Mon, Feb 24, 2025

Drejtësia dhe padrejtësia

  • PublishedFebruary 24, 2025

Drejtësia dhe padrejtësia

ILIR CENOLLARI

(Sipas Aristotelit dhe Ciceronit)

1.Aristoteli e shikon drejtësinë në dy aspekte, në aspektin juridik dhe në atë moral… duke u dhënë atyre pothuaj të njëjtën rëndësi. Madje, drejtësia morale ka “brenda dhe përmban” dhe drejtësinë juridike. Drejtësia dhe padrejtësia sipas filozofit të madh konceptohen në kuptime të ndryshme. Zakonisht ne quajmë padrejtësi dhunimin e ligjit, përfitimin ose marrjen më tepër nga ç’na takon dhe mungesën e barazisë. Njeri të drejtë quajmë atë që respekton ligjin dhe barazinë (EN, libri V, 1-2). Ligjet kanë vlerë të përgjithshme, si për qytetarët si për ata që qeverisin dhe drejtojnë vendin. Në këtë kuptim, ne quajmë veprime të drejta ato veprime që synojnë lumturinë, me gjithë elementët e tyre përbërës, për një komunitet ose bashkësi politik.

Ligji na urdhëron gjithashtu të kryejmë vepra të guximshme, si për shembull, të mos braktisim detyrën, të bëjmë vepra të matura, të mos bëjmë lajthime e turpe, të kryejmë vepra të hijshme, si për shembull të mos i bëjmë keq tjetrit as të mallkojmë etj.. Kjo lloj drejtësie përbën një virtyt të plotë dhe të përkryer, jo në kuptimin absolut, por në raport me tjetrin. Nga të gjithë virtytet, vetëm drejtësia quhet një e mirë e huaj pasi ajo ka të bëjë me tjetrin; ajo realizon (garanton) atë që është e mirë për një tjetër apo për një anëtar të komunitetit. E në këtë kuptim, njeriu më i keq është ai që ligësinë e vet e përdorë si ndaj vetes si ndaj miqve të tij ndërsa njeriu më i përsosur nuk është ai që është i virtytshëm për veten e vet, por ai që i zbaton këto virtyte dhe ndaj të tjerëve, sepse pikërisht kjo është punë e vështirë. Kjo drejtësi mishëron jo një pjesë të virtytit, por gjithë virtytin, po kështu padrejtësia nuk mishëron një pjesë të së keqes, por gjithë të keqen ose vesin (EN, libri V, 3). Pra, drejtësia nuk shikohet si një ngrehinë hijerëndë, e ngurosur, stoli a qëllim në vetvete, por si një vlerë e madhe morale, pikërisht në raport me dobinë për popullin, për individin, për të tjerët. Morali i shëndoshë, virtyti zhvlerëson arkitekturën ligjore, korpusin e rëndë të ligjeve, kodeve, kufizimeve, rregullimeve, akteve normative.

2.Ciceroni jep këto vlerësime për drejtësinë dhe padrejtësinë. Detyra e parë e drejtësisë është garantimi i drejtësisë (të mos dëmtojë asnjë person, përveç rasteve kur individi ka kryer krime), garantimi i pronës publike dhe asaj private. Nuk ka apriori asnjë pronë private, pronar bëhesh atëherë kur pronën e ke fituar në rrugë të ligjshme, nga ana tjetër cenimi i saj është dhunim i rendit social. Sikurse ka thënë Platoni, ne nuk rrojmë vetëm për veten tonë, atdheu kërkon nga ne të gjithë, pra kemi detyrime ndaj të tjerëve dhe ndaj atdheut. Stoikët e kuptuan këtë gjë kur theksuan se të gjitha të mirat e tokës janë për njeriun, njerëzit lindin për njerëzit dhe sipas ligjit të natyrës, ne duhet të mbrojmë interesin publik, t’i shërbejmë njëri-tjetrit, të japim dhe të marrim, të ushtrojmë dhuntitë tona, aftësitë tona, burimet tona, të forcojmë lidhjet sociale.

Parimi themelor i drejtësisë është ligjshmëria, domethënë sinqeriteti dhe mbajtja e premtimeve të dhëna. Kjo na shpie, nëse imitojmë stoikët në origjinën e kësaj fjale, pra, ligjshmëri do të thotë të kesh bërë atë që ke thënë! Ka dy lloj padrejtësish: e para kur kryen një veprim të padrejtë, e dyta, kur nuk i kundërvihesh padrejtësisë së bërë nga të tjerët, atëherë kur ke mundësi ta bësh një gjë të tillë. Ai që ngre dorën kundër një tjetri, i shtyrë nga zemërimi apo ndonjë pasion tjetër i verbër, në fakt ka sulmuar gjithë shoqërinë! Ai që nuk vepron kur shikon një padrejtësi është njëlloj fajtor si ai që e kryen atë, sepse ka braktisur prindërit, miqtë dhe atdheun. Të rrallë janë ata që duan të vënë pasuri për të bërë vepra bamirësie dhe pa bërë padrejtë si, por në përgjithësi etja për pasuri nuk ka kufi. Shumica e njerëzve verbohen pas pasurisë dhe vdesin për të komanduar të tjerët, për të marrë poste dhe për t’u veshur me lavdi. Le të kujtojmë fjalët e arta të Enniusit (babait të poezisë latine): “S’ka shoqëri të shenjtë, as besim të vërtetë, atje ku ka vetëm ambicie për të sunduar”!

Shembulli më i freskët është ai i Çezarit, të cilin guximi i madh e bëri fajtor, sepse dhunoi çdo të drejtë hyjnore dhe njerëzore vetëm për pushtet personal. Ajo që është më e rëndë, është fakti sepse shpesh nga sëmundje të tilla preken dhe njerëz të shquar e deri gjeninj. Dëmi më i madh vjen atëherë kur kjo prirje është e llogaritur dhe menduar mirë se sa kur është diçka kalimtare, fryt i zemërimit të çastit apo turbullimit mendor. Shkaqet e degradimit moral dhe nënvleftësimit të luftës ndaj padrejtësive, janë të ndryshme. Shpesh kemi frikë të bëjmë armiq, frikë se mos dëmtohemi apo bëjmë shpenzime, shpesh bëjmë sikur nuk i vëmë re, shpesh nga përtacia, plogështia e mefshtësia, shpesh për shkak se jemi tepër të përfshirë me punë të tjera, si studime, tregti, punë, duke i lënë në mëshirë të fatit ata që kanë nevojë për mbrojtje.

Njeriu i denjë dhe i drejtë vepron përherë sipas rrethanave, duke respektuar parimin se drejtësia do të thotë të mos i bësh keq njeriu dhe të mbrosh interesin publik. Mosmbajtja e premtimeve dhe shkelja e zotimeve të marra tregojnë një karakter të dobët dhe mashtrues, pra sjellje të tilla janë akte padrejtësie. Të drejtë duhet të jemi dhe ndaj më të vegjëlve. Ka dy mënyra për të kryer një veprim të padrejtë, me anë të forcës dhe dinakërisë, por pavarësisht faktit nëse je luan apo dhelpër, të dyja këto mënyra janë njëlloj të padrejta dhe në kundërshtim me natyrën njerëzore. Forma më e rëndë e padrejtësisë është ajo kur shtiremi e hiqemi si njerëz të ndershëm kur në fakt jemi mashtruesit më të mëdhenj./Gazeta Panorama