Thu, Mar 13, 2025

Më pak propagandë, më shumë informim publik

  • PublishedMarch 13, 2025

Më pak propagandë, më shumë informim publik

DR. JORGJI KOTE

Para disa ditësh, duke parë të mbuluar monumentin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbej, në Tiranë, përballë mungesës së informacionit nga entet përkatëse, me të drejtë shumë qytetarë dhe të interesuar të tjerë donin të dinin se ç’po ndodhte. Më në fund doli me vonesë për sqarim Kryeministri Rama, por edhe ai, në vend të kërkonte ndjesë, sulmoi me gjuhë të drunjtë median, opozitën dhe kureshtarët e tjerë të pafajshëm. Mirëpo, ky nuk është rasti i parë dhe as i vetëm, por një vazhdimësi pa frymën e BE-së, krahas “kusureve” të tjera demokratike që kemi. Dihet se në dallim nga regjimet autoritare ku sundon propaganda e shfrenuar, vendet me demokraci pluraliste shquhen duke filluar nga informimi dhe transparenca publike, kjo jo për të shuar kureshtjen publike, por si domosdoshmëri për ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi politikat qeveritare, për pjesëmarrjen e tyre në qeverisje dhe shëndoshjen e demokracisë së një vendi.

Për këtë arsye, Neni 35 i Paktit Ndërkombëtar të të Drejtave Politike dhe Civile, mbi bazën e Konventës Europiane mbi të Drejtat e Njeriut përcakton rëndësinë parimore dhe procedurat përkatëse në këtë fushë me ndjeshmëri të madhe publike. Gjithashtu kjo dispozitë parashihet në direktivat e BE-së dhe në grup-kapitujt e negociatave tona të anëtarësimit. Ndërsa në vitin 2019, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi datën 28 shtator si ditën Ndërkombëtare të Informimit publik. Në këto 35 vitet e fundit edhe në vendin tonë ka pasur dhe ka shembuj e praktika pozitive në këtë fushë të shoqëruar me krijimin e strukturave dhe agjencive përkatëse shtetërore, parlamentare dhe joqeveritare. Por kohët e fundit, në vend që kjo pritje të forcohej më tepër, po ndodh e kundërta, aq sa edhe vetë fjala apo koncepti “informim publik” ka avulluar nga fjalori politik dhe shumë rrallë dëgjohet nga liderët tanë. Përherë e më shumë po kalohet drejt territ informativ dhe zëvendësimit të informimit publik me propagandë euforike dhe hera-herës butaforike qeveritare. Mjafton të ndalesh në disa prej rasteve të fundit dhe më pikante, siç po bëjmë këtu më poshtë dhe bindesh lehtë për këtë realitet me shumë propagandë, por fare pak informim publik.

Kështu, tani së fundi u bë shumë zhurmë mbi largimin “incognito” të zotit Engjëll Agaçi, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave në këto 11 vitet e fundit. E çuditshme, sepse edhe lëvizjet më të vogla në postet qeveritare, si drejtorë dhe zv.ministra jepen nga qeveria rregullisht në media. Mirëpo kjo nuk ndodhi me zotin Agaçi, e pasuar nga një heshtje e plotë. Dhe ndoshta nuk do të ishte mësuar nëse lideri i PD-së, Sali Berisha, do të thyente heshtjen duke njoftuar “arratisjen” e zotit Agaçi nga frika e një arrestimi nga SPAK-u, për shkak të dosjeve të ndryshme të korrupsionit, ku janë përfshirë qeveritarë të shumtë vendorë dhe qeveritarë. Kësisoj, ky lajm kishte arsye të besohej, ca më tepër përballë heshtjes qeveritare.

Pastaj, pavarësisht nga gjithçka lideri i opozitës ka burime të shumta informacioni, pa përjashtuar dhe rrjedhjen e tij nga brenda, praktikë tashmë e konsoliduar në vendin tonë, ku këto informacione janë kthyer në mallra konsumi, por me vlerë të çmuar politike dhe institucionale.

