Gjimshiti shqetëson Shqipërinë para eleminatoreve, dëmtohet mbrojtësi i Kombëtares
Sirenat e alarmit duhet të fillojnë të bien për stafin e Kombëtares shqiptare të futbollit, pak javë para grumbullimit të kuqezinjve për ndeshjet eliminatore të Botërorit 2026 ndaj Anglisë dhe Andorrës, pasi Berat Gjimshiti ka lënë sot i dëmtuar fushën e lojës në ndeshjen e Atalantës në kampionat ndaj Empolit.
Ndërsa ai i cili duhet të jetë partneri i tij në prapavijën kuqezi, Ardian Ismajli, vazhdon të jetë jashtë për shkak të problemeve fizike dhe sot ndoqi ndeshjen si spektator, Gjimshiti ishte titullar në radhët e skuadrës bergamaske dhe regjistroi edhe asist për golin e rezultatit të përkohshëm 2-0.
Por në pjesën e dytë, pas më shumë se një ore lojë, ai sinjalizoi se kishte probleme në kaviljen e këmbës së majtë dhe nuk mund të vazhdonte, pasi kishte përkeqësuar një lëndim që e kishte pësuar në pjesën e parë të ndeshjes. Kësisoj, Gasperini e largoi atë nga fusha, me mbrojtësin i cili doli duke çaluar dhe dukshëm i dëshpëruar për këtë situatë.