Legjionarët/ Mehmeti dhe Qazim Laçi “shkëlqejnë”, Uzuni i pafat, skuadra e tij mundet sërish
Anis Mehmeti vazhdon të shkëlqejë në kampionatin e kategorisë së dytë angleze të futbollit, kur të shtunën ai ka shënuar golin e tij të 12 të sezonit, i cili është padyshim më i miri i karrierës për anësorin e sulmit.
Futbollisti i cili pritet të jetë pjesë e listës së trajnerit Silvinjo për ndeshjet e muajit mars, ka shënuar golin e 12-të sezonal në ndeshjen që Bristol luante ndaj Hall Siti. Në pjesën e dytë të takimit, Mehmeti ia doli të shënonte me një penallti, duke e transformuar atë me qetësi për të barazuar përkohësisht shifrat në 1-1.
Lojtari shqiptar është kthyer ndër emrat më të rëndësishëm të Bristolit dhe Championship, teksa për të së fundi kanë shfaqur interes edhe klube të rëndësishme të cilat synojnë të bëhen pjesë e Premier Ligës.
Ndërkohë vijon forma pozitive e Qazim Laçit, i cili po kalon një moment të mirë te Sparta e Pragës, në elitën e futbollit çek, teksa mbrëmjen së shtunës, mesfushori kuqezi kontribuoi me asist në derbin ndaj kryesuesve të Slavias së Pragës, ku skuadra e tij triumfoi me rezultatin 2 me 0.
Në minutën e 51-të, mesfushori u bë protagonist me një asist mjaft të bukur nga goditja e këndit, për Zeleni, që gjeti rrugën e rrjetës duke zhbllokuar sfidën. Goli i dytë u shënua nga Haraslin në minutën e 57-të, për suksesin e Sparta Pragës 2 me 0 ndaj kryesuesëve të kampionatit çek
Në 21 ndeshje në kampionat, Laçi ka regjistruar 2 gola dhe 4 asiste, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Spartës në vitin 2025.
Ndërkohë i pafat Myrto Uzuni në Amerikë, pasi skaudra e Austin është mundur edhe në javën e dytë të kampionatit amerikan me rezultatin 0-1, në shtëpi ndaj ekipit të Colorado Rapids. Miqtë triumfuan falë një goli që në pjesën e parë të realizuar nga Rafael Navarro, ndërkohë që sulmuesi i kombëtares tonë u aktivizua për 71 minuta lojë nga trajneri spanjoll Estevez.
Megjithatë një paraqitje e mire e Uzunit duhet thënë, që nga site i spezcializuar i statistikave “Sofascore” Myrto Uzuni u vlerësua me notën 7.
