Sun, Feb 23, 2025

A ka dështuar marrëveshja e migracionit Itali-Shqipëri?

  • PublishedFebruary 23, 2025

A ka dështuar marrëveshja e migracionit Itali-Shqipëri?

Gjithçka i është rikthyer normalitetit në Gjadër dhe Shëngjin. Një vit pasi parlamenti shqiptar votoi pro marrëveshjes së debatueshme të migracionit me Italinë, as edhe një emigrant i vetëm nuk gjendet në qendrat e ngritura enkas në Gjadër dhe Shëngjin.

Marrëveshja e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë në nëntor të vitit 2023 dhe e miratuar në parlamentin shqiptar më 22 shkurt 2024, parashikonte që Italia të procesonte kërkesat për azil të rreth 36 mijë emigrantëve të paligjshëm në vit.

Pengesa në seri për qeverinë italiane
Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, mbi 70 emigrantë, kryesisht nga Afrika dhe Azia Jugore, u dërguar në Shqipëri përmes tri grupeve të ndryshme.

Anija e parë me 16 emigrantë në bord, mbërriti në Shëngjin në 16 tetor të vitit të kaluar. Të gjithë u kthyen mbrapsht pak orë më vonë, pasi Gjykata e Apelit në Romë vendosi që dërgimi në Shqipëri ishte i paligjshëm dhe riatdhesimi i tyre në vendet e origjinës shkelte ligjin ndërkombëtar të mbrojtjes.

Dy grupe të tjera me emigrantë pasuan të parin: një grup prej 8 vetësh mbërriti në brigjet shqiptare në 8 nëntor 2024 dhe i treti dhe i fundit, deri tani, mbërriti në 28 janar të këtij viti dhe në bord pati 49 emigrantë.

Edhe në dy rastet e mëvonshme, Gjykata e Apelit në Romë vendosi se emigrantët nuk mund të qëndronin në Shqipëri derisa Gjykata Europiane e Drejtësisë në Luksemburg të shprehej me vendim nëse vendet e origjinës së këtyre emigrantëve konsideroheshin të sigurta për riatdhesimin e tyre. Ky vendim pritet të merret më 25 shkurt.

Monitoruesit janë larguar nga Shqipëria
Ndërkohë, zyrtarët italianë dhe ekspertët e shoqatave që monitoronin situatën në të dyja kampet shqiptare, janë larguar nga vendi “deri në një njoftim të dytë”.

Francesco Ferri, ekspert i politikave migratore në shoqatën “ActionAid”, ka qenë pjesë e një koalicioni shoqatash italiane që mbërritën në Shqipëri që nga çasti i ndërtimit të kampeve në Shëngjin dhe Gjadër.

“Delegacioni i Tavolo Asilo e Immigrazione, (grupim kombëtar Italian i 20 shoqatave dhe shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e emigrantëve që mbërrijnë në Itali), ka ndërmarrë misione monitorimi në qendrat e ngritura dhe kontekstin në të cilin ato kanë vepruar” – i tha ai DW. “Aktualisht jemi larguar por vijojmë ta monitorojmë nga afër situatën dhe jemi të gatshëm të rikthehemi nëse do të ketë aktivitete që duhen mbikqyrur”.

Migrantë ‘të frikësuar e të çorientuar”
73 emigrantët e transferuar në Shqipëri patën mbërritur në Itali ilegalisht përmes detit dhe ishin nisur transit nga Libia. Sipas Ferrit, “ata ishin shumë të trembur se mund të ktheheshin mbrapsht në vendet e tyre të origjinës”.

“Takuam persona të trembur dhe të çorientuar” – tha ai. “Ata nuk ishin të vetëdijshëm për procedurat, nuk ishin të përgatitur siç duhet për të aplikuar për azil dhe ishin në kushte izolimi. Situata e tyre tregon qartësisht se si modeli Italian në Shqipëri shkakton shkelje sistemike të të drejtave”.

