Wed, Mar 12, 2025

Listat ose kapela e hedhur në “ringun elektoral”

  • PublishedMarch 11, 2025

Listat ose kapela e hedhur në “ringun elektoral”

GËZIM TUSHI

Ndihet tensioni listave në “eterin politik”, por edhe në opinionin publik. Këto janë ditë të selekesionimit vendimtar. Kjo është arsyeja pse vëmendja partiake dhe observatorët individualë janë të ingranuar për të ndjekur hap pas hapi “humoret” e liderëve, vendimmarrjen dhe formulimin përfundimtar të listave të kandidatëve për deputetë. Sytë nga godina prezentabël e Parlamentit i kanë drejtuar të gjithë.

Në radhë të parë “kuajt e vjetër” të politikës, me dyshime për kontinuitetin e diskutueshëm të mandatit të tyre, por edhe “mëtonjësit” e rinj, që kanë shpresa për të intervenuar në këtë “aulë” të rëndësishme të pushtetit. Nuk e di se çfarë “teknologjie përzgjedhëse” kanë përdoruar, mbi çfarë kritere meritokratike e cilësi të personalizuara do mund të ketë në vlerësimin, çfarë enumeracioni vlerash politike, sociale e personale do të merren parasysh, si kusht dhe mënyrë objektive për të bërë “seleksionim meritokratik”. A kanë bërë sondazhe verbale apo elektronike, takime e konsulta për këtë çështje partitë politike, si mjet për të garantuar cilësitë ekskluzive të kandidatëve të përzgjedhur me statusin e politikanit profesionist, por edhe si “kuaj beteje” dhe për t’u ballafaquar me dinjitet në këtë fushatë? A janë ata personazhet e duhur, me të cilin mund të mbahen premtimet publike se nëpërmjet këtyre kandidaturave synohet të “gatuhet brumi” transformues dhe i rinovuar i bazamentit të elitës së ardhshme politike? Bie fare kollaj në sy një sulm i madh, herë i heshtur e herë frontal i njerëzve që e kanë bindur veten dhe që me çdo kusht duan të bëhen patjetër deputetë.

Personalisht mendoj se, edhe pse duket sikur është gjendje hermetike e situatë normale gare e konkurrence brenda partiake, te disa në mënyra të ndryshme, me poza militanteske, sjellje humaniste e populiste, dukshëm të sforcuara dhe në jo pak raste edhe qesharake, shfaqet një eufori e dyshimtë. Dhe nuk janë pak, ata që i kanë mbushur mendjen vetes, shfaqin pretenciozitet paraprak, besim të “patundur”, se janë në gjendje, kanë staturë civile, politike, publike, vlerat qytetare, morale personale, kulturën, aftësitë komplementare profesionale, për të drejtuar veten drejt “brigjeve” të sigurta për të “hipur” në “anijen” e Parlamentit të ardhshëm. Një tendencë shumë frenetike, e shoqëruar me patologji dhe eufori eksentrike, pa marrë parasysh refleksionet momentale të opinionit publik. Kam frikë se disa prej atyre që synojnë parlamentin, të përfshirë nga entuziazmi, ambicia, egoizmi politik, kanë humbur aftësinë për të bërë “autospeksionin e vetes”.

Duke parë situatën, duket se shumë njerëz të vjetër dhe të rinj e kanë bërë politikën qëllim të determinuar në vetvete, bashkë me dëshirën euforike për t’u bërë deputet profesionist dhe misionar politik. Deri këtu nuk ka gjë të keqe. Por si qytetarë, koha na ka bërë të jemi ballafaquar shumë herë me shumë metamorfoza njerëzore, pikërisht të “njeriut politik”, deputet apo pushtetar, disa prej të cilëve, këtë aspiratë të nisur pozitivisht në fillim, e kanë “transformuar” gjatë rrugëtimit politik, duke u kthyer nga politikan publik në “deputet për vete”, qëllime pragmatiste dhe objektiva material komplementare. Doemos “kur digjesh nga qulli, i fryn edhe kosit”. Sepse për çudi, disa politikanë deputetë, e kanë transformuar politikën, qenien e tyre politike nga një mision për interes publik, në “kënetë personale”, nga që nuk kanë mundur të mbrojnë veten nga tundimet korruptive, rreziku i njollosjes financiare, lidhjet nepotike apo devijimet morale. Këto patologji janë të njohura në politologji si e metë, mangësi endemike që shfaqet dhe është e lidhur me personalitetin, formimin civil, moral, kulturor të “njeriut politik”.

