Thu, Mar 13, 2025

Instituti shtetëror i Historisë, në shërbim të bindjeve politike

  • PublishedMarch 13, 2025

Instituti shtetëror i Historisë, në shërbim të bindjeve politike

ZENO JAHAJ
AGRON BERDAJ

Instituti i Historisë, sot strukturë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, paska botuar një kolanë për historinë e shqiptarëve gjatë shekullit të njëzetë, ku në vëllimin IV shtrembëron zhvillime kyçe të kësaj historie, ndërsa disa të tjera na japin përshtypjen se i interpreton sipas doktrinave naziste.

Instituti i Historisë shkruan: “Kur PKSH vuri në rend të ditës qëllimet politike dhe ideologjike komuniste, lufta e saj kundër gjermanëve, ndonëse vijoi pa u ndërprerë dhe ishte më e rëndësishmja në Shqipëri, devijoi nga detyra strategjike e çlirimit kombëtar, në luftë revolucionare për marrjen e pushtetit, pra në luftë civile”. Mjerimi në ligjet e mendimit dhe në çështje të strategjisë ushtarake e ka çuar Institutin në arsyetim kontravers: “Lufta kundër gjermanëve vijoi pa ndërprerje, por devijoi në luftë revolucionare për marrjen e pushtetit, pra në luftë civile”. Se si mund të bëhen dy luftëra njëherësh nga një popull i vogël, këtë vetëm Instituti i Historisë në Shqipëri guxon ta fantazojë, asnjë tjetër në botë. Dy luftëra njëherësh nuk i kanë mundësitë t’i kryejnë as fuqitë e mesme botërore. Madje, dy luftërave njëherësh iu tremben edhe fuqitë e mëdha botërore. Shqipëria, jo vetëm e asaj kohe, por e çdo kohe, nuk i ka pasur dhe nuk mund t’i ketë as numrin e popullsisë, as kapacitetet ekonomike dhe as mjetet ushtarake për të kryer dy luftëra njëherësh. Instituti shkruan se njëra nga këto “dy luftërat paralele” që bënte PKSH, paska qenë luftë për marrjen e pushtetit. Pyesim: Cila organizatë apo parti politike nuk lufton për marrje pushteti? A nuk u krijua Balli Kombëtar për të marrë pushtetin?

Po Legaliteti, a nuk u krijua që të rikthente formën e pushtetit që përfaqësonte dhe çmonte si të ligjshëm? Pastaj, kjo “ideologjia komuniste” që i “paska tjetërsuar” partizanët, në fakt as nuk ishte kuptuar, pa le më provuar! Sepse partizanët, 96.4% e të cilëve nuk ishin komunistë, kishin vënë peng kokën vetëm për një ideal: luftën kundër pushtuesit, jo për komunizmin. Instituti i Historisë vazhdon: “Lufta civile asgjësoi një pjesë të konsiderueshme të elitës politike dhe intelektuale të vendit, ndërsa pjesa tjetër e saj do të goditej e eliminohej pas luftës. Në fundin e saj, ajo solli një eksod të madh njerëzor, kryesisht politik, që përfshiu pjesën nacionaliste dhe intelektuale, trurin e kombit”. Pra, e bën fakt të kryer se në Shqipëri, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, është zhvilluar luftë civile. Fatkeqësisht Instituti i Historisë nuk e ka kulturën të kuptojë se lufta civile, përpara se të jetë “civile”, është “luftë” dhe, si e tillë, u nënshtrohet parimeve të luftës: se në çdo luftë civile ka patjetër dy palë. Palët kanë strukturë të organizuar piramidë, nga njësia bazë, deri te lidershipi apo shtabi strategjik, çka do të thotë se nuk ka luftë civile pa shtabe ushtarake strategjike. Palët kryejnë aktivitete të organizuara luftarake në grup, në bazë planesh operacionale, çka do të thotë se nuk mund të zhvillohet luftë civile, nëse luftimet sporadike nuk rriten në beteja dhe betejat nuk rriten në operacione.

Luftën e përcaktojnë dhe e përfundojnë betejat dhe operacionet midis palëve, jo vrasjet e shkëputura për motive të dobëta. Palët kanë objektiva politike dhe autoritete politike, të afta për të pretenduar se secila përfaqëson formën legjitime të qeverisjes dhe secila kërkon të marrë nën kontroll qeverisjen dhe qeverinë e vendit. Palët kanë ushtritë e veta, të cilat nga ana e tyre kanë nën kontroll pjesë jetike të vendit. Palët i rezistojnë me sukses njëra-tjetrës, çka do të thotë se kanë një raport të tillë forcash, saqë është pothuajse e pamundur që njëra palë ta thyejë shpejt tjetrën. Palët gëzojnë njohje ndërkombëtare, se vetëm vdekjet në luftime, betejat dhe operacionet e organizuara e të zhvilluara midis dy palëve janë treguesi themelor i një lufte civile. Vdekjet e shkaktuara nga terrori individual, apo kur njëra nga “palët” bashkëpunon, bashkëvepron e bashkërendon me pushtuesin, vërtetojnë çdo amoralitet, por jo luftë civile.