Kryeministri Rama e përgënjeshtroi si përherë me mllef dhe me vonesë lajmin, me pohimin e trishtë se zoti Agaçi ndodhej në Romë në spital, mbas kapërcimit të një gjendjeje tejet kritike për jetën. Mirëpo çuditërisht 2–3 ditë më vonë ai u pa në zyrë me zotin Agaçi! Duke dashur ta besojmë këtë lajm dhe me urimet më të mira për shërim të shpejtë zotit Agaçi, prapë publiku mund të ishte njoftuar mbi këtë të vërtetë. Ndryshe, kur organet qeveritare nuk e bëjnë punën e tyre për informimin publik, atëherë publiku do të shtrëngohet të dëgjojë dhe të besojë çdo informacion. Ndonëse për këtë qëllim ka rregulla, procedura dhe struktura të caktuara, të cilat duhen ndjekur me përpikmëri ka kohë që ato nuk ndihen e dëgjohen fare, sepse janë lënë në hije nga Kryeministri. E shohim atë dhe si zëdhënës/propagandist të flaktë nga mëngjesi e deri në darkë kudo, në forume, në rrjetet sociale, në podkaste, në fjalime, në takime me simpatizantët, ku flet dhe pretendon të sqarojë gjithçka, edhe pse në shumë raste më shumë i ngatërron gjërat. Për pasojë, edhe kërkimi i informacionit publik në strukturat e caktuara bëhet i pamundur ose i panevojshëm, sepse gjithçka, ashtu si dikur e ka sqaruar “i Madhi”. E pastaj kush guxon të dalë në publik pasi ka folur ai? Ja shiheni edhe shpërndarjen bonuseve për pensionet, madje edhe shtyrjen e tyre nga shkurti në mars, e bën po Kryeministri, ndonëse ka një ministri dhe Drejtori të Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore. Asnjë Kryeministër tjetër në botë nuk vepron kështu, se ky do të ishte skandal. Shembulli tjetër i dukshëm i propagandës në dëm të informimit publik është çështja e negociatave të anëtarësimit në BE dhe objektivi Shqipëria në BE 2030! Njëherë u festua 4 herë me shampanjë çelja e negociatave deri në vitin 2020, kur në fakt asgjë nuk “kishim asgjë në torbë”, por vetëm se atë e propozoi Komisioni Europian.

Kur siç i thonë fjalës “ e di edhe bufi” që çeljen e negociatave vërtet e propozon Komisioni, por atë e vendos Këshilli Europian, dmth., të 27 liderët e BE-së. Për fat të keq nuk ishte e fundit as festa më 22 korrik 2022, kur u vendos përfundimisht çelja e tyre, por që nuk u bë e mundur për shkak të vetos greke. Kësisoj, festa përfundimtare e çeljes u bë më 15 tetor 2024, kur në Luksemburg u çel grup-kapitulli i parë. Ndërsa tani, edhe pse thuhet se në BE do të hyjë gjithë Shqipëria dhe jo vetëm qeveria, informimi publik për këtë proces është në limitet e veta më minimale; bën përjashtim këtu kryetarja energjike dhe kompetente e Komitetit Kombëtar të Integrimit, zonja Tabaku me transparencë maksimale, ndërsa nga pala qeveritare, me përjashtim të Kryenegocia tores, zonjës Dhuka, ndonëse edhe ajo “me pikatore” ka kryesisht bujë, zhurmë dhe propagandë se demek në vitin 2027 do të përfundojnë negociatat. Dakord, e kemi theksuar edhe më parë, gjë e mirë, sepse të mobilizon. Dhe nëse nuk do i përfundojmë dot në vitin 2027, prapë do të vijë një ditë që të pranohemi. Mirëpo këtu puna duhet të fillojë me informimin e gjerë dhe të vazhdueshëm publik, me qëllim që opinioni të ndërgjegjësohet për hapat, reformat, sfidat, problemet dhe pengesat e ndryshme në këtë proces, si nga brenda dhe nga jashtë.

Më konkretisht tani po flitet për çeljen së shpejti të grup kapitujve “të rëndë” dhe problematikë si konkurrenca, tregu unik, bujqësia dhe mjedisi i gjelbër; mirëpo çfarë përfaqësojnë këto tema madhore sfiduese, cilat janë pikat tona të dobëta dhe të forta, sa kohë duhet për njërin dhe për tjetrin dhe kështu me radhë. Asgjë nga këto, dëgjojmë kryesisht Kryeministrin që flet dhe rreh gjoksin me çeljen e grupkapitujve, kur sfida e vërtetë dhe vendimtare është mbyllja e tyre, mirëpo kjo kërkon hartimin dhe zbatimin e ligjeve dhe reformave të njohura madhore, me “frymë dhe germa” europiane. Megjithatë, deri tani vetëm pohime, deklarata euforike, flamurin që do të ngrihet në Bruksel në vitin 2030, apo të “hyjmë përpara se të dredhë bishtin” siç tha Rama në Athinë më 2 mars, kur do thënë se vitet e fundit BE-ja në fakt më shumë “ua ka krehur bishtin” pushtetarëve. Shkurt fare pak për të mos thënë asgjë se ç’po po bëhet që të realizohet objektivi madhor BE 2030. Dhe ca më keq akoma, reforma madhore e drejtësisë dhe anëtarësimi në BE po “privatizohen”, duke u bërë pronë dhe meritë vetëm e PS-së dhe e Ramës, çka “në vend t’u verë vetullat”, u nxjerr sytë” atyre, duke ua ulur besueshmërinë politike dhe publike e duke i katandisur ato si dikur në “vepra të Partisë”.