Nga e cila nuk janë të imunizuar apriori, ata që këtë ditë aspirojnë dhe duan të bëhen deputetë. Kur analizon strukturën, tipologjinë e deputetëve aktualë, natyrshëm të lind një pyetje, që është endemike, por që në arealin e partive tona, akoma nuk ka marrë një përgjigje adekuate: Është politika që nxit këto tipare të njeriut kur bëhet politikan apo deputet, apo asaj i duhen, i përshtaten njerëz me tipare të tilla? Nuk kam asnjë dyshim që politika shqiptare është e infektuar nga makiavelizmi politik, nga që ka politikanë, që edhe pse nuk e njohin teorikisht sintagmën makiaveljane, me intuitë kryejnë veprime në thelb amorale duke konfirmuar atë që Hegeli thoshte, se e keqja që i shërben politikës pushon së qeni e keqe dhe bëhet e mirë”. Julien Benda “Tradhtia e intelektualëve”, f 170. Më duket se aspektet e formimit elitar kulturor të atyre që do jenë në listat për deputetë, duhet të vlerësohen seriozisht, duke shmangur njerëz që edhe pse janë politikisht pretenciozë kanë mangësi, kanë mbetur në nivele të ulëta të arsyetimeve empirike, argumentimeve të përcipta e bajate, të formuluara gjuhësisht cekët, pa pasur cilësitë e pashmangshme elegancës komunikative. Padyshim formimi kulturor, profesional dhe akademik, kreditet universitare, janë një “stacion i pashmangshëm” për karrierën e njeriut që synon të bëhet politikan profesionist. Por kjo nuk është as e mjaftueshme as i vetmi kriter i matjes së vlerave dhe përzgjedhjes. Absolutisht është me vlerë, gjykimi i ish-Kancelarit Kohl: “Unë e mbaj për një gabim të rëndë, nëse dikush pa pasur truall të fortë nën këmbët e veta, i hyn menjëherë politikës”. …Ëerner Maser, “Helmut Kohl-Kancelari gjerman”, f 68.

Historia e parlamentit që po mbyll mandatin tregon se janë bërë të neveritshme këto kufizime tek jo pak deputetë, të cilët janë shumë larg standardeve të elitës intelektuale, shkencore e kulturore të këtij vendi dhe që në mënyrë të sforcuar janë përpjekur të mbulojnë atë që “duket sheshit” dhe e shikojnë të gjithë qytetarët me slogane, duke përdorur mekanikisht shabllonet klasike të narracionit të vjetër politik. Të cilat as të “ngrohin” as të “ftohin”, nga që nuk janë të besueshme ose të formuluara me naivitet evident. Në këto zgjedhje, ata që pretendojnë të zënë karriget e Kuvendit dhe që synojnë të kenë dinjitet politik, afirmim publik, duhet t’i bëjnë analizë vetes, për të kuptuar peshën e rëndë, kuintesencën e asaj që synojnë. Duke evidentuar këtë paradigmë të politikës, ish-Presidenti Barak Obama thekson se, “Është në traditën amerikane që problemet e politikës sonë t’ua atribuojmë cilësisë së politikanëve”. “Guximi për të shpresuar” f. 131. Natyrisht, ajo që presin qytetarët, është jo vetëm nevoja për të pasur deputetë të rinj, por edhe qarkullim të elitës parlamentare. Sepse teorikisht dhe praktikisht është e vërtetë e njohur paradigma, të cilën e kanë thënë politologët dhe sociologët, se historia politike është “qarkullim elitash”, si mënyrë për të zëvendësuar forcat e vjetra me forca të reja energjike. Por, kjo nuk do të thotë që automatikisht në emër të moshës apo nevojës së “qarkullimit”, të harrojmë vlerat dhe kontributet “përtej moshore” të njerëzve që kanë treguar pjekuri, kanë dhënë kontribute dhe kanë dëshmuar aftësi politike. Por me sa duket, asgjë që mendojmë dhe themi në këto momente nuk është e pamundur të ndodhë. Kam dëgjuar deklarata liderësh, apo vlerësime empirike të shoqëruara me entuziazëm të nxituar elektoral, të cilat nuk mund të jenë indikatorë të sigurt, për të vlerësuar objektivisht preferencat zgjedhore të individëve, grupeve apo shtresave më të gjëra sociale.

Nëse analizon debatet politike mediatike apo parlamentare, fare lehtë e kupton se jo të gjithë politikanët, sidomos një pjesë e mirë e deputetëve, për shkak të mungesave endemike në staturën e formimit të tyre qytetar, politik e intelektual, nuk dinë ose nuk kanë mundësi të komunikojnë si duhet me elektoratin e tyre, ngaqë u mungon aftësia e artikulimit elokuent, maturia, qetësia dhe konsensualiteti, sidomos komunikojnë jo vetëm me militantët e tyre, por sidomos me të “tjerët politikë”, si parakusht për të gjetur “telat social” të individëve si komunitet social apo grupacion politik. Kjo mund të ndodhë edhe tani. “Topi është në fushën” e partive politike dhe liderëve të tyre. Ata nuk duhet ta harrojnë këtë përgjegjësi, që është historike në këto momente të definimit të listave. Sepse koha ka treguar, se kur vlerësimet përzgjedhëse kanë qenë me kritere të sipërfaqshme, nepotike apo krahinariste, në jo pak raste kanë mundur të penetrojnë në aulën e parlamentit njerëz, që i kemi votuar si të zgjedhur për “virtyte sociale”, por ka rezultuar se kanë qenë njerëz me vese të maskuara, të infektuar sidomos nga lakmia, nga ky ves i ekskluzivisht i dënueshëm për politikanët. Realiteti na sjell fakte, se disa nga të zgjedhurit si deputetë, të konsideruar si pjesë e “elitës politike”, nuk kanë dëshmuar ndonjë “koeficient të dallueshëm atributesh personale”, që t’i dallojë, apo që të jenë ndryshe nga njerëzit e zakonshëm. Sociologët, shkencëtarët e shkencave politike, analistët kanë evidentuar një lloj paradoksi social, si dukuri endemike për politikën.

