shtetit të vitit 2025 gjithsej 16 milionë për indeksimin e tyre. E vërteta është që 16 milionë nuk indeksojnë më shumë se 40 përqind të inflacionit vjetor të këtyre qytetarëve.

Edi Rama ndërmori një fushatë mashtrimesh të paskrupullta ndaj pensionistëve. I tillë ishte mashtrimi se për pensionet e tyre të ulëta, fajet i kanë biznesmenët.

Gropën më të madhe në fondin e Sigurimeve shoqërore e krijon administrata shtetërore. Pra, në qoftë se fondi i sigurimeve shoqërore ka një gropë të zezë të madhe, kjo gropë është krijuar se ministria e Financave nuk u paguan sigurimet shoqërore që duhet të kalojnë paralel me rrogën që marrin në fondin e sigurimeve shoqërore. Janë mbi 100 milionë euro detyrime ndaj këtij fondi, të cilat nuk i ka shlyer Edi Rama. Po kështu debitorë të mëdhenj në fondin e sigurimeve shoqërore janë qeveritë vendore socialiste.

Pra, janë këto që fundosin fondin e pensioneve dhe bëjnë të pamundur rritjen e pensioneve nga ky fond