Te Vllaznia shënojnë të gjithë, Deliu ishte i 13-ti i këtij sezoni
Në barazimin e fundit ndaj Elbasanit, në shifrat 1-1, ai që gjeti golin për Vllazninë ishte Ardit Deliu. Mesfushori kavajas i dha avantazhin momental skuadrës dhe për të ishte goli i parë me fanellën kuqeblu, që nga vera e vitit të kaluar, kur iu bashkua Vllaznisë.
Lojtari 27-vjeçar ishte pa fat në një moment tjetër, kur shtylla i mohoi golin e dytë personal. Interesant është fakti që Deliu është lojtari i 13-të i Vllaznisë që gjen rrugën e rrjetës këtë sezon. Për shkodranët kanë shënuar mbrojtësit Bajrami dhe Spahija nga 1 gol, dhe Stojanoviç 3 gola. Për të vijuar në mesfushë, ku Qato, Sala, Kahrimanoviç dhe Deliu kanë shënuar nga 1 gol.
Këtu mund të shtojmë edhe Esat Malën, i cili është një mesfushor dhe ka shënuar plot 6 gola deri tani. Ai në fakt është aktivizuar edhe në sulm nga trajneri Brdariç në shumicën e ndeshjeve, prandaj dhe ka këtë rendiment.
Reparti me më shumë shënues sigurisht që është ai i sulmit, pasi këta lojtarë e kanë profesion golin. Delaj ka shënuar 1 gol, Çoba dhe Gruda nga 2 gola, Dodaj 5 gola dhe kryegolashënuesi i kampionatit, Bekim Balaj, 14 gola. Këta janë golashënuesit e Vllaznisë pas 26 javësh dhe kuptohet lehtë se shkodranët e gjejnë rrugën e rrjetës me shumë lojtarë. Jo më kot kanë shënuar më shumë se të gjithë në kampionat, plot 42 gola.