Së dyti, përtej defiçencës në kulturë lufte, Instituti shkruan se kjo “lufta civile” paska sjellë “një eksod të madh njerëzor, kryesisht politik, që përfshiu pjesën nacionaliste dhe intelektuale, trurin e kombit”. Por, nuk shpjegojnë fare se përse ky “truri i kombit” e braktisi atdheun dhe përse braktisja u bë nën bajonetat dhe me mjetet e ushtrisë naziste? Duket sikur institucioni shtetëror i Shqipërisë përcjell një doktrinë naziste, duke i paraqitur ca “koka” që braktisën vendin, si “tru i kombit”, për t’i dalluar nga një a dy milionë shqiptarë, të cilët qëndruan në atdhe. Këta të fundit, edhe pse mirë apo keq i dolën zot të ardhmes së vendit, në vlerësimin e Institutit të Historisë mbeten të quhen “pa tru”. Për më tepër që doktrina naziste i çmonte gjermanët “mbinjerëz”, ndërsa kombet e tjerë “nënnjerëz”, ndërsa instituti ynë diferencon brenda llojit.

Më tej, Instituti i Historisë shkruan: Pushtimi gjerman ishte “një pushtim ndryshe nga pushtimi italian… Shqipëria nuk mund të trajtohej si një vend i pushtuar me dhunën e armëve, siç kishte vepruar Italia”. E pabesueshme, por e vërtetë: Instituti duket sikur bëhet palë me doktrinën naziste, sipas së cilës “popujt gënjehen me gënjeshtra të mëdha, jo me gënjeshtra të vogla”, duke iu vjedhur faktit se, në Luftën e Dytë Botërore, bota pësoi rreth 70–85 milionë vdekje dhe se, përqindja dërmuese e tyre u krye nga forcat ushtarake dhe institucionet e tjera gjermane të vdekjes. Tinëzisht, Instituti i Historisë shkruan: “Direktivën finale për goditjen ushtarakisht të Ballit Kombëtar, Komiteti Qendror i PKSH e lëshoi më 1 tetor 1943. Ajo u drejtohej komiteteve qarkore të PKSH për Gjirokastrën dhe Korçën, duke shënuar kështu fillimin e luftës civile”. Instituti i fshihet faktit domethënës se përse kjo direktivë u drejtohej vetëm dy komiteteve qarkore nga tetë të tilla që ishin formuar në atë kohë në të gjithë vendin. Por, kemi një pamje tjetër nga “të zotët e punës”: Konsulli gjerman në Shqipëri, në informacionin që i dërgon përfaqësuesit më të lartë të Hitlerit për Europën Juglindore, ambasadorit Hermann Neubacher, në tetor të vitit 1943, shkruan e zeza mbi të bardhë: “…bashkëpunimi i ngushtë i Ballit Kombëtar me trupat gjermane, tanimë është fakt”.

Pra, bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me forcat pushtuese gjermane kishte filluar që me hyrjen e tyre në Shqipëri. Çka do të thotë se kjo “direktiva” që u ishte dërguar vetëm dy komiteteve qarkore, pra jo gjithë partisë, ishte direktivë për të luftuar kundër formacioneve balliste që ishin kriminalizuar më hapur në bashkëpunimin me pushtuesit. Në shërbim të bindjeve politike, Institutit të Historisë shkruan: “Divizioni i Parë i UNÇSH në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Faza e fundit e Luftës Civile”. Por, e vërteta është krejt ndryshe: mbasi Balli Kombëtar dështoi të barazohej për pushtet në tavolinë dhe jo përmes luftës, çka ishte i vetmi detyrim atdhetar, moral dhe test besueshmërie në popull, atëherë zgjodhi një rrugë tjetër: organizimin e bajraktarëve lokalë në Shqipërinë e Veriut në “Besëlidhje Antikomuniste” për të mos lejuar Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të kalonte në atë pjesë, e kështu, për ta penguar të plotësonte misionin e saj ndaj vendit, kombit dhe tre aleatëve të mëdhenj antifashistë e antinazistë, për çlirimin e plotë të Shqipërisë nga pushtimi nazist dhe për ta shtrirë këtë mision edhe jashtë kufijve shtetërorë. Kësisoj, Balli Kombëtar synoi krijimin e një vije të “fortifikuar” Dibër-Mirditë-Shkodër, veriu i së cilës të mbahej i izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Në këtë vijë do të rreshtoheshin së bashku forcat e Ballit Kombëtar, bajraktarëve lokalë, qeverisë kuislinge dhe ato gjermane, me qëllimin politik që të sigurohej mbijetesa e Ballit Kombëtar, si dhe ruajtja e mbrojtja e feudave të bajraktarëve të zonës. “Besëlidhjet Antikomuniste” ishin orvatja më e pastër dhe më plotë e Ballit Kombëtar për ta zhytur Shqipërinë në luftë civile. Si për t’i vënë kapak orientimit të tyre antihistorik, Instituti i Historisë shkruan se gjatë pushtimit italian u krye bashkimi faktik i Kosovës me Shqipërinë, i cili pavarësisht se u realizua nga fuqitë pushtuese të kohës, në suazën e rregullimeve territoriale midis tyre përkonte me interesat kombëtare të shqiptarëve.