Gjithsesi, urojmë që negociatat në proces të mos mbeten shashkë apo fishekzjarrë zgjedhorë, që të shuhen sapo të mbarojnë zgjedhjet e 11 majit 2025! Ndërkohë, një rrezik tjetër i madh për informimin publik është “futurizmi” politik qeveritar, një dukuri kjo e periudhës moniste e huazuar nga futurizmi letrar dmth., në vend të analizohen arritjet bashkë me dështimet, bëhen kryesisht premtime, lajmërime dhe zotime për vitet e ardhshme, si bie fjala Samiti i NATO-s dhe Kongresi i Ligjvënësve më 2027, Shqipëria 2030, gara automobilistike, panaire etj.. Mesazhi publik që përcillet me këtë rast është se nuk ka dhe aq rëndësi e tashmja, bilancet, ca më pak mungesat dhe vonesat, por e ardhmja jonë e ndritur dhe e lumtur, kur do të jemi të parët këtu dhe atje, tregu më i madh energjetik etj., etj.. Një fushë tjetër jetike ku propaganda zyrtare “bën namin” është infrastruktura, rrugët, tunelet etj., të cilat inaugurohen me bujë dhe daulle disa herë në prag fushatash zgjedhore, por ende sot e kësaj dite nuk janë funksionale. Pa folur për kostot e tyre marramendëse. Rruga e Arbnit është rasti me tipik, por jo i vetmi.

Duke mbetur në këtë fushë, një rast tjetër tipik i zëvendësimit të informimit publik me propagandën qeveritare boshe ishte ai mbi gjoja zbulimin e rezervave të mëdha të naftës cilësore në Shpirag në gusht 2023. Pa ia kërkuar askush, Kryeministri Rama doli dhe dha sihariqin e madh mbi mrekullinë ekonomike dhe sociale që do të lulëzonte, duke filluar nga krijimi i Fondit të Sovranitetit për administrimin e burimeve kolosale financiare, të cilat le ta themi se, edhe në rastin më të mirë do të ishin minimale për vendin tonë, për shkak të kontratave të nënshkruara. Në fakt, qysh ato ditë pati shumë debate dhe dyshime se pse duhej të dilte Kryeministri për një parashikim të tillë në tentativë dhe jo Kompania SHELL apo drejtues dhe ekspertë të tjerë të fushës, qoftë dhe duke thënë si dikur “me porosi të udhëheqësit”. E pse duhej vënë “tigani në zjarr kur peshku ishte ende në det”?! Mesa dukej, këtë lajm e kërkonin situatat e atëhershme të brendshme politike, që të shpërqendrohej vëmendja publike nga telashet e tjera duke e degdisur atë në Shpirag.

Mirëpo aty vetëm për informim publik nuk bëhej fjalë, por vetëm për propagandë me të mundshëm dhe të ardhmen e supozuar ama nga politikanë dhe jo ekspertët e mirënjohur të fushës. Dihet tanimë si ajo propagandë doli blof, “Shell”-i po ikën, fondi sovrani mbeti në hava. Kryeministrit nuk i mbeti gjë veçse të përgënjeshtronte veten, por prapë me “të ardhmen e ndritur”. Një problem tjetër serioz që e cenon edhe më shumë informimin publik është tendenca qeveritare për të penalizuar, sidomos gazetarë dhe përfaqësues të opozitës që bëjnë pikërisht këtë informim publik dhe bëjnë denoncime të shumta publike, pavarësisht nga motivi i tyre politik. Për pasojë, është shtuar ndjeshëm numri i kallëzimeve në Prokurori nga agjencitë qeveritare, duke dekurajuar edhe më shumë shprehjen e fjalës dhe mendimit të lirë”.

Në vendet me praktika demokratike është zakon që kur një person e sidomos gazetar apo opozitar mendohet se nuk ka thënë të vërtetën ose dhe ka shpifur, çështja nuk çohet në gjykatë. Kjo mbasi në parim nuk është e drejtë, sepse dilet kundër fjalës dhe mendimit të lirë, por edhe sepse gjykatat rëndohen pa të drejtë me çështje, që fare lehtë mund të zgjidhen me mjete të tjera demokratike. Dhe jo një e dy “shihemi në gjykatë”. Fare mirë, kur një person i prekur gjykon se fakti ndaj tij nuk është i vërtetë, mund të kërkojë përgënjeshtrimin e lajmit në media apo në forumet përkatëse. Nëse kjo nuk bëhet dhe vijohet më tej me faktin, atëherë po, mund të kalohet në gjykatë. Të gjithë këta aktorë dhe faktorë e dëmtojnë shumë informimin dhe transparencën publike sipas standardeve të BE-së. Mirëpo, pa këtë transparencë, dobësohet dhe humbet mirëkuptimi, besimi dhe kohezioni social, bindja në një kauzë, rëndohet dhe degjenerohet diskursi politik, i çelet rruga gjuhës dhe sjelljeve përjashtuese, nihiliste dhe populiste, shkurt propagandës së shfrenuar në gjitha format e saj, si një kopje e shëmtuar e periudhës moniste./Gazeta Panorama