Sipas portalit “Infomigrants”, qeveria italiane po konsideron tashmë ristruktutimin e këtyre qendrave. Një mundësi që po merret në konsideratë është shndërrimi i këtyre qendrave në “qendra riatdhesimi”. Por duket se edhe ky plan do të hasë në kundërshti.

Ferri e kundërshton me forcë këtë alternativë. “Duhet refuzuar tërësisht, sepse do të sillte të tjera shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” – thotë ai. Sipas ekspertit, “rreziku i stabilizimit dhe zgjerimit të këtyre strukturave mbetet i vërtetë, veçanërisht nëse modeli do të përsëritej diku tjetër. Rezultatet e deritanishme tregojnë se mbyllja përfundimtare e këtyre qendrave është e vetmja zgjidhje”.

‘Dështim i bujshëm’
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja qeverive për ta bërë marrëveshjen funksionale, shumë ekspertë dhe përfaqësues të opozitës italiane kanë qendër kundër saj që nga dita e parë. Ata e konsiderojnë këtë projekt si shkelje e të drejtave të njeriut dhe shpërdorim fondesh, pasi deri tani pala italiane ka shpenzuar rreth 1 miliardë euro.

Elly Schlein, drejtuesja politike e Partisë Demokratike italiane e ka quajtur marrëveshjen si “dështim të bujshëm” dhe i ka kërkuar kryeministres italiane Giorgia Meloni që të japë dorëheqjen. Sipas Schlein, modeli Italian në Shqipëri nuk do të funksionojë kurrë.

Ferri bie dakord me këtë logjikë. “Shumë pak njerëz janë transferuar në këto qendra dhe të gjithë ata janë kthyer menjëherë mbrapsht në Itali” – argumenton ai. “Shumicën e vitit ato kanë qenë të boshatisura dhe kanë strehuar një numër shumë të vogël personash. Ka pasur vështirësi në organizim, sfida ligjore dhe konteksti politik, që të gjitha e kanë penguar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Meloni e vendosur për ta bërë marrëveshjen funksionale
DW kontaktoi qeverinë italiane dhe e pyeti se si e konsideron mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe nëse ka ndërmend t’i rikonceptojë qendrat e ngritura. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, zyra e shtypit nuk iu përgjigj pyetjeve.

Gjithsesi, gjatë fjalës së mbajtur në një aktivitet me oficerë të lartë të policisë italiane, Meloni tha se qeveria e saj është e vendosur për ta çuar përpara marrëveshjen me Shqipërinë.

“Jemi të përkushtuar që të gjejmë zgjidhje për çdo pengese” – tha ajo, duke shtuar se “qytetarët italianë i kanë kërkuar qeverisë që të ndalojë migracionin e paligjshëm, sepse shkakton pasiguri në vend”.

Edhe në Shqipëri, marrëveshja ka ngjallur debate mes qeverisë dhe opozitës, që në nisje. Partia Demokratike ka premtuar se në rast se do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të 11 majit, “kontrata me Italinë nuk do të rinovohet”.

Provë për Europën
Pak ditë më parë, Komisioneri Europian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner u takua me Giorgia Melonin në Romë, ku diskutuan për “një miratim të afërt në kohë të një koncepti të ri për vendet e sigurta të origjinës”.

Para udhëtimit në Itali, Brunner u tha mediave italiane se paketa ligjore mbi riatdhesimet e emigrantëve, e cila po studiohet nga Komisioni Europian, do të jetë “shumë ambicioze, dhe do të përfshijë detyrime të qarta mbi riatdhesimet, rregulla të rrepta pë rata që cenojnë sigurinë dhe një kornizë pune më të koordinuar në nivel europian”.

Francesco Ferri vijon të mbetet i shqetësuar. “Rreziku qëndron tek fakti që qeveritë europiane do të vijojnë të shohin mundësitë për zgjidhje të jashtme, duke pakësuar mbrojtjen e azilkërkuesve duke e kaluar përgjegjësinë e mbrojtjes ndërkombëtare përtej kufijve të BE-së” – përfundon ai./ DW