E pabesueshme që, një Institut Historie, i çfarëdo vendi qoftë, të përcjellë moralin se mbështetja te pushtuesit është instrument për të zgjidhur bashkimin kombëtar! Përveçse një fyerje ndaj vlerave, prestigjit dhe interesit kombëtar, kjo tezë ishte, siç janë shprehur edhe shumë historianë të huaj të paanshëm, një oreks dhe sjellje perverse, kësisoj e kundërnatyrshme dhe praktikisht e pasuksesshme. Fatkeqësisht, Instituti i Historisë nuk mund ta kuptojë se besimi tek Italia dhe Gjermania si miq të natyrshëm gjeopolitikë të Shqipërisë është i papajtueshëm me besimin tek Italia fashiste e Gjermania naziste, të cilat janë po aq kundër kombit shqiptar, sa edhe kundër kombit italian dhe kombit gjerman. Instituti i Historisë shkruan madje në titull: “Veprimet e UNÇSH në Kosovë dhe në Jugosllavi. Ripushtimi i Kosovës dhe trevave të tjera”. Në këtë kre shkruhet se, “E.Hoxha, më 12 shtator 1944 urdhëroi Komandën e Korparmatës së Parë të UNÇSH të niste menjëherë për në Kosovë Brigadën III dhe V për të bashkëvepruar me njësitë e UNÇJ, me qëllim që të dëbonin prej andej trupat gjermane dhe për të ndihmuar vendosjen e pushtetit jugosllav”. Në fakt, urdhri i mësipërm, i cili për korrektesë mban numrin 315, askund nuk bën fjalë “për të ndihmuar vendosjen e pushtetit jugosllav”.

Një sajim i tillë është amoral për këdo, jo më për historianët. Amoraliteti shkon deri aty sa të shkruhet se ushtria partizane shqiptare paska shkuar në Kosovë për ta “ripushtuar” Kosovën. E vërteta është se njësive të UNÇSH, nëpërmjet urdhrave nr. 439, 444, 445, etj., u kërkohej të “merrnin kontakt me shtabin e forcave të Kosovës e të Metohisë… me forcat jugosllave dhe me Ushtrinë e Kuqe” për të goditur forcat gjermane. Ashtu ishte koha. Do të bashkëpunohej me çdo aktor dhe faktor antinazist. Por, ta quash angazhimin e mijëra partizanëve shqiptarë për çlirimin e Kosovës si “ripushtim” të Kosovës dhe të tjetërsosh sakrificën sublime të qindra prej tyre në misionin çlirimtar, kjo është saktësisht shprehje e urrejtjes kolektive. Retrospektivë: Instituti i Historisë shkruan se Asambleja Kushtetuese e mbledhur më 12 prill 1939 i ofroi Mbretit Vittorio Emanuele III Kurorën e Shqipërisë dhe shton se vendimet e asaj Asambleje “ishin një njollë turpi në historinë kombëtare dhe përbënin të parin akt institucional të tradhtisë kolektive kombëtare pas shpalljes së Pavarësisë”. Korrekte, por do të ishte akoma më korrekte që Instituti të prononcohej se, edhe këta “asamblistët” ishin pjesë e “trurit të kombit”. Kështu, mendojmë se Shqipërisë së Luftës së Dytë Botërore i është bërë një portret politik dhe jo historik nga një institucion shtetëror i saj. Shteti shqiptar i çdo kohe nuk mund të lejojë abuzime me burimet arkivore, as tjetërsime të vërtetash historike dhe as propagandë politike. Shteti prandaj quhet i tillë, më së paku ta heqë nga qarkullimi këtë libër përdhosës të historisë së shqiptarëve./Gazeta Panorama