FOTO/ Dyshja e “artë” nderon Inter, zikaltërit triumfojnë në Holandë, mediat italiane: Thuram-Lautaro të ngjallin frikën
Nuk ishte Inter në versionin më të mirë, por mjafton për të “thyer” 2-0 Feyenoord, një rezultat i rëndësishëm që i jep një bonus të madh për ndeshjen e kthimit, për të siguruar një biletë për në fazën çerekfinale të Champions League. Inzaghi i qëndroi besnik idesë së tij, formacionit të tij tipik, 3-5-2, duke spostuar Bastonin në krahë të majtë, ndërsa i besoi dhe një fanellë titullari Kristjan Asllanit, me Calhanoglu-n jashtë forme.
Holandezët i trembën në fillim, ishin më këmbëngulës, por në minutën e 38-të, Thuram i shërbyer në zonë me një veprim akrobatik kaloi Inter në avantazh. Në fraksionin e dytë, zikaltërit morën kontrollin e lojës, në minutën e 50-të, Martinez përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të fortë dyfishoi shifrat duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë të Interit në Champions.
Zikaltërit kishin shansin e artë të mbyllin këtë sfidë që në Holandë, por Zielinski gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Feyenoord kishte shansin të rihapte ndeshjen, por ishin të pafat duke goditur traversën. Me një avantazh të dyfishtë, Inter kthehet i qetë në Milano, për të mbyllur kualifikimin më 11 mars në “San Siro”.
Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi, zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, justifikoi besimin e Inzaghi-t duke u vlerësuar nga mediat me notën 6-të.
“Dyshja e artë. Champions, Inter hipotekon kualifikimin”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë, titull shoqëruar me foton e dyshes Thuram-Lautaro. “Të ngjallin frikën”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.
()