Përfaqësuesit e ‘London School of Economics’ vijnë sot në Universitetin “Luarasi” për forcimin e bashkëpunimit akademik
Universiteti “Luarasi” ka nderin të mirëpresë përfaqësuesit e London School of Economics (LSE) në Tiranë, në kuadër të binjakëzimit të tij me këtë institucion të njohur ndërkombëtarisht. Vizita e përfaqësuesve të universitetit londinez do të përfshijë një seri aktivitetesh dhe ngjarjesh të rëndësishme që do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet të dyja institucioneve.
Sot përfaqësuesit e LSE do të mbërrijnë në Tiranë dhe do të mirëpriten nga stafi i Universitetit Luarasi. Në një ceremoni të veçantë do të bëhet prezantimi publik i bashkëpunimit mes “Luarasit” dhe LSE.
Fjalën e hapjes do ta mbajë znj. Fabiola Hysenbelliu, Presidente e Universitetit Luarasi, e cila do të përshëndesë të ftuarit dhe do të flasë për rëndësinë e bashkëpunimit me London School of Economics.
Një fjalë përshëndetëse do të mbajë Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve akademike për zhvillimin e vendit.
James Abdey, Associate Academic Director i LSE, do të flasë gjithashtu për mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjen e nivelit akademik, ndërsa Nick Abbott, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, është ftuar të nxisë përforcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Për të mbyllur fjalimet përshëndetëse, Prof. Ethem Ruka, Rektor i Universitetit Luarasi, do të flasë mbi rëndësinë e bashkëpunimit me LSE dhe mundësitë që do të hapen për studentët dhe stafin akademik.
Në vazhdim, do të zhvillohet një diskutim mbi bashkëpunimin mes Luarasit dhe LSE, i moderuar nga Anni Dasho, Zv. Rektore e Universitetit “Luarasi”, dhe Rob Inglesen, Përfaqësues i LSE. Ky diskutim do të fokusohet në mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të partneritetit akademik dhe shkëmbimin e njohurive mes dy institucioneve.
Në ditën e dytë të qëndrimit të përfaqësuesve të LSE në Tiranë, Rektori i Universitetit “Luarasi”, Prof. Dr. Ethem Ruka, do të mirëpresë përfaqësuesit e LSE në një pritje zyrtare. Pas kësaj, do të zhvillohet një trajnim i specializuar për stafin akademik të angazhuar në programet LSE, duke synuar përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kurrikulave dhe metodave të mësimdhënies. Gjatë pasditeve, do të organizohet një vizitë për të njohur qytetin e Tiranës dhe një tjetër mundësi për shkëmbim mendimesh dhe forcimin e lidhjeve profesionale do të vijë përmes një darke zyrtare.
Dita e tretë do të përfshijë sesione trajnimi të thelluara me stafin akademik dhe një masterclass për studentët e ardhshëm të programeve të LSE, ku do të diskutohen mundësitë e angazhimit në këto programe dhe përgatitja për studime të avancuara. Vizitat në qytetet e Durrësit dhe Krujës do t’u ofrojnë të ftuarve një mundësi për të mësuar më shumë rreth kulturës dhe historisë së Shqipërisë.
Kjo vizitë është një mundësi e shkëlqyer për të zhvilluar bashkëpunime të reja të Universitetit “Luarasi” dhe për të thelluar ato ekzistuese, duke kontribuar në ngritjen e nivelit akademik dhe promovimin e mundësive për studentët dhe profesorët.