Dokumenti i qeverisë nuk sjell progres për universitetin
NGA MYQEREM TAFAJ
Qeveria paraqiti para tri ditësh një dokument për politikat e arsimit të lartë 2030. Ky dokument është praktikisht programi elektoral i PS për arsimin e lartë 2025-2030, program i një qeverie, e cila ka hyrë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 me synim marrjen e mandatit të 4-të. Nisur nga kjo, isha shumë i interesuar të dija se çfarë vizioni ka kjo forcë politike, pas 12 viteve në pushtet, për të ardhmen e arsimit të lartë të një vendi që synon të pranohet në BE. Çdo forcë politike qeverisëse, në qeveri apo në qeveri hije, zhvillon programe për sektorët e ndryshëm kur hyn në një fushatë elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme. Zakonisht, forcat politike që qeverisin, aq më tepër, për disa mandate radhazi, kanë më shumë mundësi (stafe, baza të dhënash, bashkëpunim ndërkombëtar për shkak të tagrit ekzekutiv, dhe shkaqe të tjera), për të hartuar programe më vizionare dhe me objektiva më ambicioze.
Duke e studiuar dokumentin, krijova bindjen se ky dokument nuk ka objektiva ambicioze për një sistem të arsimit të lartë shqiptar 2030, pra të fillimdekadës 4-të të këtij shekulli, sistem, i cili duhet të jetë i krahasueshëm për nga cilësia, së paku me atë të disa vendeve të rajonit si Sllovenia apo Kroacia. Unë mendoj se Shqipëria pret sot nga partitë politike qeverisëse vizion dhe politika të zhvillimit të arsimit shqiptar në tërësi dhe të arsimit të lartë në veçanti, në mënyrë që arsimi, gradualisht, të arrijë një nivel internacional, të krahasueshëm me vendet e rajonit dhe vendet e reja të BE-ja. Kjo pritshmëri e vendit ndaj forcave politike është realiste për shumë shkaqe. Shqipëria ka 15 vite që është ngjitur në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe synon të integrohet në BE, çka kërkon një nivel shumë më të lartë të dijes për të përballuar sfidat e zhvillimit të vendit në të gjithë fushat.
Dija e nivelit të këtij shekulli mund të ‘prodhohet’ nga universitete të nivelit internacional të gjeneratës IV. Familjet shqiptare janë në krye të listës për nga investimi familjar për shkollimin e fëmijëve të tyre, madje edhe në universitetet më të mira të botës. Shumica e këtyre të rinjve të mirëshkolluar punojnë sot në Shqipëri dhe një pjesë e tyre kanë zgjedhur rrugën e karrierës si studiues dhe kërkues në universitetet tona dhe jashtë tyre. Kjo do të thotë se Shqipëria ka fatmirësisht një potencial të madh njerëzor me kualifikime të nivelit internacional, i cili është garant kryesor për një sistem të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor të nivelit europian. Fatkeqësisht, Shqipëria sot nuk e shfrytëzon as 25% të këtij potenciali të madh njerëzor të mirëkualifikuar të vendit tonë. Nga ana tjetër, mijëra nxënës dhe gjimnazistë të talentuar të Shqipërisë, presin të studiojnë në universitete shqiptare të nivelit europian.
