Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ervin Salianjit, mbetet në fuqi dënimi me 1 vit burg për çështjen “Babale”

Gjykata e Lartë njoftoi të martën më 11 mars se vendosi të mos pranojë rekurset e paraqitura nga ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji dhe gazetari Jetimor Olldashi, të deklaruar fajtorë e të dënuar për kallëzim të rremë me vendim të formës së prerë, lidhur me çështjen e njohur publikisht si dosja “Babale”.
Më 26 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi vendimmarrjen e Shkallës së Parë për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji – dënim që pas rrëzimit të rekursit do të shlyhet i plotë prej të gjykuarit. Pas shpalljes së atij vendimi, Salianji e denoncoi procesin si të montuar nga fillimi në fund dhe e quajti veten një të dënuar politik.
Dënimi ndaj Salianjit lidhet me një audio-përgjim të publikuar prej tij në Partinë Demokratike në maj të vitit 2018, ku aludohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafajt bisedonte me një shtetas të quajtur Albert Veliu në lidhje me trafikun e drogës.
Pas publikimit të audio-përgjimit, Geron Xhafaj kreu kallëzim për akuzuesit e tij, duke pretenduar se audio-përgjimi ishte i sajuar. Pasi kreu kallëzimin, Geron Xhafaj iu dorëzua autoriteteve italiane të drejtësisë për të vuajtur atje një dënim më të hershëm për trafik droge.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Për të pandehurin Albert Veliu u vendos dënimi me 10 muaj burg për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit” dhe 2 vjet e 10 muaj burgim “Kallëzim i rremë” në bashkëpunim, që në bashkim të tyre u vendos dënimi final me 3 vjet e 5 muaj burgim. Fredi Alizoti u dënua me 2 vjet burgim për “Kallëzim të rremë”.
Sipas nenit 71 të Kushtetutës, dënimi penal me vendim gjyqësor të formës së prerë është shkak për mbarimin e mandatit të deputetit ose pavlefshmërinë e tij.