Tue, Mar 4, 2025

FOTO/ 5 fitore radhazi, tani Juve sheh nga kreu, por Motta “driblon” titullin (VIDEO)

  • PublishedMarch 4, 2025

FOTO/ 5 fitore radhazi, tani Juve sheh nga kreu, por Motta “driblon” titullin (VIDEO)

5 fitore në 5 ndeshjet e fundit në Serie A janë shifra që mbajnë të ndezur sezonin e “Zonjës së Vjetër”. Pas eliminimit nga Kupa e Italisë, Juve reagoi fuqishëm në Serie A, i vetmi vend ku janë ende në lojë, madje tifozët më të çmendur mund të mendojnë edhe për titullin në një kohë kur Inter nuk është shumë larg, vetëm 6 pikë. Në “Stadium”, ekipi i Thiago Motta-s kaloi edhe Verona-n, triumfuan me rezultatin 2-0 duke përforcuar fillimisht pozitat në zonën Champions, në kuotën e 52 pikëve, plus 2 nga Lazio.

Kjo nuk ishte një sfidë e lehtë për Juven, u pa qartë që në fillim pasi Verona nuk qëndroi pasive, përkundrazi, në fundin e pjesës së parë realizuan një super gol, por për fatin e tyre të keq gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Situata ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë pasi Juve mori kontrollin e lojës.

Në minutën e 72-të, Thuram në zonë goditi saktë duke kaluar “Zonjën e Vjetër” në avantazh. Juve u tregua e kujdesshme duke mos rrezikuar këtë trepikësh, ndërsa në fundin e ndeshjes, në minutën e 90-të, Koopmeiners realizoi golin e dytë dhe të qetësisë.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Juve del sipër apo reagimi i Juves”, ishin disa nga titujt kryesorë në të përditshmet italiane. Pavarësisht se në letër, Juve është në garë edhe për titullin në Serie A, Thiago Motta nuk preferon të shoh kaq larg, të paktën jo për momentin:

“Jam i lumtur për ndeshjen që zhvilluam kundër Verona-s. Në përgjithësi duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje, të luajmë gjithnjë për të fituar, siç bëmë kundër Verona-s. Tani kemi disa ditë kohë për t’u rikuperuar, të përgatitemi si duhet për sfidën kundër Atalanta-s, duhet të përgatitemi mirë pasi të gjithë e dinë se sa të fortë janë, do të jetë një ndeshje e vështirë”, u shpreh Motta.


AlbaniaWeb.net