Pas takimit në Parma, Berisha shkon në Athinë! Kërkon votën e diasporës në Greqi
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të zhvillojë sot takim me shqiptarët e Greqisë në Athinë, teksa një ditë më parë pati një takim me emigrantët në Parma të Italisë.
Takimi demokrat do të mbahet pasditen e sotme, në orën 18:00, në stadiumin grek “Paqe dhe miqësi”, tek salla “Melina Merkuri”, Neo Faliro-Athinë.
“Të dashur miq, sot zhvillojmë një tjetër takim madhështor me diasporën tonë shqiptare në Athinë, Greqi.”, shkruan Berisha në rrjete sociale.
Sakaq, një ditë më parë (22 shkurt), kryedemokrati Sali Berisha, në takimin me shqiptarët në Parma e ka cilësuar kryeministrin Rama si rrezikun më të madh kombëtarë dhe si Çubrilloviçi shqipfolës.
“Në takimin tim në Romë, unë u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët. Se Edi Rama është Çubrilloviçi shqipfolës. Se Edi Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së, më tej shtoi se me këto takime dhe entuziazëm çdo qytetar po bindet se PD po kthehet fuqishëm për të mirën e mbarë shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Berisha: Këto takime entuziaste tregojnë se ne po rikthehemi fuqishëm, se do firmosin përmbysjen e narkoshtetit
Miq, ky është takimi im i dytë me diasporën, të parin e zhvillova në Romë, të dytin në Parma. Por këto takime provohen të një rëndësie të jashtëzakonshme. Këto takime po firmosin shpëtimin e Shqipërisë.
Po firmosin përmbysjen e narkoshtetit. Kjo sepse jo vetëm se vota juaj është sot më e çmuar se kurrë në historinë e Shqipërisë, por sepse optimizmi, entuziazmi, energjia e këtyre takimeve e paparë që nga viti 1990 po çon peshë zemrat e shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë.
Të dashur miq, këto takime, ky entuziazëm, kjo energji po bind çdo qytetar se ne po kthehemi fuqishëm për të mirën e mbarë shqiptarëve, për të mirën e Shqipërisë, të miqve të saj. Vetëm dy javë kanë kaluar nga takimi në Romë. Dy javë me zhvillime sa dy apo pesë vite.
Me zhvillime të mëdha që kanë dridhur themelet e narkoshtetit, që po fusin narkoshtetin në vdekje klinike, në koma. Po, miqtë e mi. Në takimin tim në Romë, unë u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët.
Se Edi Rama është Çubrilloviçi shqipfolës. Se Edi Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Të dashur miq, vetëm 5 ditë nga ai takim, në Mynih, zëvendëspresidenti i SHBA, do ia plaste në fytyrë tiranit, do i thoshte Europës se problemi ynë është persekutimi, arrestimi i liderëve të opozitës.
Përpjekja për të marrë mandate duke arrestuar liderë të opozitës. Censura. A kishte në atë sallë ndonjë lider, i cili kishte arrestuar tre liderë të opozitës si Edi Rama? Asnjë tjetër, asnjë të vetëm.
A kishte në sallë njeri që kishte marrë vendim për të censuruar mjetin më të fuqishëm të komunikimit të kohës, TikTokun? Vetëm se rinia shqiptare nuk i ndahej me TikTokun nga mëngjesi gjer në darkë kundër tij. A kishte në sallë ndonjë lider që kishte futur në dorë të gjitha mediat kryesore dhe i kishte shndërruar si organe të zyrës së tij? Jo, asnjë.