Mon, Mar 10, 2025

“Dopietë” golash dhe lojtari i ndeshjes, Daku rikthehet në super formë, feston edhe Sylvinho (VIDEO)

  • PublishedMarch 10, 2025

“Dopietë” golash dhe lojtari i ndeshjes, Daku rikthehet në super formë, feston edhe Sylvinho (VIDEO)

Të “infektuar” nga dëmtimet e shumta, mbi të gjitha në fazën ofensive, pak përpara startit të kualifikueseve të Botërorit, Sylvinho ka një arsye të fortë për të buzëqeshur. Mirlind Daku është rikthyer në versionin e tij më të mirë, është rikthyer të gjejë rrugën e rrjetës dhe këtë e bëri përballë një prej ekipeve pretendente për titull në Rusi, Spartak Moskës.

“Bomberi” kuqezi ishte i papërmbajtshëm në këtë takim duke realizuar një “dopietë” golash brenda 28 minutave. Fillimisht, Daku përfitoi nga një gafë e miqve dhe me një goditje shumë të bukur brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë. Në minutën e 28-të, Daku u shërbye saktë në shtyllën e dytë, fitoi duelin ajror dhe me kokë dyfishoi shifrat.

Festa ishte e ligjshme, por Daku u ndëshkua me karton të verdhë. Në fraksionin e dytë mori një tjetër karton të verdhë duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë, por për fatin e mirë nuk ndikoi në rezultat, me Rubin Kazan që doli me 3 pikë pas suksesit 2-1.

Në fund të këtij takimi, Daku u vlerësua si lojtari i ndeshjes, ndërsa u prit si hero në dhomat e zhveshjes. Me këtë dygolësh, Daku shkon në kuotën e 11 finalizimeve, 5 më pak se golashënuesi më i mirë në Rusi.

()


AlbaniaWeb.net