Përmbledhtazi, Shqipëria sot ka mundësi reale investimi (buxheti i vitit 2025 është 8,2 miliardë euro), synon të jetë vend i BE-ja, ka potencial të madh njerëzor me kualifikim të nivelit internacional dhe ka nxënës e gjimnazistë të talentuar që presin një shkollim universitar europian. Por çfarë po afron qeveria? As më shumë dhe as më pak, një dokument minimalist me politika që qëndrojnë vite dritë pas këtyre pritshmërive. Vizioni dhe objektivat e këtij dokumenti mund të plotësojnë pritshmëritë për një shkollim pas të mesëm, por kurrsesi për një shkollim të lartë universitar të nivelit internacional. Çdo dokument politikash është, më së pari, mishërim i vizionit politik të një force politike. Por vizioni në vetvete nuk është abstrakt dhe nuk zbret nga qielli. Ai duhet të formësohet më së pari në elitën e shoqërisë së një vendi, në mënyrë që të arrij edhe tek elitat e partive politike qeverisëse. Ndoshta jam i gabuar, por mendoj se, sot, pas 35 vjet demokraci, fatkeqësisht ende nuk është formësuar substanca e nevojshme për të mbështetur një vizion për një universitet shqiptar të nivelit europian në dekadën e ardhshme. Kjo ndoshta lidhet edhe me historinë e arsimit të lartë shqiptar. Ne nuk kemi asnjë universitet 100-vjeçar apo më shumë dhe me ndonjë përjashtim, dhe ne nuk kemi mësimdhënie dhe formim universitar që buron nga shkenca dhe kërkimi shkencor. Të gjithë e presim këtë vizion nga partitë, por aktorët e elitës së shoqërisë sonë nuk e kanë formësuar dot substancën e nevojshme, nga e cila të buroi një vizion i tillë. Dhe cilët janë këta aktorë. I pari është vetë komuniteti akademik shqiptar, i cili edhe pas 35 viteve demokraci, ende nuk ka arritur të krijojë një opinion të tij të konsoliduar për domosdoshmërinë e një vizioni krejt të ri për universitetin shqiptar.
Pa e pasur vetë një vizion të tillë, nuk mund të bindësh as elitën politike dhe as aktorët e tjerë të shoqërisë, si punëdhënësit, median, etj., për një vizion të tillë. Vizioni për një arsim të lartë të nivelit internacional kërkon para së gjithash një vlerësim objektiv të gjendjes së sistemit sipas metodologjive shkencore dhe jo një përshkrim propagandistik, aq më tepër kur ai bazohet në ujërat e letrave të akreditimit. Lum superlativash për sukseset e qeverisë u propaganduan në këtë takim elektoral, por e vërteta është lakuriq: akoma asnjë universitet shqiptar, edhe nga ata më të vjetrit, nuk krahasohet dot as me Universitetin e Zagrebit apo Ljubljanës dhe nuk figuron në asnjë rankim internacional. Dhe pse është kështu? Jo sepse sistemi ynë i arsimit të lartë nuk ka kërkues dhe pedagogë me kualifikim të lartë shkencor të krahasueshëm me homologët e tyre në Kroaci apo Slloveni, por sepse sistemi financohet vetëm për mësim dhe jo për kërkim shkencor, çka ka bërë që Shqipëria të radhitet me vendet e pazhvilluara për nga numri i botimeve shkencore për një kërkues apo për 1000 banorë, ndërkohë që këtë vit një shkencëtar shqiptar, profesor i mjekësisë në Gjermani, u radhit ndër 1000 shkencëtarët më të cituar të botës të të gjitha fushave! Por të marrim fakte akoma më të kuptueshme. Financimi i kërkuesve dhe pedagogëve është ende i modelit të vendeve të prapambetura. Akoma në Shqipëri kërkuesit dhe pedagogët paguhen me pagat të ulëta me të cilat ata nuk mund të mbajnë familjet e tyre, për shkak të kostos së çmendur të jetesës në Tiranë dhe detyrohen të bëjnë një punë të dytë apo edhe të tretë. Madje, me këtë fakt qeveria i kërcënoi pedagogët kur protestuan për rritjen e pagave.
