“Kur bie kryeqyteti, bie diktatura!”- Arrestimi i Veliajt: Berisha: Ra Damasku, iku Asadi. Ra Tirana, do thyejë qafën Edi Rama
Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka cilësuar arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj si rënie e diktaturës, pasi sipas tij, në historinë e regjimeve, kur bie kryeqyteti, diktatura është e pashpresë.
Kryedemokati u shpreh gjatë takimit të tij me shqiptarët në Parma të Italisë, se me arrestimin e Veliajt do rrëzohet qeveria e kryeministrit Rama.
“Në historinë e regjimeve, kur bie kryeqyteti, diktatura është e pashpresë. Ra Tripoli, iku Gadafi. Ra Damasku, iku Asadi. Ra Tirana, do ikë Edi Rama. Do thyejë qafën Edi Rama”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD tha se sipas tij, tani kryeministri Rama është i shastisur, pasi e kuptoi se iku kryeqyteti.
Sali Berisha: Të dashur miq, nuk ishte vetëm ky zhvillim madhor. E kishim edhe një zhvillim tjetër shumë madhor. Në historinë e regjimeve, kur bie kryeqyteti, diktatura është e pashpresë. Ra Tripoli, iku Gadafi.
Ra Damasku, iku Asadi. Ra Tirana, do ikë Edi Rama. Do thyejë qafën Edi Rama. Këtu, kam një nderim të madh dhe në emër tuaj dua të përshëndes ata qytetarë të Tiranës, që në 44 beteja përzunë nga bashkia kryehajdutin e qytetit të Tiranës, Lali Vjedhësin.
Dhe tani, Edi Rama i shastisur, e kuptoi se iku kryeqyteti, iku narkoshteti, përpiqet t’i bindë shqiptarët se qenka standard normal që Velica të ketë garderobën identike me të Lajla Asadit, garderobë e bazuar e tëra tek vjedhjet e taksave të qytetarëve të Tiranës nga Erion Veliaj.