FOTO/ “Jam edhe unë”, Vlahovic nderon Juven, Motta “driblon” titullin (VIDEO)
Ndryshe nga Champions, ku pësuan një eliminim të rëndë, në Serie A Juve luan një tjetër muzikë. Ndaj Cagliari-t siguruan fitoren e katërt radhazi, një sukses i rëndësishëm që fut në zonën Champions, në vendin e katërt në kuotën e 49 pikëve. Ekipi i Thiago Motta-s triumfoi në shifrat 1-0, por ky rezultat duket një gënjeshtër pasi Vlahovic dhe pjesa tjetër e fazës sulmuese prodhuan raste pafund.
Në minutën e 12-të, “bomberi” serb përfitoi nga një gafë e mbrojtjes së Cagliarit, kaloi edhe portierin duke dërguar më pas topin në rrjetë. Pak minuta më pas ishte radha e Yildiz, me turkun që u shfaq i vetëm përballë portierit, por Caprile me këmbë mbajti Cagliarin në lojë. “Zonja e Vjetër” nuk e uli ritmin për asnjë moment, ushtroi një presion asfiksues në zonë, por në asnjë rast nuk u treguan të saktë duke e lënë ndeshjen të hapur deri në fund.
Historia nuk ndryshoi as në pjesën e dytë, me Juven që vijoi ofensivën në kërkim të golit të qetësisë, por pa sukses. Për fat të mirë, Cagliari bëri pak ose aspak për t’i prishur festën “Zonjës së Vjetër”. “Jam edhe unë”, ishte titulli kryesor i TuttoSport, shoqëruar me foton e Vlahovic.

Thiago Motta shijon këtë sukses, por nuk preferon të shoh më larg se sa ndeshja e radhës, pavarësisht se kreu tani është vetëm 8 pikë larg, ndërsa Inter dhe Napoli do të përballen ndërmjet tyre:
“E merituam fitoren. Nuk arritëm ta mbyllnim ndeshjen pasi na mungoi kthjelltësia. Në pjesën e parë ishim mirë, ndërsa në të dytën ditëm të vuanim. Nuk ishte e lehtë. A mund të shoh Juve më larg se zona Champions? Ne mendojmë vetëm ndeshje pas ndeshje. Ky është një kampionat i ekuilibruar. Përveç Atalantës, ekipet e tjera që janë lart kanë vështirësi për të mbyllur ndeshjet. Të shohim”, u shpreh Motta në konferencë për shtyp.
()