Gjendet i vdekur në një banesë në Prishtinë vëllai i “Unikatilit”! Policia e Kosovës jep detajet e para për ngjarjen
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen kësaj të diele (2 mars) në Prishtinë, ku është gjetur i pajetë në një banesë Mentor Palokaj, vëllai i reperit Viktor Palokaj, i njohur me emrin e artit si “Unikatili”.

Siç raportojnë mediat kosovare, ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë. Policia ka konfirmuar lajmin, ku thotë se vdekja e tij u konstatua nga ekipi mjekësor në vendngjarje.
“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në lagjen Arbëria në Prishtinë. Viktimë në këtë rast është një mashkull (1983), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, tha më herët zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlora Ahmeti për mediat.

Rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së ti mbeten ende të paqarta, ndërsa vdekja e Mentor Palokaj është konfirmuar edhe nga një anëtar tjetër i TBA, Sadik Gjokaj, i njohur si “Kobra”.
Në një postim në Facebook, Kobra u shpreh i tronditur për rastin.
“I tronditur nga vdekja e parakohshme të shokut tim Mentor Palokaj, pusho në paqe”, ka shkruar ai.