VIDEO/ Kualifikohen Inter dhe Bayern, përplasen në çerekfinalen e Champions, PSG përmbys dhe çon në “ferr” Liverpoolin
Janë mësuar disa nga skuadrat çerekfinaliste të Champions League. Pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë, Bayern fiton edhe takimin e dytë ndaj Leverkusen, me shifrat 2-0. Në BayArena, shënuan Kane dhe Davies, në pjesën e dytë.
Nuk ka surpriza në Milano, teksa Inter eleminoi Feyenoordin. Zikaltërit, që fituan 2-0 në takimin e parë, në “San Siro” takimi u mbyll 2-1 për të besuarit e Inzaghit. Thuram zhbllokoi sfidën shumë shpejt, ndërsa holandezët barazuan falë Moder, i cili ekzekutoi saktë një 11-metërsh. Në fillimin e pjesës së dytë, Calhanoglu la gjurmë, duke “tundur rrjetën”. Në çerekfinale Inter dhe Bayern do të përballen me njëra-tjetrën, në një supersfidë italo-gjermane.
PSG përmbys humbjen 1-0 ndaj Liverpool në ndeshjen e parë. Parisienët fituan 1-0 (gol Dembele) në kohën e rregullt, koha shtesë nuk prodhoi gol, ndërsa nga pika e bardhë më të saktë u treguan kampionët e Francës.