Prokurorët e SPAK paraqitën prova të reja kundër Veliajt në Apelin e GJKKO-së, Klodiana Lala: Pozita e kryebashkiakut mund të rëndohet
Teksa Apeli i GJKKO-së ka shtyrë seancën për të marrë vendimin ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili kërkon lirinë, prokurorët e posaçëm të çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado kanë paraqitur prova të reja para togave të zeza.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se këto prova, mund të rëndojnë pozitën e kreut të Bashkisë së Tiranës.
“Veliaj kundërshton masën e sigurisë duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushte dhe kritere të prishë provat dhe do të ndihet i lirë për të shkuar në punë.
Fakti që SPAK ka sjellë prova të reja, kjo mesa duket e rëndon deri diku pozitën e Veliajt, i cili ka diskutuar deri më tani mbi bazën e provave që kanë patur në dispozicion”, tha ajo.
Sakaq, seanca e Apelit të Posaçëm për Veliajn do të mbahet më 12 mars, ora 12:30.
Në seancën e sotme kanë shprehur argumentët e tyre avokatët e të pandehurve, por Erion Veliaj nuk ka arritur t’i parashtrojë ato para togave të zeza.
LEXONI EDHE: Erion Veliaj në kërkim të lirisë, Apeli i GJKKO-së shtyn vendimin për kryebashkiakun ditën e mërkurë! Ja arsyeja
Apeli i Posaçëm, pasi ka dëgjuar të gjithë argumentet të avokatëve e të pandehurve, gjykata u ka lënë mundësinë e dy prokurorëve të çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani, të paraqesin argumentet e tyre.
Gjatë fjalës së tyre, që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, Dumani ka paraqitur në Apelin e GJKKO-së disa prova te reja, që sipas tij provojnë dyshime të arsyeshme se Veliaj është përfshirë në veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave e ka lidhje klienteliste me biznesmenë, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Kështu, përfaqësuesit ligjorë të Veliajt kërkuan kohë te njihen me këto prova e të japin konkluzionet e tyre.
Kujtojmë se më herët, avokati i Veliajt, Ermir Beta ka bërë parashtrimet dhe duke këmbëngulur që masa e sigurisë “arrest në burg” për Veliajn, duhet të shfuqizohet dhe se kryebashkiakut të Tiranës t’i jepet mundësia të dalë nga paraburgimi.
Ai ka thënë se Veliaj nuk ka asnjë rrezik të prishë provat apo ti dëmtojë ato si dhe as të intimidojë dëshmitarët.
Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u arrestua më 10 shkurt, po e shqyrton gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Në të njëjtën seancë, janë paraqitur për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në arrest me burg dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në detyrim paraqitjeje.