Dy vite nga tragjedia hekurudhore në Greqi! 200 mijë qytetarë dolën sot në rrugët e Athinës, 5 persona të plagosur gjatë protestave masive
Qindra mijëra njerëz në Greqi u mblodhën sot në qytete në të gjithë vendin duke iu bashkuar mitingjeve dhe duke bërë thirrje për drejtësi për 57 viktimat e katastrofës së trenit në Tempi, në 2023 dhe duke kërkuar një gjyq të hapur dhe transparent për të gjithë përgjegjësit, përfshirë anëtarët e qeverisë konservatore të Kyriakos Mitsotakis.
Mitingje të mëdha u zhvilluan në Athinë, Selanik, Patra dhe Iraklio së bashku me dhjetëra qytete të tjera. Grekët që jetojnë jashtë organizuan gjithashtu mitingje në SHBA, Australi, Gjermani dhe madje edhe Islandë.
Në Athinë, të paktën 200,000 njerëz demonstruan përpara ndërtesës së Parlamentit në Sheshin Sintagma për të kërkuar drejtësi. Policia vlerëson se tubimi në Athinë është një nga më të mëdhenjtë e viteve të fundit, me pjesëmarrës të të gjitha moshave.
Shumë prej tyre ecën disa kilometra për t’iu bashkuar demonstratës pasi trenat e metrosë që shkonin në qendër të qytetit ishin tashmë të bllokuar me pasagjerë.
Mes turmës ishte Maria Karystianou, e cila humbi tragjikisht vajzën e saj 20-vjeçare në Tempi dhe është kthyer në një heroinë tragjike.
Demonstrata në Athinë për të shënuar përvjetorin e dytë të tragjedisë më të rëndë hekurudhore të vendit u shoqërua nga përleshjet midis anarkistëve me kapuç dhe policisë.
Gjithçka filloi kur anarkistët hodhën bomba me benzinë drejt një njësie të madhe policie të vendosur në oborrin e Parlamentit grek.
Sulmuesit me kapuç i shtynë protestuesit për të sulmuar policinë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.
Përplasja, fillimisht e kufizuar në një cep të sheshit Sintagma, u përhap brenda pak minutash në rrugët përreth, ndërsa bombat me benzinë ranë në rrugën Vasilissis Sofias dhe rrugë të tjera pranë sheshit.
Pesë personat e plagosur gjatë përleshjeve që shpërthyen në sheshin Sintagma u dërguan me urgjencë në spitalet e Atikës me ambulanca.
Për shkak të atmosferës mbytëse të krijuar nga gazi lotsjellës dhe bombat me benzinë të përdorura nga rebelët, rojet ceremoniale Evzone të vendosura jashtë Parlamentit u urdhëruan të strehoheshin brenda ndërtesës.