Planet iu prishën për shkak të këmbës, Gentian Zenelaj rrëfen aksidentin që i ndodhi
Aktori Gentian Zenelaj kaloi një incident të vështirë që e detyroi të anulonte të gjitha shfaqjet. Në programin “Rudina”, aktori rikujton mëngjesin e nëntorit të vitit që lamë pas, një ditë krejt e zakonshme duke shëtitur qenin, Zigin por që mori një kthesë të shpejtë.
‘Ishte një ditë e bukur nëntori, data 5 nëntor po shëtisja qenin. Qeni im pa një qen rruge a një mace a nuk e di se çfarë. Më tërhoqi, s’isha as në celular se tani është bërë celulari edhe kur ecim probematik, jo më në makinë. Rrëzohem dhe thyej këmbën në dy vende.’
Më pas vijon biseda në studio me Rudinën:
Rudina Magjistari: Domethënë ti po tërhiqje qenin?
Gentian Zenelaj: Po nxirrja qenin shëtitje. Bari i lagur, pesha, nuk e di, i kam futur një ulërimë që duhet të jetë dëgjuar deri te Stacioni i Trenit. Ishte një thyerje e tmerrshme. Personi i parë që mora në telefon ishte Andia, as ambulancën jo, mora regjisoren e shfaqjes. Andia i thashë, kam thyer diçka. Andia kujtoi se tallesha se ishte ora 8 e gjysmë e mëngjesit. I thashë kam thyer diçka. Për momentin u ngrita në këmbë dhe po afrohesha që të gjeja makinën, të lija qenin, të shkoja në spital dhe kur fillova të eci çalë-çalë, thashë nuk e paskam thyer, kam ndoshta vetëm një tërheqje.
I thashë kam përshtypjen kam një tërheqje. Qeshi doktori, tha “futu të bëjmë një grafi”, tha “ke dy thyerje” dhe problemi ishte, të dëgjova kur më prezantove, the u detyrua të rrijë në shtëpi, kam qëndruar në shtëpi vetëm 12 orë.
Rudina Magjistari: 12 orë?
Gentian Zenelaj: Sepse kam qenë direkt në “Stop”. Pra jam operuar dhe kam dalë direkt në “Stop”. Çunat e Klanit më bënë ca rampa me dyer që të ngjitesha, ishte tmerr i madh, isha me dy paterica, ishte siklet i jashtëzakonshëm.
Ishin 600 bileta të prenotuara. Më vinte shumë keq për njerëzit. Njerëz që kishin bërë plane për ta parë, kishte ca që kishin ardhur edhe nga jashtë, rezervime të hershme dhe më vinte kaq zor, o Zot thosha, si do ia bëjmë? Duke shkuar në Spitalin Ushtarak, lusja Zotin, do Zoti është ndonjë tërheqje, të më bëjnë ndonjë gjë, të ma mbërthejnë disi që unë të dal në shfaqje atë ditë. “Jo”, më tha doktori, “ke dy thyerje shumë simpatike kështu që ti futesh në sallë dhe operohesh”. Pastaj operacioni i parë për t’i vënë hekurat dhe operacioni i dytë për t’i hequr hekurat. Ishte një siklet… më vinte keq për bashkëshorten, Aidën, më vinte keq për mamanë sepse njerëzit, kur një mashkull, s’po e them me mburrje, është pak a shumë lokomotiva e shtëpisë, gjithë barra i bie pastaj bashkëshortes. Aida në këto sprovat e mia, jo thyerje klavikule, bërryli, jo gjëra i ka rënë rasti disa herë që ta marrë ajo komandën në dorë dhe unë gjej rastin ta falënderoj publikisht për durimin që ka me mua, përkushtimin që ka.