Mon, Mar 10, 2025

Skënderbeu në prag, Abilaliaj: Duam të dalim nga kjo situatë negative, të luajmë si grup

  • PublishedMarch 9, 2025

Skënderbeu në prag, Abilaliaj: Duam të dalim nga kjo situatë negative, të luajmë si grup

Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj doli në konferencë para ndeshjes ndaj Skënderbeut.

“Mungesa e fitoreve? Të them të drejtën nuk është një situatë që do të dëshironim. Po mundohemi që të dalim nga kjo situatë të paktën përsa i përket pjesës së kampionatit. Mund të jemi deri diku të kënaqur përsa i përket aspektit të lojës së ekipit. Gjithsesi keqardhje për pikët sepse po na kushtojnë gabimet individuale dhe nuk po arrijmë të marrim 3 pikët.

Ndeshja me Skënderbeun? Duke ditur që Skënderbeu është një kundërshtar i vështirë në fushën e vet, kanë uri për pikë ashtu sikurse edhe ne. Mendoj që do jetë një ndeshje të cilën ashtu si e kemi përgatitur dhe me kontigjentin që kemi do të na gjej gati.

Presion për të ruajtur vendin në zonën e “Final 4”? Duke patur parasysh që në këtë kampionat të gjitha ekipet janë të ngjeshura si poshtë edhe lart tabelës, patjetër përgjigjësia është për tu rikthyer te fitoret, për të bërë mirë në fushën e lojës. Presioni është te të gjithë duke filluar po themi nga mua i pari e deri te futbollisti më i fundit, është për të arritur maksimumin në çdo ndeshje. Përderisa nuk e kemi bërë deri tani, na del për detyrë që të gjejmë rrugën e fitores. Ky besoj është një presion pozitiv për vetë faktin se në cilin klub jemi pjesë. Kontigjenti i lojtarëve është mjaft i madh, është cilësor për të shkuar te fitorja.

E kam thënë edhe më përpara që të drejtosh Partizanin është privilegj. Ky privilegj mbart në vetvete presionin mbi shpatulla për të bërë gjithmonë mirë. Pothuajse është e pamundur që të arrish dhe të bësh mirë në çdo ndeshje , por në pikën që jemi normalisht na duhet fitorja. Në këtë moment një rezultat pozitiv do të kthente rrjedhën e këtij grupi. E përsëris është një grup që ka përballuar mjaft vështirësi edhe më parë kështu që nuk është as e para as e fundit kjo situatë në cilën ndodhemi tani.

Në dy ndeshjet e fundit jeni ankuar për disa episode? Mund të them reklamim jo ankim. Kam përshtypjen që nuk më takon mua duke qenë në fushën e lojës, por keqardhje për vetë faktin që në 3 apo 4 ndeshjet e fundit metri që është përdorur kundrejt ekipit dhe standarti që është përdorur me ekipin kundërshtar në fushë nuk ka qenë e njëjta qasje. Kjo të pengon të arrish te rezultati. Në 3 përballjet e fundit nuk kemi arritur ta përfundojmë një ndeshje me të gjithë lojtarët. Përpos kësaj mungojnë edhe penallti që për mendimin tim janë shumë të dukshme. Kjo është diçka për tu alarmuar, sepse në një kampionat si ky i yni ku episodet mundet të determinojnë shumë çka më vjen. Duke patur parasysh volumin e punës që po bëjnë futbollistët, dëshirën e mirë që ka gjithsecili nga ne për t’iu rikthyer rezultateve pozitive bëhet pak e vështirë. Në 3 -4 ndeshjet e fundit mungojnë 3 penallti, 3 kartonë të kuq të marrë në çdo ndeshje. Jo vetëm te ne por ndoshta edhe te ndonjë skuadër shumë herë më e madhe se ne do të ndikonte ngativisht në grup.”, shprehet Abilaliaj.


AlbaniaWeb.net