Kajro mban bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit në Gaza! Çfarë synohet të arrihet
Negociatat midis Izraelit dhe grupit palestinez të rezistencës Hamas për fazën tjetër të armëpushimit të Gazës kanë filluar në Kajro. Zyrtarët nga Izraeli, Katari dhe SHBA filluan të enjten “diskutime intensive” për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit, tha në një deklaratë shërbimi shtetëror i informacionit të Egjiptit, të ejten vonë
Nisja e bisedimeve ndihmon në shmangien e një kolapsi të armëpushimit, faza e parë e të cilit do të përfundojë të shtunën.
“Ndërmjetësuesit po diskutojnë gjithashtu mënyrat për të përmirësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë dhe për të mbështetur stabilitetin në rajon,” tha Egjipti.
Sipas marrëveshjes, armëpushimi mbetet në fuqi gjatë bisedimeve për fazën e dytë, të cilat synojnë të negociojnë përfundimin e luftës, duke përfshirë kthimin e të gjithë pengjeve të mbetura në Gaza që janë gjallë, dhe tërheqjen e të gjitha trupave izraelite nga territori. Kthimi i pengjeve të mbetura të vdekur do të ndodhte në fazën e tretë.
Armëpushimi fillestar, i ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti dhe Katari, i dha fund luftës 15 mujore që shpërtheu pas sulmit të Hamasit në 2023 në Izraelin jugor.
Sulmet gjenocidale të Izraelit kanë vrarë më shumë se 48,000 palestinezë, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Sulmet zhvendosën rreth 90% të popullsisë së Gazës dhe shkatërruan infrastrukturën dhe sistemin shëndetësor të territorit.
Njoftimi erdhi një ditë pasi Hamasi dorëzoi eshtrat e katër pengjeve në këmbim të lirimit të më shumë se 600 të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, shkëmbimi i fundit i planifikuar i fazës së parë të armëpushimit.
Hamasi ka thënë se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet e mbetura me një hap, nëse bie dakord për fazën e dytë. Ajo ka kthyer deri më tani 33 pengje, duke përfshirë tetë trupa, në këmbim të afro 2000 të burgosurve palestinezë.
Zhvillimet e mëtejshme mund të varen nga një vizitë e të dërguarit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i cili pritet në rajon në ditët në vijim.
I pyetur nëse faza e dytë e armëpushimit do të realizohej, Trump tha se qeveria e tij kishte bisedime të mira për Gazën dhe se ai mendonte se po dilte me zgjidhje për problemet në Lindjen e Mesme.
“Unë mendoj se ne do të dalim me disa zgjidhje mjaft të mira, por faza e parë është pothuajse e përfunduar,” tha Trump në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin britanik Keir Starmer.
Disa orë para fillimit të bisedimeve, një zyrtar izraelit tha se vendi nuk do të tërhiqej nga një korridor strategjik në Rripin e Gazës, siç kërkohet sipas armëpushimit, një refuzim që mund të komplikojë rëndë negociatat me Hamasin dhe ndërmjetësin kryesor Egjiptin në një moment të ndjeshëm për armëpushimin e brishtë.
Hamasi tha se çdo përpjekje izraelite për të mbajtur një zonë tampon në korridorin e Filadelfit do të ishte një “shkelje e hapur” e marrëveshjes së armëpushimit. Grupi thotë se respektimi i marrëveshjes është e vetmja mënyrë që Izraeli të sigurojë lirimin e dhjetëra pengjeve që ende mbahen në Gaza.
Izraeli duhej të fillonte tërheqjen nga korridori të shtunën dhe ta përfundonte brenda tetë ditësh. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm për korridorin nga Egjipti, i cili është kundër çdo pranie izraelite në anën e Gazës të kufirit të tij.