Me këtë nivel financimi universitetet mund të bëjnë një mësimdhënie të nivelit pak më të lartë se sa të shkollës së mesme, por jo të nivelit universitar, pa folur për mësimdhënie që buron nga kërkimi shkencor që realizojnë vetë pedagogët. Pra, e ardhmja e sistemit tonë të arsimit të lartë fillon tek vizioni për masën e investimit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Eseja propagandistike thotë që duhet të rritet, por nuk thotë se duhet së paku të dyfishohet për arsimin e lartë dhe së paku të 10-fishohet në kërkimin shkencor, për t’iu afruar Sllovenisë, Kroacisë apo Serbisë. Fatkeqësisht, as dokumenti dhe as diskutimet nuk guxuan t’ia thonë një objektiv të tillë liderit. Madje, vetë qeveria deklaronte në relacionin i ligjit antishkencë, që miratoi me dhunën e kartonëve, në fundvitin e kaluar, se buxheti për shkencën do arrinte pas 5 viteve në 0,16% të PPB, ose 5 herë më i ulët që se buxheti që ka sot Sllovenia apo Serbia! Edhe me këtë dokument qeveria u tha shqiptarëve se pedagogët dhe kërkuesit do të vazhdojnë të bëjnë disa punë dhe universitetet do vazhdojnë të financohen si shkolla pas të mesme. Ndërsa të rinjve ky dokument u thotë: nëse kërkoni shkollim universitar të nivelit internacional, merrni rrugët e botës ose prisni sa të vijnë filialet e universiteteve të huaja në Tiranë! Çdo qytetar shqiptar që i lexon këto statistika të investimit kaq të ulët për arsimin e lartë dhe shkencën, mund të habitet, sepse e di se sa buxhet abuzohet dhe sa të ekzagjëruara janë financimet për djegësit e plehrave, rrugët, tunelet, bojatisjen e pallateve, apo rindërtimin nga tërmeti. Çdo qytetar e di se Shqipëria ka sot buxhet për të akorduar për arsimin e lartë dhe shkencën një financim plotësisht të krahasueshëm me Kroacinë apo Serbinë
Por qeveria nuk e konsideron të nevojshëm një masë të tillë të investimit, sepse vuan nga mentaliteti reminishent, sipas të cilit, universitetet nuk kanë punë me shkencën, mjafton t’i mbajnë në auditorë studentët. Por pa një investim të tillë për t’i transformuar universitetet tona në institucione të fuqishme të kërkimit dhe mësimit, ato do të mbeten jashtë çdo rankimi internacional dhe internacionalizimi mbetet një flluskë e mobilitetit vetëm të një numri shumë të ulët studentësh. Me këtë dokument arsimi i lartë shqiptar mbetet në nivelin e shkollës pas të mesme, universitetet publike do të financohen me pikatore dhe do të mbeten të pareformuara për të vendosur në qendër studentët, cilësinë e performancën në mësim e kërkim, si dhe një raport të drejtë midis autonomisë dhe llogaridhënies, maturantët dhe studentët më të mirë do vazhdojnë të marrin rrugët e botës për shkollim cilësor, të rinjtë e shkolluar në universitetet e botës nuk do të kenë asnjë nxitje për t’u kthyer dhe për të zhvilluar karrierë akademike në universitetet tona, pedagogët do të vazhdojnë të rendin pas një pune të dytë apo të tretë për të mbajtur familjet e tyre dhe universitetet do të vazhdojnë të zbrazen deri sa të boshatisen. Sipas mendimit tim, çdo forcë politike qeverisëse duhet ta kuptoj se duhet bërë një kthesë rrënjësore në investimin për arsimin në tërësi dhe shkencën. Nëse Shqipëria nuk do të investoj me përparësi për arsimin e lartë dhe shkencën, vendi kërcënohet të humbasë një pasuri të madhe kombëtare dhe një ditë të mbetet me gjysmën e studentëve dhe pedagogëve që ka sot dhe të kthehet në gjendjen e vitit 1980.
Shqipëria mund ta ruajë këtë pasuri kombëtare dhe këtë potencial shkencor akademik prej afro 6000 pedagogë dhe kërkues, për të afruar shkollim universitar të nivelit internacional për çdo maturant, për të ndërmarrë kërkime shkencore të nivelit internacional që i paraprijnë zhvillimit ekonomik social të vendit dhe për t’u afruar me vendet e reja të BE, për prodhimtari shkencore, vetëm nëse dyfishon investimin për universitetet dhe shumëfishon atë për shkencën, ndërmerr një reformë të thellë për transformimin e universiteteve në institucione të mbështetura në kërkim shkencor që afrojnë formim universitar që buron nga kërkimi, si dhe krijon mundësi reale për kërkuesit e talentuar shqiptarë në diasporë të kthehen dhe të zhvillojnë veprimtarinë kërkimore akademike në vendin e tyre. Si qeveria ashtu edhe e gjithë politika duhet të kujtojnë se investimi për Dijen dhe Teknologjinë përcaktojnë të ardhmen e zhvillimit të çdo vendi në këtë shekull.
/Gazeta Panorama