“SHBA ta vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës” – tubim në Uashington në 3 vjetorin e luftës
Aktivistët mbanin në duar pankarta për çlirimin e Ukrainës nga pushtimi rus dhe dënonin luftën e nisur nga Rusia si agresion ndaj sovranitetit ukrainas. Aktivistët pro-ukrainas bënë thirrje ndaj qeverisë dhe presidentit Trump që të mos i ndalonin
ndihmat ushtarake ndaj Ukrainës dhe deklaruan se SHBA duhet të mbështesi një paqe ku Ukraina ruan pavarësinë e saj territoriale.
Ambasadorë të shumë shteteve europiane ishin të pranishëm në tubim, përfshirë atë të BE. Tubimi paqësor që vazhdoi me një marshim në rrugët e Uashington D.C. për të protestuar përballë rezidencës së konsullatës ruse në kryeqytetin amerikan, u organizua nga një grup organizatash në mbështetje të Ukrainës.
Thirrjet për mosndalim të mbështetjes amerikane ndaj Ukrainës erdhën pas vendimit të presidentit të ri amerikan Donald Trump, i cili është angazhuar për të arritur një paqe të shpejtë Rusi-Ukrainë, edhe nëse Ukrainës do t’i duhet të lëshojë territor ndaj Rusisë. Trump gjithashtu ka deklaruar se ai do të angazhohet të marrë çfarë të mundet mbrapsht nga Ukraina për miliardat që SHBA ka ofruar si ndihmë për luftën, duke cituar minerale të çmuara ukrainase dhe naftë.
Ditët e fundit presidenti Trump dhe ai ukrainas Zelenski u përfshinë në një fërkim në distancë, ku Trump e akuzoi atë se ishte një “diktator i pazgjedhur”, ndërsa Zelenski tha se Trump është keqinformuar se kush e nisi luftën, kur kujtoi se Ukraina u pushtua dhe nuk ishte pushtuesi.