Momenti i mirë ne kampionat, Kukësi piketon Korabin dhe shpreson te parakalimi në renditje
Dy fitoret e fundit përballë rivalëve direkt për mbijetesë, si Valbona dhe Erzeni, praktikisht i kanë siguruar Kukësit evitimin e rënies në mënyrë direkt nga kategoria. Kjo bën që ata të jenë më të qetë deri në fund të kampionatit me synim të shohin sa më lart.
Objektivi i bluve të trajnerit Tafaj është largimi sa më parë edhe nga zona “play out”, që mbajnë aktualisht. Diferenca me kundërshtarët që për momentin janë në zonën e sigurisë, si Apolonia dhe Kastrioti, janë vetëm katër pikë dhe gjithçka është e mundur për t’u arritur. Për më tepër, kuksianët kanë edhe një kalendar më të favorshëm, sepse i kanë luajtur të trija ndeshjet me pretendentët dhe deri në fund ka përballje me rivalë që mund t’i mundë.
Megjithatë, fillimisht synimi është që të vazhdojnë me ecurinë e rezultateve pozitive dhe të mundin kundërshtarin e kësaj jave, Korabin. Edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje transferte, në kampin kuksian llogaritë janë që të shkojnë për fitoren radhës. Nëse ndodh, Kukësi arrin të parakalojë Korabin në renditje. Bëhet fjalë për një moment të mirë, që në Kukës duan ta shfrytëzojnë në maksimum, për më tepër që me ndërrimin e trajnerit shpresojnë të kenë një impuls të ri.