Sepse “Vetëm në politikë, ku pozicioni mund të arrihet përmes aftësisë për të rekrutuar ndjekës, ose nëpërmjet patronazhit, ekziston një shkallë relativisht e lirë për t’u ngjitur pa kredenciale zyrtare”. Daniel Bell “Ardhja e shoqërisë postindustriale”, f. 555. Akoma më keq, kur edhe pse duan të “ngjitin” shkallët e Parlamentit, nuk janë në gjendje që të bëhen të ndërgjegjshëm për të administruar kontradiktën, që është brenda, por edhe jashtë mundësive të tyre, për të bërë dallimin midis premtimeve, “fjalëve pa bukë” të fushatës, në raport me qëndrimin e “frakturuar” që mbajnë kur mandatohen si deputetë. Këto ditë ata as që i mendojnë këto gjëra si sfida politike e personale. Qëllimi është të bëjnë çdo gjë që zënë vend në “Varkën e Parlamentit”, pastaj janë të qetë. As premtimet i mbajnë, as kanë më qejf të turbullojnë “ujërat e qeta të deputetit” indiferent apo parazit. Koha ka treguar se disa njerëz para se të zgjidheshin, kanë premtuar se do “ndryshonin botën”, por në fakt kanë ndryshuar më shumë statusin e vetes, në të gjitha kuptimet. Shoqëria ka hyrë në epokën e politikës moderne. Gjërat kanë ndryshuar, ka ndryshuar kultura qytetare dhe pritshmëritë politike. Shikoni, mos t’u duket çudi partive politike, nëse nuk kuptojnë se rezultati final në këto zgjedhje do të ketë një lidhje interesante “shkak-pasojë”.

Që do të thotë, se një nga komponentët determinant të rezultatit, do ketë si shkak, jo të vetëm natyrisht, mënyrën e zgjedhjes dhe përzgjedhjes së kandidatë për deputetë. Formulimi i listave në saje të Ligjit Elektoral është prerogativë e strukturave kryesore drejtuese të partive. Por me sa duket, vendimmarrja do jetë më shumë prerogativë e personalizuar e drejtuesve kryesorë. Presioni mbi ta është i madh, i vështirë për t’u përballuar me drejtësi dhe dinjitet. Nuk e di sa do jenë ata në gjendje, ta luajnë ndershmërisht rolin sipas pozicionit që kanë, në këtë moment me rëndësi kruciale. Nëse janë të vendosur për të bërë më të mirën, duhet të kuptojnë se këto janë ditët e fundit, kur ata duhet të bëhen gati për të “hedhur kapelën” në ringun elektoral. Shumë të rrezikshëm në këto momente janë “skuthat” e vjetër dhe të rinj të politikës, që me çdo kusht duan të bëhen deputetë. Dakord, por parlamenti nuk do njerëz, që për shkak të mungesës së aftësisë apo të cilësive të duhura morale e qytetare, kthehen në parazitë, që “mbahen me bukë nga njerëzit e zellshëm të këtij vendi” (H. Kohl). Apo që ta shfrytëzojnë bukur mirë “karrigen e deputetit”, për interesat e tyre.

Besoj se ka ikur koha e moduleve leniniste sipas të cilit “…drejtimi i një shoqërie do të ishte po aq i thjeshtë sa dhe drejtimi i zyrës së postës dhe administrata do bëhej aq e thjeshtë sa edhe një këpucar mund të bëhej administrator”. Daniel Bell f. 498 Ndaj, nuk është kaq e thjeshtë, përgjegjësia e listave të deputetëve, që me shumë interes po i presin njerëzit, si qytetar, si “zgjedhës”, jo thjesht si “votues”. Sepse në këto lista janë drejtuesit politikë të shoqërisë, burrat e ardhshëm të shtetit. Qytetarët presin një Parlament të Ri, jo thjesht për përbërjen gjeografike, profesionale, strukturore, gjinore, moshore, por kërkojnë një “trupë politike” që të mund ta kryejë misionin e vet me cilësi, kompetencë e sovranitet. Nëse politika nuk e bën “purifikimin e ekzistueses” nuk garanton cilësinë e prurjeve të reja parlamentare, nëse nuk peshon vlerat e dhe antivlerat midis politikanëve që kemi sot si deputetë dhe atyre që aspirojnë të bëhen të tillë, atëherë kjo është shenjë e sigurt se politika jonë nuk ka aftësinë, guximin e duhur të ndryshojë brenda vetes. Nëse ndodh kështu, atëherë ky është tregues se politika ka “rënë në pikë të vdekur”./Gazeta Panorama